DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

FJALA E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, DR. FATMIR SEJDIU, NË HAPJEN E PANAIRIT XI NDËRKOMBËTAR TË LIBRIT “PRISHTINA 2009

“I nderuar z. Nazmi Rrahmani, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Republikës së Kosovës,
Të nderuar poetë e prozatorë të Kosovës,
Miq të artit letrar e të dijes,
Zonja dhe zotërinj,
Me kënaqësi të veçantë e pranova ftesën e Kryetarit të Shoqatës së Botuesve të Republikës së Kosovës, shkrimtarit Nazmi Rrahmani, për të qenë bashkë me Ju sot, në këtë festë të librit, këtu në Prishtinë, në kryeqendrën e Republikës së pavarur të Kosovës.

“Është thënë sa e sa herë se libri është arma më e fuqishme e një kombi, se libri është drita e jetës, se një komb që rron pa libra, rron në verbëri? Ka sigurisht edhe shumë fjalë të tjera të urta, shumë sentenca e fjali që mund t?i citonim sot këtu para jush, në këtë akt solemn të hapjes së Panairit XI Ndërkombëtar të Librit “”Prishtina 2009″”, por fjalët e urta, vargjet e bukura dhe veprat e realizuar me shije e me stil të veçantë ju mund t?i gjeni pa mbarim në stendat e botuesve që marrin pjesë në këtë ngjarje të shënuar për librin dhe kulturën tonë në përgjithësi.
E pranova pa hezitim ftesën për të marrë pjesë në këtë akt solemn të hapjes së këtij panairi, duke e pasur në kujtesë se nëpër dyert e këtij panairi më parë kanë kaluar shumë emra me nam të kulturës sonë nacionale. Megjithatë, unë dua t?i përmend vetëm dy, por pa dyshim më të veçantit e botës sonë krijuese e intelektuale: ata janë Ibrahim Rugova e Ismail Kadare, të cilët kanë pasur fatin të hapin këtë panair, ndërsa ne kemi pasur fatin e madh të jemi bashkëkombas e bashkëkohanikë të tyre.
Me këtë rast, dua të shpreh vlerësimin tim për të gjithë autorët tanë, si dhe konsideratën më të lartë për ju botues, që ndonëse shpeshherë keni vepruar në rrethana mjaft të rënda, ia keni dalë përherë që të na sillni tituj të rinj e interesantë jo vetëm nga letërsia, por edhe nga fushat e tjera të artit dhe të dijes.
E them, pra, me bindje, se edhe organizatorët e Panairit tradicional të Prishtinës kanë pse të krenohen më punën e bërë gjatë këtyre njëmbëdhjetë vjetëve të veprimtarisë së tyre. Mjafton fakti se ata ia kanë dalë që në këtë festë të librit të sjellin emra të tillë si Rugova e Kadare për të pohuar se misioni i tyre mund të quhet i suksesshëm.
Duke iu uruar për këtë punë të madhe që keni bërë deri më tani dhe të cilën sigurisht që do ta vazhdoni më përkushtim edhe në të ardhmen, unë ju falënderoj që e bëtë Prishtinën Kryeqytet të librit, kryeqytet të mendjeve më të spikatura të artit letrat dhe të dijes nacionale e botërore në përgjithësi.
Urime dhe me fat!

This site is registered on wpml.org as a development site.