Një falënderim i veçantë për ndihmën e madhe që po japin institucionet e pranisë ndërkombëtare në Kosovë – UNMIK-u, EULEX-u dhe KFOR-i.
Prishtinë, 18 prill 2008I nderuar Kryetar i Kuvendit, z. Jakup Krasniqi,I nderuar Kryeministër, z. Hashim Thaçi,Të nderuar përfaqësues të misioneve ndërkombetare në Kosovë,Të nderuar zëvendëskryeministra dhe ministra,Të nderuar ambasadorë dhe udhëheqës të misioneve diplomatike,Të nderuar deputetë të Kuvendit,Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës,Zonja e zotërinj,Jam paraqitur para këtij institucioni të lartë disa herë gjatë këtyre dy vjetëve si President i Kosovës dhe udhëheqës i Ekipit të Unitetit, i ngarkuar me punën e finalizimit të procesit për përcaktim të statusit, që duhej të përfundonte, siç u krye, me pavarësimin përfundimtar të Kosovës.Kam nderin e veçantë që sot t’i drejtohem Kuvendit dhe, përmes këtij forumi të lartë, juve qytetarë të dashur të Kosovës, me një fjalë për gjendjen e përgjithshme në vend dhe për synimet strategjike të vendit tonë, sidomos për çështje që lidhen me fushëveprimtarinë e Presidentit.17 shkurti i 2008-shit do të hyjë në historinë e Kosovës e të botës si dita e pavarësisë së vendit tonë. Tash, dy muaj pas, mbasi që kemi kryer punët që lidhen me institucionalizimin ligjor të pavarësisë, në radhë të parë me miratimin e Kushtetutës së Republikës në fillim të këtij muaji, mund të themi se Kosova është shtet që ka lindur mbarë. Republikën e Kosovës e shpallëm pas një procesi të gjatë ndërkombëtar për përcaktimin e statusit, në pajtim me vullnetin e shumicës së popullit të Kosovës, në përputhje me rekomandimet e Emisarit Ndërkombëtar të Statusit, Presidentit Marti Ahtisari, në koordinimim me miqtë dhe aleatët e Kosovës, në radhë të parë me Unionin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Republika e Kosovës është përqafuar gjerësisht nga bota demokratike. Pavarësia jonë është njohur nga 37 vende, duke përfshirë edhe 7 nga 8 vendet e G 8-shit. Vendi ynë pret njohje nga shumë vende të tjera. Kjo siguron bazën e rëndësishme për të mbështetur inkuadrimin tonë në sistemin ndërkombëtar. Integrimi ynë në strukturat euroatlantike është prioritet mbi të gjithë të tjerët. Për të hyrë në BE dhe në NATO na duhet njohja e të gjitha vendeve anëtare të këtyre institucioneve dhe plotësimi i kritereve për anëtarësim në të dyja organizatat. Kjo merr kohë, por është pikë synimi me rëndësinë jetike për ekzistencën tonë.Me dekada, breza të tërë veprimtarësh shqiptarë punuan për ta zgjidhur çështjen e Kosovës. Ishin këto përkushtime e sakrifica të pandërprera dhe më sublime të mundshme. Personalitete të shumta përgjatë dekadave u pushkatuan apo vuajtën në burgje të rënda dhe afatgjata.Projekti i pavarësisë së Kosovës si zgjidhje për çështjen e Kosovës u maturua në 18 vjetët e shkuara, para se të kurorëzohej me Deklaratën e Pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008 Ideja është e para, thoshte Platoni, filozofi i shtetit ideal. Ideja e shtetit të pavarur të Kosovës ka lindur, është kultivuar dhe është ndërtuar gjatë rezistencës së përgjithshme politike e institucionale të udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova në dekadën e fundit të shekullit të kaluar. Komplementare me këtë ide, pjesë e saj dhe e luftës politike ka qenë lufta e armatosur e UÇK-së në fund të shekullit, që lidhet me komandantin Adem Jashari e shumë luftëtarë të lirisë anekënd Kosovës. Nëntë vjetët e rezistencës politiko-ushtarake (1990-1999) dhe nëntë vjetët e rimëkëmbjes fillestare të vendit tonë në rrethana të lirisë (1999-2008) kanë krijuar Republikën e Kosovës që e kemi sot. Në pranverën e vitit 1999, aleanca veriatlantike NATO, lidhja më e fuqishme politiko-ushtarake në historinë e njerëzimit, u vu në mbrojtje të vlerave humane – kundër barbarisë dhe përpjekjes për shfarosje të popullit të Kosovës. Populli i Kosovës do të jetë përherë mirënjohës për këtë ndërhyrje që i dha fund barbarisë dhe solli paqen në vendin tonë dhe në rajon. Kjo ishte luftë në shërbim të paqes. Kjo ishte një luftë për lirinë njerëzore si vlerë fundamentale, por edhe për shpëtimin e një populli të tërë.Të nderuar deputetë, Të dashur qytetarë të Kosovës,Shfrytëzojmë rastin që në emrin e shtetit të Kosovës t’u shprehim mirënjohjen më të tellë të gjithë atyre që derdhën gjak e djersë e dije për pavarësinë e Kosovës. Një nderim të veçantë meritojnë të gjitha legjislaturat dhe qeveritë e Kosovës të këtyre 18 vjetëve, organizimet politike e strukturimet vetanake shtetërore brenda vendit tonë, si dhe diaspora jonë e madhe, që kanë punuar me zell e këmbëngulje të pashembullt, por edhe sistem e disiplinë shembullore për shtetin tonë.Ju, deputetë të legjislaturës aktuale, sikur edhe ne, udhëheqësit më të lartë të vendit, kemi pasur fatin historik të firmosim pavarësinë e Kosovës, të krijuar dhe të ndërtuar nga dhjetëra mijëra, qindra-mijëra njerëz të mirë të Kosovës, heronj të kënduar e të pakënduar, shqiptarë dhe pjesëtarë të komuniteteve pakicë. Republika e Kosovës është atdheu ynë: i të gjithëve pa dallim.Kosova ka bërë vendin e vet në hartën politike të botës dhe don të rrethohet me fqinjë miqësorë. Ne duam të kultivojmë marrëdhënie të mira e miqësore me të gjitha vendet, në radhë të parë me fqinjët tanë të parë: me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë, me vendet e rajonit e të Evropës, ku ne bëjmë pjesë gjeografikisht e kulturalisht. Kosova është njohur në të vërtetë nga vende nga të gjitha kontinentet e botës dhe kjo na gëzon pa masë.Tash, që jemi shtet i pavarur dhe sovran, kemi mundësinë ta drejtojmë Kosovën në rrugën e zhvillimit strategjik, që ka qenë i vështirë, nëse jo i pamundshëm, në gjendjen e statusit të papërcaktuar. Pasuritë natyrore dhe popullsia e re janë potenciale të zhvillimit të Kosovës në afat të gjatë. Zhvillimi i plotë i tyre bëhet i mundshëm tash që kemi një Qeveri sovrane, jo të përkohshme. Me Qeveri të përkohshme, me idenë e përkohësisë e të gjendjes pezull, nuk ka zhvillim të njëmendtë ekonomik e shoqëror. Këtë e vërteton historia jonë e dekadës së fundit, e rimëkëmbjes fillestare nga shkretimi fizik e shpirtëror që kishte sjellë okupimi dhe mizoria e agresionit të Serbisë.Rimëkëmbja e plotë, rilindja e vërtetë e Kosovës mundet dhe duhet të ndodhë duke vënë në lëvizje potencialet njerëzore, duke ndërtuar institucione demokratike e plotësisht funksionale, duke ndërtuar ekonomi dhe rrjet arsimor e shëndetësor të qëndrueshëm. Vlerësoj se për prosperitetin e vendit tonë shkalla prejt 3-4% e rritjes ekonomike për vit, siç mendohet se është aktualisht, është e pamjaftueshme. Na duhet dyfishimi i kësaj shkalle të rritjes në vitet e ardhshme. Shpresoj se Konferenca ndërkombëtare e Donatorëve për Kosovën, që do të mbahet pas disa muajsh, do të japë impulsin e parë për vitin e ardhshëm dhe tutje. Kapacitetet e Qeverisë sonë, e insitucioneve qendore dhe lokale të pushtetit, janë me rëndësi kapitale për optimalizimin e donacioneve që do të zotohen e jepen, duke i vënë në funksion të projekteve prioritare ekonomike e infrastukturore. Fushat strategjike ekonomike që kërkojnë vëmendjen dhe përkushtimin prioritar të shtetit tone janë energjetika dhe agrikultura. E para kërkon investime të mëdha, por nuk siguron punësim të madh; e dyta investim të konsiderueshëm për punësim të konsiderueshëm dhe ruajtje të balancit jetësor e social. Energjia siguron bazën për qëndrueshmëri ekonomike dhe sociale të vendit, ndërsa agrikultura komplementaritetin e zhvillimit ekonomik, që është neglizhuar në kohët e fundit. Kjo nuk do të thotë të lihen anash fushëveprimtaritë e tjera, që janë në interesin jetik për qytetarët e Kosovës. Regjistrimi i pritshëm i popullsisë dhe i ekonomive familjare të Kosovës do të sigurojë pasqyrë të plotë statistikore, kuantitative dhe kualitative, për drejtimet strategjike që duhet të marrë zhvillimi i Republikës së Kosovës.Duke pasur një popullsi të re, rimëkëmbja e sistemit arsimor bëhet për ne çështje me rëndësi thelbësore, që prek indin më të shëndoshë të qenies sonë. Shoqëri më të zhvilluara se, ndonëse me burime më pak të pasura natyrore, kanë dalë prej stagnimit në prosperitet duke vënë në jetë masa gjithëprfshirëse për arsimin, duke kthyer shkollimin cilësor në të gjitha nivelet në orientim strategjik nacional. Investimi këtu është afatgjatë. Ngjashëm edhe për sistemin shëndetësor, shumë i kushtueshëm sot kudo në botë. Punonjësit e arsimit dhe të shëndetësisë të Kosovës duhet të nxirren prej kategorisë së shërbyesve civilë, ku bien aktualisht, për të krijuar mundësinë e diversifikimit dhe të konkurrencës së shërbimeve në rrethana të ekonomisë së tregut. Këtu, gjithësesi, roli i shtetit është i pazëvendësueshëm si garantues dhe rregullator i sistemit, por assesi si frenues i iniciativës së lirë dhe kreative në emër të egalitetit që parasupozon për shumëkë nocioni i pjesëtarit të shërbimit civil, një nocion rudimentar sot për sot në vendin tonë. Është koha që të vihet rend në arsimin e lartë, duke aplikuar kritere të pranuara ndërkombëtare për akreditimin e institucioneve. Univeristetet nuk guxojnë të shndërrohen në biznese fitimprurëse. Ato duhet të gjenerojnë dije, jo para. Duhet të synohet cilësia, duhet të stimulohet dija e kërkimi në fushat me interes nacional dhe në shkencat fundamentale, edhe kur kjo nuk duket se është kërkesë e tregut të punës. Elitat në këto fusha duhet të ndihmohen prej shtetit. Me interes të veçantë është të mbështetet bashkëpunimi ndërmjet institucioneve universitare dhe shkencore të Kosovës me institucionet homologe në vendet Bashkimit Evropian dhe në SHBA. Kultura e kërkon gjithashtu gjithë kujdesin që mund t’i japë shteti ynë. Promovimi i kulturës materiale dhe shpirtërore të vendit tonë i ndihmon krijimit të identitetit vetanak dhe të dallueshëm të Kosovës.Të nderuar deputetë, Të dashur qytetarë të Republikës,Viti i kaluar dhe fillimi i këtij viti kanë shënuar përtëritjen demokratike që mundëson procesi zgjedhor. Zgjedhjet nacionale dhe lokale të nëntorit të vitit 2007 kanë sjellë rikonfigurim në skenën politike pas një procesi zgjedhor që është vlerësuar si demokratik. E meta më e madhe e këtyre zgjedhjeve pa dyshim është shkalla e daljes në zgjedhje. Kosova ka kaluar procese demokratike në ciklet e kaluara zgjedhore, që nuk e arsyetojnë trendin në rënie të pjesëmarrjes së zgjedhësve. Nëse dy demokraci të etabluara, Franca vitin e kaluar e Italia këto ditë, shënuan pjesëmarrje të daljes në votime mbi 80%, shkalla gati përgjysmë më e vogël e daljes në votime në Kosovë nuk mund të arsyetohet. Nuk duam të besojmë se jemi ngopur me demokraci, sa të përtojmë të dalim në votime në cikle të rregullta zgjedhore. Pavarësimi i Kosovës do ta bëjë të mundshëm profilizimin politik të skenës sonë, të partive politike, si organizma të rëndësishëm të demokracisë. Opinioni kritik, por i baraspeshuar, i ditur e i përgjegjshëm, i përçuar ndër të tjera edhe nëpërmjet fuqisë së katërt pushtetore, siç konsiderohet media sot, është shumë i rëndësishëm për shëndetin e demokracisë sonë.Kur jemi te pushtetet – të tri pushtetet e para, legjislativi, ekzekutivi, dhe gjyqësori – Kushtetuta jonë e sapomiratuar siguron ndarje të qartë, gjë që siguron baraspeshimin e kontrolluar të sistemit pushtetor në tërësi, për të krijuar në fund të fundit një pushtet koheziv demokratik, jo autoritar. Në veçanti ky balans dhe bashkëpunim midis pushteteve duhet të sigurohet për të krijuar gamën e plotë të ligjeve në përputhje me standardet ndërkombëtare, si dhe kontrollin demokratik të ekzekutimit të politikave. Gjithashtu edhe për të siguruar sundimin efektiv të ligjit dhe për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët e vendit. Si President i vendit, që tashmë do të marrë kompetenca më thelbësore për një kryetar shteti, sidomos në fushat që janë atribute të ekzekutivit e të sovranitetit shtetëror, unë do të luaj rolin tim me gjithë fuqitë dhe dijen time. Së pari, siç jam zotuar e më takon ta bëj, do të jem në shërbim të unitetit demokratik të popullit të Republikës së Kosovës.Në fushën e politikës së jashtme të vendit, të cilën me Kushtetutë e udhëheq unë, prioritet të parë do ta kemi sigurimin e njohjes sa më të shpejtë dhe integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Në këtë fushë, rol të veçantë do të ketë Qeveria, gjegjësisht Ministria e Jashtme, që është tani në fazën e hershme të funksionalizimit. Do të krijojmë përfaqësim diplomatik në botë në përputhje me mundësitë dhe interesat jetike të Republikës së re të Kosovës. Do të ndërtojmë edhe shërbimin konsullar jashtë, për t’u shërbyer qytetarëve të huaj dhe diasporës sonë. Ky përfaqësim diplomatik në përgjithësi do të jetë fytyra ndërkombëtare e Kosovës, shumë e rëndësishme tash e në të ardhmen për promovim të interesave të vendit tonë jashtë.Fusha klasike e sovranitetit – siguria – për të cilën unë kam tani edhe rol kushtetues, do të kërkojë kujdesin e të gjithëve: të Presidentit e të Qeverisë në radhë të parë, por edhe të pranisë ndërkombëtare për një periudhë disavjeçare. Forca e Sigurisë e Kosovës do të ndërtohet mbi kriteret e NATO-s dhe me ndihmën e Aleancës. Ndërkohë, me kujdes e respekt do të trajtojmë TMK-në si forcë që ka luajtur rolin e vet të rëndësishëm në fushën e emergjencave civile. Do të forcohet policia e Kosovës për të marrë detyra të reja. Do të krijohet Agjencia e Inteligjencës e Kosovës. Unë këtu kam rol kushtetues, po ashtu, në bashkëpunim me Kryeministrin e vendit, rol që do ta ushtroj për të mirën e sigurisë së shtetit dhe të gjithë shtetasve tanë. Do të krijojmë shërbim të inteligjencës mbi kritere pastërtisht profesionale, të paanshëm politikisht, besnik ndaj shtetit dhe interesave të të gjithë qytetarëve tanë.Pavarësia jonë e mbikëqyrur në këtë periudhë mbështetet mbi premisën e një komponente të fuqishme të pranisë ndërkombëtare – misionit të EULEX-it, të udhëhequr nga Bashkmi Evropian, që do të ketë rol më shumë se mbikëqyrës në fusha të sigurisë e të ligjit. Ne do të bashkëpunojmë me këtë mision dhe me Përfaqësuesin Civil, prania e të cilëve në Kosovë buron nga Plani i Ahtisarit, duke u legjitimituar tutje edhe më fuqishëm nga ftesa që u kemi bërë ne, institucionet legjitime të Kosovës.Çmojmë lart pjekurinë politike të qytetarëve të Kosovës dhe kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për stabilitetin e vendit, punën dhe angazhimin profesional të institucioneve ndërkombëtare dhe vendëse të sigurisë, që me sukses po kapërcejnë sfidat dhe provokimet e herëpashershme që vijnë nga kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës.Gjyqësori i Kosovës është pushtet që pret të reformohet thellësisht në pajtim me nevojat e vendit tonë dhe standardet e fuqishme ndërkombëtare që kemi përqafuar për këtë fushë. Koha e re kërkon njerëz të rinj, profesionistë të dijshëm e të përkushtuar, jashtë ndikimeve politike apo tjetërfare nga jashtë. Unë si President do të luaj rolin që më takon për të siguruar bazat e kësaj reforme, për të krijuar një gjyqësor të pavarur, shtyllë të rëndësishme të shtetit ku sundon ligji, me barazi të të gjithëve para këtij ligji.Tash nuk ka, por do të ketë sundim të ligjit në gjithë territorin e Kosovës. Kosova do të jetë unike – territorialisht dhe funksionalisht -pavarësisht problemeve me të cilat ballafaqohemi sot nga strukturat paralele që sponsorizon Serbia në Kosovë, me qëllim që ta sfidojë rendin dhe ligjin e shtetit tonë dhe madje vetë ekzistencën e Republikës së pavarur të Kosovës. Për këtë punë kërkohet veprim i integruar i të gjithë lojtarëve – i Qeverisë së Kosovës, i Zyrës Ndërkombëtare Civile, i EULEX-it, por edhe i UNMIK-ut për kohën dhe mandatin që ka deri në tranzicionin e plotë të pushtetit tek institucionet e Kosovës.Me dhembje të vazhdueshme e themi se ende, familjet e më se dy mijë personave të pagjetur nuk kanë asnjë asnjë informacion për më të dashurit e tyre. Do të angazhohemi që sa më parë të ndriçohet fati i të pagjeturve, bashkë me presionin ndërkombëtar që duhet të bëhet mbi Serbinë për zbardhjen e kësaj çështjeje. Të nderuar deputetë,Të dashur qytetarë të Kosovës, Këto ditë ekziston një fushatë e madhe dhe përpjekje e Serbisë për mbajtje të zgjedhjeve që ka paralajmëruar për 11 maj. E kam thënë dhe po e përsëris këtu, para jush, deputetë e qytetarë të nderuar: Kosova nuk është dhe nuk mund të jetë bazë zgjedhore për krijimin e pushtetit të Serbisë në Kosovë. Kjo ka marrë fund një herë e mirë. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, i njohur ndërkombëtarisht. Me parimin e dyshtetësisë, serbët e Kosovës që duan të jenë edhe shtetas të Serbisë, mund të votojnë për pushtetin e Serbisë në Serbi. Prandaj, i thërrasim qytetarët e Kosovës të jenë akterë të rëndësishëm të jetës institucionale të Kosovës.Ju, përfaqësuesve dhe qytetarëve të komunitetit serb, shtetas të Kosovës, ju them atë që e kemi thënë edhe në raste të tjera ne udhëheqësit e Kosovës, udhëheqësit tuaj: Kosova është atdheu ynë i përbashkët, i të gjithëve pa dallim. Një pjesë e qytetarëve tanë e ka pasë marrë me drojë krijimin e Kosovës së pavarur, kryesisht si rezultat i indoktrinimit sistematik, të ndikimit dhe të presioneve që vijnë nga Serbia, nga elitat politike e kishtare atje. Këta dy muajt e parë kanë dëshmuar se droja ka qenë e pavend. Në Kosovë ka vend për të gjithë qytetarët e vet. Koha jonë është kohë e barazisë qytetare, jo e dominimit të askujt mbi askënd. Duhet të çmësohemi një herë e mirë me kulturën e dominimit të kohëve të shkuara. Liria e secilit është liria e të gjithëve në Kosovë.Për të ndërtuar një forum ku të shqyrtohen interesat e komuniteteve, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës është sanksionuar funksionimi i Këshillit Konsultativ për Komunitete, i cili do të funksionojë brenda Zyrës së Presidentit të Kosovës, nën kryesimin tim. Unë planifkoj që së shpejti të ndërtoj një bërthamë organizative të këtij Këshilli, ndërsa funksionalizimi i plotë i tij do të bëhet pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në shenjë respekti e kujdesi për shqetësimet legjitime që mund të kenë komunitetet, ne kemi pasë krijuar një Këshill të tillë edhe para se të sanksionohej me Kushtetutë, në kohën kur krijonim pakon e statusit me ndërmjetësimin ndërkombëtar.Të nderuar deputetë,Zonja e zotërinj,Mbasi kemi realizuar projektin më të madh kombëtar që ka një popull, ndërtimin e shtetit, ne kemi përpara sprova të mëdha, jo pak të vështira, por të realizueshme: ta bëjmë Kosovën shtet plotësisht funksional, të qëndrueshëm politikisht dhe ekonomikisht, të sigurt për të gjithë qytetarët, pjesëtar i komunitetit më të gjerë të kombeve të lira në Evropë e në botë. Në botë ka shtete më të mëdha e më të vogla, më të pasura e më të varfëra se ne, por ka vetëm një Kosovë: vend me histori të moçme, me shtresime identitetare e etnike që shkojnë përtej mileniumeve, me histori të paqes e të luftës, me një shpirt thellësisht demokratik dhe frymë të respektit e të pajtimit qytetar. Kjo është Kosova jonë, atdheu ynë, demokracia më e re në botë, shteti i 193-të që pret të hyjë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Republika e Kosovës është nisur në rrugën e gjatë të rimëkëmbjes së përgjithshme të vendit tonë. Kështu, me vlerat tona dhe fuqinë tonë ekonomike e shpirtërore, me identitetin tonë të veçantë, do të takohemi me botën, me fqinjtë tanë të afërm e të largët, me kontinentin tonë, me botën. Ushqyer me vlerat e lirisë, të demokracisë e të pavarësisë, të respektit për të veçantat e secilit dhe për diversitetet në mes kombesh, ne, populli dhe institucionet e Kosovës, u ofrojmë përqafimin atyre që ushqehen me këto vlera. Krejt në fund, u falëminderit vendeve të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sikur edhe vendeve të tjera që kanë njohur Republikën e Kosovës dhe atyre që kanë shprehur gatishmërinë ta përqafojnë shtetin e ri në familjen e kombeve të lira të botës.Një falënderim i veçantë për ndihmën e madhe që po japin institucionet e pranisë ndërkombëtare në Kosovë – UNMIK-u, EULEX-u dhe KFOR-i.Ju faleminderit!Presidenti i Republikës së KosovësDr. Fatmir Sejdiu