I nderuari kryesues Nollt.
Të nderuar nën-kryesues, zotëri O-Toll dhe e nderuara zonja Leverdier,
Të nderuar deputetë, anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme,
Është kënaqësi të takohem sot me ju dhe të bisedojmë për Kosovën por edhe tërë rajonin e Evropës Juglindore, për të arriturat tona por edhe sfidat, për ndërtimin e paqes dhe pajtimit.
Por edhe për bashkëpunimin tonë bilateral, në mes Kosovës dhe Kanadasë.
Më vjen mirë që vizitën po e realizoj në kohën kur Kanadaja shënon 150 vjetorin e vet.
Kanada për ne është partner strategjik me të cilin ndajmë vlera, parime e aspirata të përbashkëta.
Si Kosovë jemi mirënjohës për përkrahjen që Kanada i ka dhënë Kosovës me dekada.
Veçanërisht vlen të theksohet pranimi i 7000 refugjatëve nga Kosova, në vitin 1999.
Pata rastin t’i takoj disa prej tyre në Halifax, të vizitoj bazën ushtarake ku shumica prej tyre janë pritur kur kanë arritur në Kanada.
Ishte moment prekës t’i kujtonim ditët e luftës por edhe moment i gëzimit dhe krenarisë të shohësh se sa mirë janë integruar në shoqërinë kanadeze dhe i kontribuojnë shtetit dhe shoqërisë kanadeze.
Ata tani janë urë lidhëse në mes dy popujve tonë.
Përkrahja e Kanadasë ka qenë e rëndësishme edhe pas luftës, në rindërtimin e vendit dhe ndërtimin e paqes.
Jemi mirënjohës që Kanadaja ka qenë ndër vendet e para që ka njohur Kosovën dhe vazhdon ta përkrah Kosovën në konsolidimin e shtetësisë së saj.
Bashkëpunimi ynë bilateral është në rritje, veçanërisht në ekonomi, me theks të veçantë në fushën e minierave.
I gëzohem mundësisë që Kosova dhe Kanadaja do të nënshkruajnë Marrëveshje për mbrojtje të investimeve në mes dy vendeve tona.
Muajin e kaluar para nderi të dekoroj me Medaljen për kontributin për paqe e demokraci ish-Ministrin e jashtëm Aksuorthi dhe më vjen mirë të shoh në Komision edhe deputetet Vandenbeld e cila është dekoruar nga Qeveria e Kanadeze për kontributin për paqe.
Të nderuar deputetë,
Më lejoni t’i them disa fjalë për të kaluarën e Kosovës, për të sotmen e veçanërisht për aspiratat tona për të ardhmen e Kosovës dhe rajonit të Evropës Juglindore.
Në muajin shkurt do të shënojmë dhjetë vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Shpallja e pavarësisë ka ardhur pas një procesi të gjatë ndërkombëtar që kërkonte zgjidhje për statusin politik ndërkombëtar të Kosovës.
Ky proces ndërkombëtar kishte filluar në vitet e 90-ta me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që dënonin dhunën dhe represionin e regjimit të Slobodan Milosheviqit.
Ka vazhduar me Konferencën ndërkombëtare të Rambujesë, në pranverën e vitit 1999, në të cilën bashkësia ndërkombëtare kërkonte zgjidhje për Kosovën.
Regjimi i Milosheviqit jo që nuk bashkëpunoi me bashkësinë ndërkombëtare por vazhdoi me fushatën e dhunës e represionit duke e eskaluar në përpjekje për gjenocid.
Kjo e detyroi NATO-n që të intervenojë që të pengojë edhe një gjenocid tjetër në tokën e Evropës.
Kjo solli deri te vendosja e Administratës Ndërkombëtare në Kosovë.
Në vitin 2005, Kombet e Bashkuara kanë emëruar Presidentin Ahtisaari, laureat i Nobelit për paqe, që të kërkojë zgjidhje për statusin e Kosovës.
Në një proces të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara e ku kanë marrë pjesë në mënyrë aktive veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE-ja dhe Rusia, Presidenti Ahtisaari rekomandoi që zgjidhja më e mirë për Kosovën është pavarësia.
Në përputhje me rekomandimet e Ahtisaarit, në shkurt të vitit 2008, Kosova e shpalli pavarësinë.
Sot mund të themi lirisht se asnjëherë nuk ka pasur shpallje të pavarësisë më multi-laterale e më të koordinuar ndërkombëtarisht se në rastin e Kosovë.
Vulën e fundit pavarësisë së Kosovës ja dha Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë që në gusht të vitit 2010 e tha qartë se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, pasi Serbia i qe drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me pyetjen nëse Kosova kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare kur ka shpallur pavarësinë.
Të nderuar deputetë,
Ku është Kosova sot?
Pa bërë një dekadë si shtet, Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian, që është hapi i parë drejt ndërtimit të bashkëpunimit që në fund do të sjell anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Kosova është pranuar në programin Korporatës për Sfidat e Mijëvjeçarit të Kongresit Amerikan dhe ka filluar implementimin e projekteve të MCC-së.
Që të dy këto suksese janë arritur vetëm pasi janë konfirmuar arritjet në reformat gjithëpërfshirëse në ekonomi, në sundim të ligjit dhe në ndërtim të institucioneve demokratike.
Kosova është njohur nga 114 shtet dhe është anëtarësuar në shumë organizata rajonale e ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar apo Komisioni i Venecias.
Në përputhje me Pakon e Ahtisarit, kemi ndërtuar institucione qeverisëse gjithëpërfshirëse, në të cilat janë të përfaqësuara të gjitha komunitete që jetojnë në Kosovë.
Në Parlamentin e Kosovës me 120 ulëse, 20 janë të rezervuara për komunitetet jo-shumicë, 10 për komunitetin serb e 10 të tjera për komunitetet tjera, për të garantuar përfaqësimin e tyre politik.
Kemi instaluar praktika afirmative në shkollim, në punësim, në përdorim të gjuhëve në administratë apo edhe në mediat publike, për të garantuar arsimin, punësim dhe informim për të gjithë.
Kemi instaluar komunikimin, dialogun si mjeti i vetëm për të gjetur zgjidhje për çdo çështje.
Promovojmë dialogun në mes feve, që përfaqësohet më së miri me konferencën Inter-Faith që mbahet çdo vit dhe bën bashkë liderë fetarë, politikanë, studiues nga e tërë bota të cilët diskutojnë për dialogun në mes feve.
Jemi krenar me tolerancën dhe bashkëjetesën në mes komuniteteve fetare që kemi në Kosovë.
Kjo është vlerë që është shembull për rajonin dhe më gjerë.
Kemi iniciuar themelimin e Komisionit për të Vërtetën e për Pajtim, si mjet për dialog të brendshëm në mes të komuniteteve etnike, për të mbyllur kapitullin e luftës dhe për të hapur kapitullin e paqes, dialogut, bashkëpunimit, bashkëjetesës në një shoqëri shumetnike, demokratike, gjithëpërfshirëse.
Kemi konsoliduar shtetësinë e Kosovës brenda, duke shtrirë sovranitetin në tërë territorin e Kosovës, përshirë edhe pjesën veriore të Kosovës.
Falë dialogut dhe masave afirmative, sot edhe kjo pjesë është e përfshirë në institucionet e Kosovës.
Janë mbajtur zgjedhje sipas ligjeve të Kosovës dhe liderët e zgjedhur veprojnë në kuadër të institucioneve të Kosovës dhe sipas ligjeve të Kosovës.
Ky është rezultat i dialogut që Kosova zhvillon me shtetin e Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Zonja dhe zotërinj,
Kjo më sjell te një pikë tjetër e rëndësishme për Kosovën, promovimi i dialogut edhe për gjetjen e zgjidhjeve për rajonin.
Që 5 vite, Kosova dhe Serbia janë të përfshira në procesin e dialogut, me përkrahjen e BE-së, që ka sjell shumë marrëveshje që kanë përmirësuar jetën e qytetarëve tonë dhe kanë përmirësuar marrëdhëniet në mes dy vendeve tona.
Për herë të parë, pas 100 vitesh konflikt, në prill të vitit 2013 kemi nënshkruar marrëveshjen ndërkombëtare për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Kjo i ka kontribuar jo vetëm forcimit të paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë por edhe forcimit të paqes në tërë rajonin.
Sot, unë si President i Kosovës, së bashku me Presidentin e Serbisë Vucic dhe me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, zonjën Mogerini, po kërkojmë një dinamikë dhe një kualitet të ri për procesin e dialogut.
Po punojmë që të arrijmë një Marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të plotë të marrëdhënieve, për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe për pajtim në mes dy shteteve tona.
Dialogun dhe bashkëpunimin e promovojmë edhe në marrëdhëniet tona me shtetet tjera të rajonit.
Kemi marrëdhëniet të mira me Maqedoninë, me Shqipërinë, me Malin e Zi.
Respektojmë integritetin territorial të Maqedonisë dhe bëjmë thirrje për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit si mënyra më e mirë për të akomoduar të gjitha komunitetet që jetojnë në Maqedoni.
Me Shqipërinë kemi marrëdhënie të mira dhe punojmë jo për ndryshim të kufijve por për hapje të tyre sipas modelit të Bashkimit Evropian.
Me Malin e Zi kemi marrëdhënie të shkëlqyera dhe i jemi gëzuar anëtarësimit të Malit të Zi në NATO si një hap tjetër drejt forcimit të paqes e sigurisë në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Është e vërtetë se si Kosovë ende nuk e kemi ratifikuar Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Por, kjo është për shkak të garës politike brenda në Kosovë dhe nuk është për shkak të ndonjë kontesti në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.
Jemi pjesëmarrës aktiv në forumet rajonale në të cilat promovojmë bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore me tërë rajonin.
Të nderuar deputetë,
Më lejoni të flas pak edhe për të ardhmen, sfidat dhe aspiratat.
Vazhdimi i reformave në të gjithë sektorët e jetës është aspirata jonë e parë.
Marrëveshja e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian është një udhërrëfyes për këto reforma.
Qeveritë e Kosovës janë të përkushtuara në realizimin e këtyre reformave dhe e përfshijnë Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit edhe në programet e qeverisjes.
Në Kosovës, bashkësia ndërkombëtare ka udhëhequr drejtësinë, 8 vite si Kombe të Bashkuara dhe 9 vite si Misioni i BE-së për sundimin e ligjit, EULEX.
Kjo ka rezultuar me kornizën ligjore më të mirë në rajon por edhe me kapacitete vendore të gatshme për të implementuar këto ligje.
Raportet e BE-së dhe të Departamentit të Shtetit Amerikan e përcjellin dhe raportojnë rregullisht për të arriturat e sistemit tonë të drejtësisë por edhe të gjithë sektorëve tjerë shoqërorë.
Në kuadër të angazhimit për sundim të ligjit, kemi themeluar edhe Gjykatën Speciale që do të ndjek krimet e luftës të kryera pas luftës në Kosovë.
Por, ndër sfidat kryesore për Kosovën mbetet konsolidimi ndërkombëtar i shtetësisë së Kosovës.
Nuk them asgjë të re nëse them se jo të gjithë e përkrahin projektin e shtetit të pavarur, demokratik, shumetnik, të Kosovës.
Këtu në veçanti e kam fjalën për Rusinë, që e lufton perëndimin duke i penguar projektet për paqe e stabilitet të qëndrueshëm në rajonin e Evropës Juglindore.
Rusia ka tentuar të bëjë grusht-shtet në Mal të Zi për të penguar anëtarësimin e vendit në NATO.
Ka tentuar të pengojë zgjedhjet demokratike në Maqedoni për të penguar reformat e vendit drejt NATO-s e BE-së.
Rusia e pengon anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke filluar që nga Kombet e Bashkuara.
Më erdh mirë të dëgjoj në Halifax Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s që tërheq vërejtjen nga kërcënimi rus për NATO-n dhe Perëndimin.
Por, arsyeja kryesore pse Rusia ka shtrirë influencën në rajonin e Ballkanit është vonesa e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s që të përfshijë rajonin në proceset integruese.
Kjo po i hap rrugë ndikimeve tjera, qoftë të Rusisë, qoftë të ideologjive tjera.
Në Ballkan kemi parë përpjekje edhe të fundamentalizmit dhe radikalizmit të depërtojë.
Jemi jo vetëm vend i origjinës i ekstremistëve që i janë bashkuara ISIS-it por edhe vend target i sulmeve terroriste.
Kemi qenë të suksesshëm në parandalimin e disa sulmeve terroriste në territorin e Kosovës por edhe në rajon.
Jemi anëtar aktiv i Koalicionit Global Kundër ISIS-it dhe lider në rajon në luftimin e terrorizmit, radikalizmit dhe ekstremizmit.
Por, përpjekjet tona vështirësohen nga mungesa e anëtarësimit në INTERPOL dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë të sigurisë.
Prandaj është e rëndësishme që të na përkrahni në anëtarësimin e Kosovës në këta mekanizma.
Për të forcuar infrastrukturën e sigurisë, kemi iniciuar transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës.
Kjo do të bëhet me pajtimin e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe në koordinim të plotë me NATO-n dhe partnerë tonë ndërkombëtar.
Këtu kemi kërkuar nga Kanadaja që të thellojë bashkëpunimin me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe të ndihmojë veçanërisht në gjithpërfshirje të komuniteteve dhe në barazinë gjinore.
Të nderuar deputetë,
Kosova ka ecur larg që një dekadë.
Më nuk është vend i shkatërruar nga lufta, por vend që punon për anëtarësim në NATO dhe BE dhe që realizon me sukses reformat në ekonomi, në drejtësi dhe institucione demokratike.
Në të gjitha anketat, qytetarët e Kosovës dalin si qytetarët më pro-NATO dhe më proevropian.
Jemi të vendosur që e ardhmja jonë është në NATO dhe në BE, në paqe, dialog dhe bashkëpunim.
Jemi në rrugë të drejtë që nga një konsumues i sigurisë të bëhemi shembull dhe promovues i paqes, i dialogut dhe i bashkëpunimit.
Ju faleminderit!