Në Prishtinë, sot i filloi punimet Samitin Ndërkombëtar i Gruas “Partneriteti për Ndryshim-Fuqizimi i Gruas”.
Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm mysafirë të shumtë, përfaqësues të shteteve të ndryshme të botës, të institucioneve ndërkombëtare, përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, ambasadorë të akredituar në vendin tonë e pjesëmarrës të tjerë.
Konferencën e shpalli të hapur Presidentja Atifete Jahjaga, ndërsa pjesëmarrësve iu drejtuan edhe ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, si dhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli.
Ndërsa, me një video linjë, konferencën e përshëndeti Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hilari Klinton.
Po ju sjellim në vijim fjalën e plotë të Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga:
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra, deputetë të vendeve të cilët e kanë nderuar këtë samit me pjesëmarrjen e tyre,
Të dashur miq,
Zonja dhe zotërinj,
Kam nderin dhe kënaqësinë që zyrtarisht t’ju uroj mirëseardhje në Prishtinë.
Si Presidente e Republikës së Kosovës kam nderin që të shpall të hapur punimet e samitit ndërkombëtar të gruas “Partneriteti për paqe-Fuqizimi i Gruas.”
Kemi nderin që ta kemi këtu mes nesh ish-Sekretaren e Shtetit te SHBA-ve, Zonjën Madeleine Albright, një grua e cila ia dedikoi pjesën më të madhe të jetës së saj shërbimit publik, një mike e vërtetë e të gjithë qytetarëve të Kosovës – një person i cili ishte pjesë integrale e procesit të ndërtimit të shtetit tonë e po ashtu edhe pjesë e paqes dhe stabilitetit në botë gjatë viteve të cilat i kaloi në diplomaci.
Sonte në mesin tonë e kemi edhe Zonjën Melanne Verveer, Ambasadore e plotfuqishme e Shteteve të Bashkuara për çështjet globale të grave, e cila avokon dhe mobilizon përkrahje në përmasa globale për avancimin dhe qasjen e barabartë të grave, dhe e cila ka treguar interesim ë posaçëm për t’i përkrahur gratë në Evropën Juglindore në përpjekjet e tyre për të bashkëpunuar dhe krijuar partneritete afatgjate që do të përmirësonin pozitën e tyre ne mbarë rajonin.
Me ne është po ashtu edhe Kongresistja Jane Harman nga Qendra Woodrow Wilson. Kontributi i saj në projektin “Gratë në shërbim publik” dhe në synimin e iniciativës të rris numrin e grave në pozita udhëheqëse në 50 për qind deri në vitin 2050 është jetik.
Po ashtu me ne është edhe Zonja Pusic, Ministre e Punëve të Jashtme të Kroacisë, e cila udhëhoqi me sukses rrugëtimin e vendit të saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Me ne sonte është edhe Zonja Jozefina Topalli, kryetare e Parlamentit te Shqipërisë, e cila ka kontribuuar në zhvillimet demokratike të shtetit të saj.
Kemi nderin që mes nesh ta kemi ish-Kryeministren e Kanadasë, gruan e parë kryeministre të këtij shteti, gruan e parë që zuri postin e Ministres së Drejtësisë dhe Kryeprokurores së shtetit, gruan e parë Ministre të Mbrojtjes dhe gruan e parë e cila u zgjodh udhëheqëse e Partisë Konservative Progresiste të Kanadasë.
Po ashtu, mes nesh janë edhe shumë gra të tjera nga vendet të afërta si Brukseli e deri te ato që kontribuojnë në ndryshime pozitive në vende më të largëta si Abu Dhabi.
Çfarë kanë të përbashkët të gjitha këto gra? Ato janë të gjitha inovatore.
Në ditët në vijim do të na bashkëngjiten disa nga gratë më inspiruese nga mbarë bota, lidershipi i të cilave është shembull jo vetëm për përfaqësimin e grave, por po ashtu edhe për paqe dhe zhvillim në komunitetet e tyre dhe në tërë botën. Ne do të mundohemi të krijojmë partneritete të reja dhe të këmbejmë ide të cilat do ta përmirësojnë pozitën e grave në shoqëri dhe ngritin shkallën e demokracisë.
Kam pasur nderin që t’ju ftoj të gjithë ju në këtë samit, sepse nëpërmjet punës suaj, përkushtimit dhe qasjes suaj inovative ju keni dëshmuar atë lloj ndryshimi, vizioni dhe lidershipi i cili është më se i nevojshëm në këtë moment. Moment ky kur kemi nevojë për më shumë barazi, më shumë mundësi, më shumë qasje të qëndrueshme në burime dhe politika më të balancuara. Moment kur kemi nevojë për më shumë ndikim në sferën publike, përfaqësim më të madh politik, mundësi më të mëdha për sigurimin e kushteve jetësore për familjet tona dhe rol më të madh në vendosjen dhe mirëmbajtjen e themeleve të një shteti të së drejtës.
Të gjitha kemi origjinë të ndryshme, përkatësi të ndryshme etnike dhe kombëtare, përvoja të ndryshme dhe jetojmë në pikat të ndryshme të botës. Por jemi mbledhur këtu në Prishtinë që të punojmë bashkërisht në mënyrë që t’i gjejmë përgjigjet dhe zgjidhje për çështjet e rëndësishme të rajonit dhe botës
Dëshirojmë të falënderojmë Agjencinë e SHBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID dhe NDI që e bënë organizimin e këtij samiti realitet dhe që na bashkuan. Dëshiroj t’i falënderoj pjesëmarrësit për përkushtimin dhe vullnetin që bashkërisht të këmbejmë ide dhe të krijojmë ndryshimin për të cilin kemi nevojë në Evropën Juglindore.
Të nderuar pjesëmarrës,
Disa nga ju kanë kaluar nëpër lufta dhe jeni shtylla për familjet tuaja dhe forca të pajtimit në mes të komuniteteve.
Disa nga ju kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme, duke shtyrë në mënyrë të palodhshme përpara reformat dhe demokratizimin e partive politike që të mundësohet prezantimi i barabartë në fletëvotim.
Disa nga ju kanë ndërtuar strehimore për viktimat e dhunës në familje dhe janë munduar që ta edukojnë shoqërinë që të dënojë ato vepra të shëmtuara.
Gratë, si Sekretarja Clinton dhe Sekretarja Albright e kanë përdorur ndikimin e tyre dhe diplomacinë që t’i ndalojnë vuajtjet njerëzore dhe ta bëjnë paqen si pjesë normale të jetës, dhe që t’i inkuadrojnë gratë në proceset vendimmarrëse në komunitetet dhe vendet e tyre.
Ju dy gra lidere, pranoni falënderimet tona të sinqerta. Ju faleminderit për gjithë kontributin tuaj. Ju jeni një inspirim për ne.
Pavarësisht prejardhjes tonë, rrugëtimit tonë deri në arritjen në pozitë udhëheqëse në politikë, përpjekjeve tona që të themelojmë biznese apo të kyçemi në avokim e të sillemi me parimet më të larta etike dhe të jemi shembull se si një person duhet të sillet kur vishet me petkun e autoritetit publik, ne jemi të bashkuara në misionin tonë: të fuqizojmë gratë që të bëhen zot i vetvetes.
Ngase kemi parë sa e sa herë se asnjë familje, shtëpi, shoqëri, shtet apo rajon nuk është i sigurt nëse gratë nuk ndihen të sigurta.
Kemi qenë dëshmitarë se zhvillimi dhe progresi varen nga e drejta dhe aftësia e secilit individ që të shfrytëzojë potencialin e plotë.
Gratë përbëjnë 50% të popullatës dhe pa to si partnere të barabarta ne nuk mund të flasim për prosperitet. Nuk mund të flasim për shoqëri të lire. Nuk mund ta çojmë dëm njërin nga pasuritë tona më të shtrenjta.
Ne jo vetëm që i kemi identifikuar sfidat; ne i kemi hulumtuar mënyrat se si t’i konfrontojmë problemet dhe t’i heqim pengesat. Me besim të plotë mund të them se për shkak të vendosmërisë sonë të përbashkët në kemi bërë një hap gjigant përpara. Sot jemi në pozitë shumë më të mirë se dje.
Por kjo nuk do të thotë se kemi mbaruar punë dhe se nuk kemi më sfida.
Gjatë këtij viti jam takuar me shumë prej jush, derisa i kemi ndarë brengat tona në lidhje me politikat e pabarabarta të shteteve në zhvillim, apo të shteteve në tranzicion nga e mbarë bota. Natyrisht, përvoja e secilit shtet me përfaqësimin politik të gruas, fuqizimin ekonomik dhe rolin e saj në siguri ndryshon.
Në rajonin tonë, për shembull, ne kemi rritur mesataren e përfaqësimit të gruas në nivel qendror. Në Evropën Juglindore gratë janë deputete, kryeparlamentare, ministre të integrimeve evropiane, ministre të tregtisë dhe të punëve të brendshme.
Siç do ta dëshmojnë edhe vet këto gra nga Evropa Juglindore në ditët në vijim, ato i kanë tejkaluar vijat partiake dhe ideologjitë e ngurta për të bashkëpunuar në favor të politikave më të balancuara që përkojnë me nevojat e shteteve në tranzicion. Ato e kuptojnë nevojën për rrugë më të mira, pa i harruar nevojat për më shumë spitale, kopshte fëmijësh dhe shkolla. Ato i kanë thyer paragjykimet se thjesht po plotësojnë kuotën dhe janë bërë pjesë integrale në procesin e vendim-marrjes.
Përderisa ne i duartrokasim këtij trendi pozitiv në qeverisjen qendrore, shpresojmë të kuptojmë se pse ato kanë përfaqësim të rrallë në zyrat ekzekutive të nivelit lokal, dhe cilat janë disa nga pengesat që e pengojnë pjesëmarrjen e gruas ne jetën publike. Në Kosovë, asnjë grua nuk është në pozitën e kryebashkiakes, dhe 70 për qind të grave të papunësuara jetojnë në vendet rurale.
Heqja e pengesave të mbetura është jetike për të ardhmen e rajonit dhe për integrimin në Bashkimin Evropian. Por, po ashtu do të kontribuojë në ngritje e shkallës së demokracisë, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon. Ne do ta dëgjojmë prej grave të cilat i kanë tejkaluar këto pengesa në shoqëritë e tyre dhe ato do të bëhen drita jonë udhëzuese në kërkim të zgjidhjeve për probleme të ngjashme.
Sikurse disa prej jush tashmë e keni cekur, ne nuk do të kemi demokraci të plotë përderisa gratë të mos jenë pjesëmarrëse të barabarta. Ne nuk mund të flasim për qëndrueshmëri dhe prosperitet nëse gjysma e popullsisë vazhdimisht është e dekurajuar-me mungesë të mundësive për arsimim dhe diskriminim në paga.
Siç thotë Sekretarja Clinton, kjo është epoka e inkuadrimit dhe e integrimit, “ku secili individ e ka mundësinë që të bëhet kontribuues dhe anëtar i vlefshëm i tregut global”. Ja pse përkushtimi konkret i Projektit Gratë në Shërbime Publike i lansuar nga sekretarja Clinton për ta rritur numrin e grave në pozita të vendimmarrjes në 50% deri në vitin 2050 është shumë i rëndësishëm. Sepse do te rezultojë në politika të balancuara dhe do të sjellë më shumë stabilitet dhe prosperitet komuniteteve dhe shteteve tona.
Është një rrugëtim që ne e kemi bërë; dhe prej këtu e tutje do të shkojmë vetëm përpara. Nuk ka kthim mbrapa.
Ne duhet te kemi pjesëmarrje të plotë dhe të barabartë jo vetëm në politikë si përfaqësuese të zgjedhura, por edhe si sipërmarrëse që do të kontribuojnë në ekonominë e shtetit përmes zotësisë së tyre dhe duke krijuar sa më shumë vende të punës dhe mundësi për investime.
Në Kosovë, gratë pronësojnë vetëm 1% të pronave, që po ashtu është edhe mesatare globale. Pronësia prodhon stabilitet ekonomik prandaj 1 përqindëshi nuk është i mjaftueshëm. Përderisa ligjet garantojnë barazinë gjinore, traditat në rajonin tonë nuk janë çdoherë konform me ligjet. Si rezultat, gratë nuk mund ta marrin kapitalin fillestar për ta siguruar kredi bankare, pa të cilën ato nuk mund të përfshihen seriozisht në biznes. Zakonisht janë të detyruara të jetojnë në varfëri dhe në varësi ekonomike.
Pa zë , pa pjesëmarrje.
Kjo, miqtë e mi, duhet të ndryshojë!
Për të kthyer dinjitetin dhe për t’i ndihmuar gratë ta zënë vendin e merituar në shoqëri, na duhet legjislacion më adekuat – shkollim i mesëm i detyrueshëm për vajzat, për shembull – por, mbi të gjitha, implementimin më të mirë të ligjeve me ndjesi gjinore.
Në të gjitha këto çështje ne kemi nevojë për një legjislacion më të mirë, praktika më të mira, dhe implementim më të mirë.
Por mbi të gjitha, ne kemi nevojë për krijimin e një mase kritike për një transformim kulturor. Ne kemi nevojë për një platformë dhe përkushtim të përbashkët për t’i realizuar këto reforma në vendet. Ne kemi nevojë që të bëhemi shembulli të cilin e gjithë bota do ta shohë. Ne duhet të tregojmë kurajën që ka ndryshuar thellësisht shoqëritë tona. Dhe mbi të gjitha, ne duhet të tregojmë solidaritet dhe unitet.
Në tri ditët në vijim ne do të bashkëpunojmë së bashku, të shkëmbejmë ide dhe të gjejmë zgjidhje.
Të nderuar miq,
Pasi që jemi mbledhur këtu për të shkëmbyer përvoja, për të identifikuar praktikat më të mira dhe të gjetur zgjidhje për problemet tona të përbashkëta, ne u jemi mirënjohës gjeneratave të tëra të grave në këtë rajon, sakrifica e të cilave për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, duhet gjithnjë të përkujtohet. Ato gra shërbejnë si inspirim për të gjithë ne përballë ndryshimeve pozitive që po përfshijnë të gjithë rajonin.
Ky ndryshim bartet nga ju, agjentët e ndryshimit.
Pas luftërave që kanë kapluar shtetet tona dhe kanë lëkundur strukturat e komuniteteve tuaja, ju i keni shpëtuar familjet tuaja.
Ju keni gjetur forcën për t’u rimëkëmbur, për t’i mbledhur pjesët e thyera dhe për të vazhduar përpara.