presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala përshëndetëse e Presidentes së Republikës së Kosovës zonjës Atifete Jahjaga me rastin e prezantimit të planit strategjik 2015-2018 të Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës

Në pamundësi për të qenë prezente, me kënaqësi të veçantë ju drejtohem për të shprehur mbështetjen time të pakursyer ndaj misionit që udhëheq Rrjetin e Grupeve të Grave të Kosovës që prej themelimit të saj.

Të nderuara pjesëmarrëse,

Në pamundësi për të qenë prezente, me kënaqësi të veçantë ju drejtohem për të shprehur mbështetjen time të pakursyer ndaj misionit që udhëheq Rrjetin e Grupeve të Grave të Kosovës që prej themelimit të saj.

Kam pasur kënaqësinë të bashkëpunojë me rrjetin ndër vite dhe kam parë nga afër vizionin, përkushtimin dhe gatishmërinë e drejtoreshës ekzekutive znj. Igballe Rogova, anëtarëve të bordit dhe organizatave anëtare të saj, për të kontribuar në formimin e një shoqërie, ku pozita e gruas është e barabartë më atë të burrit dhe në ndërtimin e shtetit gjithëpërfshirës ku të drejtat dhe liritë e secilit qytetar janë të garantuara.

Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës ka dhënë një kontribut të çmuar në adresimin e nevojës së pjesëmarrjes më të gjërë të gruas në çdo fushë të jetës, në fuqizimin dhe emancipimin e saj, në thyrjen e tabuve shoqërore për rolin tradicional të gruas dhe në ndërtimin e një realiteti shoqëror ku avancimi i tërësishëm i shoqërisë është i lidhur drejtpërdrejtë me kontributin dhe pjesëmarrjen aktive të gruas në të.

Rrjeti është shëndrruar në zërin dhe partnerin më besnik të grave dhe vajzave në çdo cepë të vendit duke ju ofruar atyre mundësi për një jetë më të mirë, një jetë më prosperuese për to dhe familjet e tyre.

Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës është pasqyrim i gruas së emancipuar në shoqërinë tonë, shembull dhe inspirim për gjeneratat e reja.

Te dashura Mike,

Së bashku kemi arritur të ndërtojmë një infrastrukturë ligjore sipas konventave më të larta ndërkombëtare që garantojnë respektimin e të drejtave të grave dhe vajzave në shoqërinë tonë, kemi shënuar progres të konsiderueshëm por kemi ende rrugë për të bërë për të garantuar që gratë dhe vajzat zënë vendin e tyre të merituar në shoqëri.

Ne duhet të sigurohemi që zëri i secilës grua të dëgjohet, duhet të sigurohemi se të drejtat e secilës grua të respektohet.

Në këtë drejtim, dëshiroj të theksoj rolin e rëndësishëm të Rrjetit për të adresuar një temë që cilësohej deri vonë tabu, rehabilitim i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Te Rrjeti unë gjeta partnerin dhe mbështetesin e fuqishëm për punën e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, për të adresuar si shoqëri dhe institucione, një kategori të viktimave civile të luftës, të cilat për 15 vite me rradhë rrinin të struktura nën hijen e stigmës të mveshur padrejtësisht mbi to.

E kam thënë dhe e besoj fuqishëm se në këtë mes nuk ka NE dhe ATO, jemi NE dhe jemi NJË.
Jam e bindur që në këtë rrugëtim Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës do të vazhdoj të luaj një rol të rëndësishëm, duke u siguruar që zëri i gjysmës së shoqërisë sonë do të dëgjohet dhe do të përfaqësohet në zhvillimin e komunitetit, të shoqërisë dhe të tërë vendit.

Vendosmëria jonë drejt qëllimit përfundimtar për t’i dhënë fund rrethit vicioz të varfërisë dhe të varshmërisë në të cilin gratë dhe vajzat e gjejnë veten brez pas brezi, mbetet e palëkundur.
Ne po dëshmojmë se jemi bartëse të proceseve më të rëndësishme për vendin: jemi fuqi e pandarë e zhvillimeve demokratike në Kosovë dhe jemi shtyllë e fortë e shtetndërtimit. Ne jemi pjesë e barabartë e lirisë së vendit dhe pjesëmarrëse aktive në ndërtimin e të ardhmes më të mirë të tij. Shembja e barrierave gjinore do të avancojë proceset në vend duke e demokratizuar atë. Prandaj fuqizimi i gruas është fuqizim i shoqërisë.   

Ndërsa ju e shpalosni planin strategjik për vitet në vijim, nuk më mbetet tjetër veçse t’ju përgëzoj për të arriturat tuaja dhe t’ju uroj suksese në rrugëtimin tuaj në të ardhmen. Në përmbushjen e misionit tuaj do të keni mbështetjen time të parezervë.

Dhe krejt në fund dëshiroj t’ju lë me një thënie të mikes time dhe mikes
së madhe të popullit të Kosovës Sekretarës së Shteteve të Bashkuara të
Amerikës Sekretares Clinton, se të drejtat e njeriut janë të drejtat e
grave dhe të drejtat e grave janë të drejtat të njeriut – Një herë e
përgjithmonë.

Ju faleminderit dhe suksese!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.