presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e presidentit Thaçi në konferencën për media

Të nderuar media, Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, Më lejoni të iu falënderoj për praninë tuaj edhe sot në këtë konferencë. Ashtu siç e kam bërë të qartë, qëllimi i vetëm i këtij komunikimi të përbashkët, është rritja e transparencës dhe dërgimi i mesazheve të sakta tek qytetarët tanë, lidhur me çështjet dhe zhvillimet më të rëndësishme në vendin tonë, duke veçuar debatin publik dhe institucional për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë.Në këtë drejtim, me lejoni të theksoj se përkundër keqinterpretimeve, keqkuptimeve të qëllimshme apo të paqëllimshme, deklaratave racionale apo joracionale, skenarëve apo opinioneve të mundshme dhe të pamundshme, unë e konsideroj si të dobishëm shumë debatin publik dhe institucional lidhur me procesin më të rëndësishëm për Kosovën, respektivisht procesin e dialogut për normalizim, pajtim dhe njohje reciproke mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.Them kështu, sepse vetëm duke debatuar hapur, duke analizuar me kujdes të gjitha opsionet e mundshme, duke shkuar edhe më larg dhe duke marrë guximin të diskutojmë hapur edhe për tema apo opsione, të cilat, mbase deri më sot janë konsideruar si tema ‘tabu’, ne bashkërisht ndoshta do të arrijmë të gjejmë një zgjidhje në fund të këtij procesi, e cila patjetër që duhet të jetë në përputhje me interesin e plotë shtetëror tonin.Më lejoni të theksoj se Kosova i ka institucionet e veta shtetërore, të cilat duhet t’i përmbushin obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore, duke përfshirë mbarëvajtjen dhe procesin e dialogut.Parlamenti i Republikës së Kosovës është institucioni kryesor mbikëqyrës që e ka dhe do ta ketë fjalën e vet përfundimtare për ratifikim apo mos ratifikimin e një marrëveshjeje eventuale, e cila do të mund të rezultojë në fund të këtij procesi.Unë e kam theksuar disa herë, që procesi i dialogut me Serbinë dhe mundësitë e arritjes së një marrëveshje përfundimtare për normalizim, njohje reciproke dhe pajtim, janë shumë të vogla.Mirëpo, ne duhet të bëjmë përpjekje maksimale që të shfrytëzojmë çdo mundësi apo të gjitha mundësitë edhe më të vogla, këtë hapësirë të vogël, dhe ndoshta në fund të arrijmë një marrëveshje historike, definitive  në mënyrë paqësore nëpërmjet dialogut.Dua të theksoj, dialogu ka vetëm një qëllim thelbësor: arritjen e marrëveshjes ndër-shtetërore për normalizim, njohje reciproke dhe pajtim, në mënyrë paqësore.Prandaj, të gjithë ata akterë që janë të përfshirë në këtë proces dhe debat publik, do t’i ftoja që kur të flasin për këtë proces ta theksojnë faktin se marrëveshje mund të ketë vetëm nëpërmjet dialogut.Marrëveshja do të mund të arrihet vetëm nëpërmjet mirëkuptimit reciprok dhe në mënyrë paqësore, por kurrsesi dhe në asnjë rrethanë, me kërcënime lufte.Të nderuar përfaqësues të mediave;Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës; Parlamenti i Kosovës e mbylli këtë sesion pranveror me një debat të gjatë rreth procesit të dialogut.Fatkeqësisht, gjithë ato fjalime, disa racionale, disa të zjarrta dhe në të shumtën e rasteve krejt jashtë kontekstit, nuk nxorën asgjë konkrete.Në fund, debati përfundoi pa asnjë platformë, rezolutë apo qoftë edhe pajtim verbal i përbashkët lidhur me ecurinë e këtij procesi.Dallimet ndërmjet partive politike parlamentare lidhur me këtë proces dhe mbi të gjitha paaftësia për të ndërtuar konsensusin e gjerë, janë për keqardhje.Por sido që të jetë, unë ende shpresoj tek mençuria dhe guximi i liderëve të partive politike parlamentare për t’u bashkuar në qëllimin tonë të përbashkët, sepse nuk kemi kohë për të humbur.Ata që mendojnë se Kosovës nuk duhet t’i ngutet dhe nuk duhet ta merr seriozisht këtë proces, ata që mendojnë se koha punon në favorin tonë, do të thotë status-kuoja, janë krejtësisht të gabuar dhe nuk kanë idenë as më të vogël për zhvillimet dinamike që janë duke ndodhur në arenën ndërkombëtare.Disa ende harxhojnë energji duke diskutuar se a duhet të ndodhë faza përfundimtare e dialogut për normalizim e marrëdhënieve tani apo jo?Për çudi, ata me qëllim harrojnë faktin se dialogu për marrëveshje përfundimtare ka dy muaj që ka filluar dhe deri më tani janë zhvilluar dy takime të rëndësishme të kësaj faze përfundimtare.Takimi i radhës do të mbahet në shtator, dhe dinamika e takimeve tjera do të rritet.Kosova duhet të vazhdojë të mbetet e përfshirë në këtë dialog në mënyrë të përgjegjshme dhe konstruktive.Secila palë, qoftë Kosova apo  Serbia, që për çfarë do arsye e refuzon dialogun, ose pretendon të tërhiqet njëanshëm nga ky proces, do të ballafaqohet me pasoja serioze në aspektin e integrimeve euro-atlantike.Ky fakt, është i mjaftueshëm për të hedhur poshtë teoritë e gabuara se gjoja Kosova mund të pengojë Serbinë apo është e aftë të pengojë Serbinë për anëtarësim në BE, në rast se largohet nga dialogu.Në një rast të tillë të veprimeve të pamatura, BE-ja si ndërmjetësues dhe udhëheqës i këtij procesi, por edhe SHBA-të dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë, do të identifikonin Kosovën si të paaftë dhe fajtore për ikjen nga dialogu dhe dështimin e arritjes së marrëveshjes eventuale përfundimtare për normalizim ndërshtetëror Kosovë-Serbi.Si pasojë, të gjithë e dimë se BE-ja nuk do të hezitonte fare, që për shkak të mungesës së gatishmërisë së Kosovës për dialog dhe marrëveshje, t’ia mundësoj Serbisë ecjen përpara drejt anëtarësimit në BE.Ndërsa Kosova, do të rrezikonte që për shkak të veprimeve të tilla, ta humbiste përkrahjen e BE-së dhe atë të partnerëve tjerë ndërkombëtarë, duke mbetur e izoluar dhe e pashpresë për realizimin e aspiratave tona për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB.Prandaj, të gjithë duhet ta kenë të qartë se Kosova vetëm me qasje konstruktive, participuese mund të fitojë mbështetje nga BE-ja dhe faktori ndërkombëtar.Në tri dekadat e fundit të gjithë ata që kanë bojkotuar apo kanë refuzuar dialog janë ndarë humbës. Kosova është përfshirë, ka participuar në dialog dhe ka fituar. Ndërsa, deklaratat e pamatura se Kosova ka potencial për ta penguar anëtarësimin e Serbisë në BE, janë tepër naive.Fatkeqësisht, individë nga udhëheqja politike kanë dëshmuar mjaft shpesh se kanë potencial të mjaftueshëm negativ për të penguar dhe izoluar vetë Kosovën në proceset e saja integruese euro-atlantike, por jo ndonjë shtet tjetër.Si do që të jetë, Parlamenti i Republikës së Kosovës mbetet institucioni i vetëm shtetëror i përfaqësimit të interesave të të gjithë qytetarëve të vendit si dhe ratifikimit ose jo i marrëveshjes përfundimtare Kosovë – Serbi.Mirëpo, pyetja që shtrohet shumë shpesh është se: a është duke e kryer me sukses gjithmonë detyrën e tij kundrejt interesave të qytetarëve ato parti politike të përfaqësuara në Kuvend?Përgjigjen adekuate mund ta japin qytetarë e vendit, por unë mendoj se ka ardhur edhe koha që ne ta fuqizojmë edhe më tepër zërin dhe vullnetin në rolin vendimmarrës të qytetarëve të vendit tonë.Kemi mbushur 10 vite të funksionimit si shtet i pavarur dhe demokratik, dhe për arsye të njohura, deri më sot, jemi ndër shtetet e pakta demokratike që ende nuk kemi arritur të miratojmë legjislacionin e domosdoshëm për të fuqizuar rolin vendimmarrës të qytetarëve, konkretisht nuk e kemi ende të drejtën për të mbajtur referendum.Në shërbim të këtij qëllimi,  unë jam duke zhvilluar konsultimet e nevojshme ndër-institucionale por edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, që në një të ardhme të afërt, ne bashkërisht të pajtohemi për të proceduar me legjislacionin adekuat për të bërë të mundur që zëri dhe vullneti i qytetarëve në çështjet e rëndësisë vitale, të shprehet nëpërmjet referendumit.Sidomos, në rastin e arritjes së marrëveshjes eventuale paqësore për normalizim, pajtim dhe njohje reciproke Kosovë – Serbi, e konsideroj si të domosdoshëm deklarimin e vullnetit të qytetarëve nëpërmjet vullnetit të tyre, përmes referendumit.Qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të jenë në gjendje që të bëhen vetë vendimmarrës në këtë proces kaq të rëndësishëm dhe historik, sidomos tani kur jemi dëshmitarë të divergjencave të theksuara ndërmjet spektrit politik për dialogun dhe marrëveshjen eventuale përfundimtare ndërshtetërore Kosovë-Serbi.Pikërisht egot e tilla personale apo grupore, apo politike kanë bërë që ne të vonohemi edhe për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, tash e katër vite nga mundësia kur na është dhënë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe nga NATO. Sikur të kishim mekanizmin e referendumit jam i bindur se askush nuk do ta kishte atë mundësi për të penguar për interesa elektorale, populiste, ditore themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Sikur të shprehej kjo e drejtë përmes qytetarëve të Kosovës, jam i bindur se në mënyrë masive do të votonin në favor të themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës, dhe sot Kosova do të ishte pjesë e partneritetit për paqe, dhe në rrugëtim të sigurt dhe të afërt për t’u anëtarësuar në NATO.Gjithashtu, jam i sigurt se sikur qytetarët e Republikës së Kosovës të kishin të drejtën për t’u deklaruar përmes referendumit edhe sa i përket çështjes së demarkacionit me Malin e Zi, nuk do të ndodhnin gjithë ato gjëra që kanë ndodhur dhe tash e tri vite qytetarët e Kosovës do të gëzonin të drejtën e liberalizimit të vizave, pra nuk do të mbeteshin peng i mund të them ndonjëherë vetove të panevojshme, kryeneqe, populiste të politikës ditore i ndonjë individi apo të ndonjë deputeti për interesa të caktuara politike, por që po vonojnë konsolidimin e shtetit të Kosovës. Pra, në këtë rast në asnjë rrethanë nuk guxojmë që të heshtim përballë gabimeve që kanë ndodhur për mos themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës apo të vonesës së votimit të demarkacionit. Në rastin e parë humbëm shansin për të themeluar Forcat e Armatosura të Kosovës qysh në pranverë të 2014, dhe në rastin e dytë u vonuam për liberalizim të vizave tri vite. Të nderuar përfaqësues të mediave,Qytetarë të Republikës së Kosovës,Procesi i dialogut dhe mundësia e arritjes së marrëveshjes përfundimtare paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk duhet ta frikësojë askënd apo të cilësohet si e rrezikshme. Përkundrazi, të gjithë akterët ndërkombëtarë janë të përfshirë në këtë proces më shumë se kurdo herë më parë, për t’i ndihmuar dy palët që të arrijnë marrëveshje.Si president i vendit, unë jam në krye të përgjegjësive të mia shtetërore, kushtetuese dhe ligjore në kuadër të këtij procesi, dhe pa asnjë hezitim, do t’i shkoj deri në fund në krye të këtyre përgjegjësive të mia. Mirëpo unë dua dhe kërkoj që të jemi sa më të bashkuar në këtë proces konsolidues të shtetit tonë dhe perspektiv euroatlantik.Prandaj, kam kërkuar dhe vazhdoj të kërkoj unitetin e partive politike parlamentare, jo për vete sepse unë kurrë nuk i kam ikur përgjegjësive të mia .Mirëpo, e kërkoj një gjë të tillë për të mbrojtur sa me mirë interesin shtetëror dhe për të legjitimuar kërkesat politike historike të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit për t’iu bashkuar Kosovës.Unë nuk po arrij ta kuptoj hezitimin në rastin më të mirë, ndërsa në rastin më të keq, refuzimin e individëve apo të ndonjë parti politike për t’iu bashkuar rreth kësaj kërkese dhe mundësie unike historike, për të riparuar sado pak gabimet që kanë ndodhur në të kaluarën në kurriz të shqiptarëve në komunën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Në funksion të realizimit të kësaj kërkese legjitime, që për mua paraqet një mundësi reale, unë publikisht kam thënë se Kosova duhet të jetë e gatshme ta marrë në konsideratë opsionin e demarkimit, korrigjimit të kufirit me Serbinë.E ritheksoj do të jenë dikund rreth 400 kilometra që do të ndodhë vërja e kufirit Kosovë-Serbi, pra korrigjim i kufirit mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Kushdo që e prezanton opinionin tjetër, le të jetë i bindur se Kosova herët a vonë do të ballafaqohet sikurse edhe Serbia me këtë realitet. Unë pres një mbështetje të fuqishme, dhe këshilla shumë profesionale edhe nga NATO në këtë drejtim.  Tani, institucionet shtetërore dhe të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë të qartë lidhur me kërkesën legjitime të përfaqësuesve politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, kërkesë të cilën e kanë institucionalizuar për bashkëngjitje me Kosovën.Përgjigjja e jonë ndaj kësaj kërkese, duhet të jetë e qartë dhe jo e mjegulluar apo e kamufluar me teori të tejkaluara konspirative.Shteti i Kosovës, institucionet tona, nuk guxojnë t’i mbyllin sytë, dhe ta injorojnë një mundësi të tillë historike të papërsëritshme. Duhet të bashkohemi dhe t’i themi po kësaj kërkese krejt racionale, të drejtë dhe historike, e cila ka mundësi të realizohet krejtësisht në mënyrë paqësore. Unë nuk mund të jem më i qartë dhe më i drejtpërdrejtë se kaq.Kjo mundësi e krijuar nuk do të jetë e hapur dhe e mundur përgjithmonë, këtë duhet ta kuptojmë të gjithë edhe në Prishtinë, por duhet edhe më gjerë. Në rast se humbet një momentum i tillë, atëherë kot do të derdhim lot krokodili më vonë të gjithë. Por, në çdo rast, unë i siguroj qytetarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit se deri në fund do të bëj përpjekje që vullneti i tyre politik të realizohet, vullneti i tyre politik dhe e drejta e tyre historike.Si President i Republikës së Kosovës, për asnjë moment nuk do të mbetem peng i tekave personale, grupore apo edhe partiake që sot hezitojnë të punojnë për realizimin e këtij qëllimi bashkërisht. Jam i vendosur që këtë betejë politike dhe historike, ta dërgoj deri në fund, i bindur se kjo është në përputhje me interesin shtetëror dhe atë qytetar. Kur flas për betejë, flas në raport me Serbinë. Prandaj, beteja zhvillohet në tavolinë, beteja zhvillohet në këtë dialog, në këto negociata dhe ata që përfaqësohen marrin përgjegjësitë, por edhe marrin kreditë. Fillimet e proceseve historike shqiptare. Të nderuar përfaqësues të mediave, Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, Fillimet e proceseve historike shqiptare gjithmonë kanë qenë të vështira, ndonjëherë i janë dukur dikujt edhe si ëndërr krejt të parealizueshme që nuk mund të shndërroheshin kurrë në realitet, por realiteti ka treguar diçka tjetër. Unë jam i sigurt se përgjatë këtyre përpjekjeve të përbashkëta politike në kuadër të dialogut paqësor, do të bashkëngjiten edhe ata që sot hapur me kritikojnë edhe mua dhe kauzën time për korrigjimin e kufirit me Serbinë në mënyrë paqësore, për t’iu mundësuar shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc realizimin e vullnetit të tyre politik, që fundja nënkupton realizimin e ëndrrës dhe përpjekjeve të tyre shekullore.Nuk dua të tingëllojë aspak pesimist, por më duhet ta theksoj për hir të opinionit publik, se në rast se dështoj duke e bërë këtë përpjekje historike, unë nuk do të jem i turpëruar se kam bërë përpjekje për ta korrigjuar ketë padrejtësi historike. Por, nuk mund ta them se fatin e njëjtë do ta kenë shumë të tjerë, të cilët pa asnjë argument qoftë politik, qoftë historik hezitojnë të radhiten në anën e së drejtës.Dhe në fund, për të hequr të gjitha dilemat, marrëveshja eventuale paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe në rast se e njëjta nënkupton korrigjim të kufijve në mënyrë paqësore, në asnjë rrethanë nuk nënkupton hapje të ashtuquajturës Kuti e Pandorës, apo efektit domino.Të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë të përfshirë në këtë proces, e përkrahin fuqishëm arritjen e marrëveshjes paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete sovrane.Por, duhet të jemi të qartë jetojmë në shekullin e 21, dhe shtetet e rajonit të cilat në shekullin e kaluar kanë përjetuar tmerrin e luftërave të përgjakshme, i kanë mësuar mësimet.Leksioni kryesor që shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë mësuar është zgjidhja e problemeve të hapura ndërshtetërore nëpërmjet dialogut dhe në mënyrë paqësore është rruga e vetme.Prandaj, në kuadër të këtij procesi të dialogut ndërshtetëror  Kosovë – Serbi e kemi mbështetjen e plotë nga faktori relevant ndërkombëtar vendimmarrës për të arritur marrëveshje paqësore, duke mos e përjashtuar në asnjë formë edhe opsionin e korrigjimit të kufijve.Unë e kuptoj reagimin e nxituar të individëve, reagimet e pamatura apo edhe të ndonjë partie politike lidhur me korrigjimin e kufirit si opsion përfundimtar paqësor.Mirëpo, ne nuk kemi mundësi tjetër për t’ia bashkangjitur Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin Kosovës, pa u pajtuar me Serbinë për korrigjimin e kufirit.Kush ka ide tjetër se si mund të ndodhë kjo, është i mirëseardhur për ta dëgjuar unë dhe do ta mbështesë në përpjekjen e tyre, por jo opsionin e luftës.Në rast se do të kemi sukses në këtë përpjekje, rasti i korrigjimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në asnjë rrethanë nuk paraqet precedent.Anë e kënd botës, kemi me dhjetëra raste të korrigjimit të kufirit në mënyrë paqësore.Një shembull i tillë relevant i korrigjimit të kufirit ndodhi vetëm dy vite me parë, madje edhe në mes të vendeve themeluese të Bashkimit Evropian, pra ndodhi para dy vitesh, në vitin 2016 ndërmjet Holandës dhe Belgjikës.Kjo është për ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare, individëve të caktuar që dhënë opinione të pabazuara.  Këto dy shtete arritën ta korrigjojnë kufirin e tyre në mënyrë paqësore pa pasur nevojë të shkrepin qoftë edhe një plumb të vetëm në mes veti, por shtrinë dorën e mirëkuptimit dhe pajtimit. Gjithashtu, ne e kemi parasysh se karakteri i shoqërive multi – etnike është vlerë thelbësore e çdo shteti demokratik. Për më tepër, është vlerë dhe parim fondamental i BE. Kosova dhe Serbia duan të bëhen anëtarë të BE-së. Prandaj, në çdo opsion, në rast se do të kemi marrëveshje përfundimtare, ne do të sigurohemi që kjo vlerë të ruhet dhe afirmohet.Ju faleminderit për vëmendjen tuaj.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.