presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentit të Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, në Ditën Përkujtimore për Presidentin Rugova

Prishtinë, 21 janar 2007 –

E nderuara Familje e Presidentit Rugova,
I nderuari Përfaqësues Special i Sekretarit të Përgjithshëm, z. Ryker,
I nderuari Komandant i KFOR-it, Gjeneral Kather,
I nderuari Kryetar i Kuvendit, z. Berisha,
I nderuari Kryeministër, z. Ëeku,
Të nderuar përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,
Deputetë, Ministra, Udheheqës të tjerë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare,
Zonja dhe Zotërinj:

Jemi tubuar sot në këtë ditë përkujtimi dhe nderimi të veçantë për personalitetin e pashembullt – Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili sot e një vjet nuk është më fizikisht me ne.

21 Janari 2006 ishte goditje e rëndë për popullin dhe institucionet e Kosovës. Na la kur na duhej më së shumti për t’i dalë në krye procesit të gjatë e të mundimshëm historik për pavarësimin e Kosovës – për njohjen ndërkombëtare të saj, sepse siç e kishte zakon të thoshte Presidenti ynë “Kosova është de facto e pavarur nga qershori i vitit 1999”. Si studiues i thellë i letërsisë dhe kulturës shqiptare, Ibrahim Rugova ka lënë një trashëgimi që rri në themelet e dijeve tona. Rugova dijetarë u bë udhëheqës i rezistencës së popullit shqiptar të Kosovës me organizim të pashembullt që krijoi Lidhja Demokratike e Kosovës në krye me të e që – si Lidhja Shqiptare e Prizrenit, për të cilën ai ushqente dashuri të pakundshoqe – të ndërtonte, tani me sukses të fundmë, bazat e shtetit të ri, ndërsa rezistonte okupimin serb. Duke qenë i palëkundur në vizionin e tij politik që dilte nga një thellësi e dijes prej intelektuali të mirëfilltë, e guximit qytetar, Presidenti Rugova u bë kështu emblemë e lëvizjes intelektuale në politikë, i cili jo vetëm që zbulonte rrënjët e lashtësisë sonë, por e zhvillonte edhe frymën e demokracisë. Ai u shndërrua kështu jo vetëm në simbol të rezistencës por edhe në promovues të vizionit të veçantë të ndërtimit të Kosovës dhe të perspektivës demokratike të saj sipas modeleve euro-perëndimore. Thoshte: “ne deshëm t’i afrohemi Perëndimit dhe nuk u mbyllëm në histori”.Kështu, lëvizja politike për liri dhe pavarësi, nën drejtimin e Presidentit Rugova, u shndërrua në model të pakapërcyeshëm dhe unikat  për filozofinë e veprimit politik bashkëkohës. Këmbëngulësia e tij për fuqizimin e rezistencës së përgjithshme qytetare ndaj okupimit të egër të Kosovës dhe këmbëngulësia e tij për internacionalizimin e fuqishëm të Çështjes së Kosovës, ishin dhe mbetën dy rrafshet më të rëndësishme të angazhimit dhe të palëkundshmërisë që ai reflektonte. Presidenti Rugova ia hapi derën paqes, si kundërpeshë për terrorin afër qindvjeqar kundër shqiptarëve të Kosovës, duke bërë pokështu që lëvizja e përgjithshme e rezistencës të identifikohet si lëvizje e modelit sui generis në Evropë. Ai më së miri artikuloi qëndrimin politik të shqiptarëve dhe të popullit të Kosovës për liri dhe demokraci, në kërkesë dhe këmbëngulësi kreative për ndërtimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova u bë burrështetasi i parë i Kosovës, shenja mbrojtëse e shtetit në krye të të cilit qëndroi edhe në kohën kur njihej, por nuk pranohej si i tillë. Në kohë të vështira, Presidenti Rugova me organizimin më sistematik e të qëndrueshëm që kishin ngritur shqiptarët në këto troje, me mekanizmin institucional e të votës demokratike, ndërtoi struktura të qëndrueshme të Republikës së Kosovës që ishin dhe mbetën pjesë e veçuar e rezistencës së organizuar kundër okupimit.  Dhe krahas konsistencës së tij të palëkundshme për organizimin e brendshëm të rezistencës dhe ruajtjes së substancës së qenies sonë, Presidenti Rugova një përkushtim të veçantë në kuadër të kësaj lufte të vazhdueshme pati në planin diplomatik. Për ta shpëtuar Kosovën në këto vite të vështira kërcënimi që i bëhej me zhbërje të qenies së saj, thirrjet e tij ishin të vazhdueshme edhe për një intervenim të pashmangshëm ushtarak të NATO-s, madje edhe për prani të saj në planin afatgjatë, i cili do të pasohej nga një periudhë kalimtare e administrimit ndërkombëtar. “Një periudhë kalimtare është e nevojshme” thoshte ai, “duke shtuar pokështu një demilitarizim të Kosovës dhe një protektorat ndërkombëtar.”Sipas një rendi të qëllimshëm dhe të brumosur thellë në filozofinë e tij politike, Presidenti Rugova kërkonte njohjen formale të pavarësisë së Kosovës. “Një Kosovë e pavarur, demokratike e paqësore, e integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe në miqësi permanente me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky është vullnet politik i popullit të Kosovës”. Duke vazhduar “në të ardhmen NATO do të ketë baza këtu sepse ne do të jemi anëtarë të saj”.Shumë nga këto ide tashmë janë realizuar ose janë duke u realizuar. E nderuara Familje e Presidentit Rugova, Të dashur miq,Zonja dhe Zotërinj:Shuarja e jetës së Presidentit Rugova më 21 janar 2006, që gjithmonë mbetet ditë e përkujtimit më të dhembshëm, shprehja e kësaj dhembje nga qindra mijëra njerëz që në këtë muaj të acartë kishin pushtuar Prishtinën për ta nderuar prijësin dhe për t’ia dhënë lamtumirën, kanë dëshmuar që ai nuk ishte më vetëm President i Kosovës, por mbi të gjitha, udhëheqësi shpirtëror e historik i një populli.Ai u bë përfaqësuesi më i pranueshëm që artikuloi vullnetin për liri të një populli të shtypur dhe këtë artikulim ai e bëri me durim, me maturi dhe finesë. Ai mbërrijti më fort se çdokush tjetër, që t’i dëshmojë botës se Kosova është Evropë gjeografikisht, historikisht e kulturalisht dhe do të bëhet Evropë edhe politikisht duke u integruar. Mbi këtë filozofi politike, për të gjallë të vet, Presidenti Rugova krijoi shumë miq të Kosovës e të pavarësisë sonë në të katër anët e botës. Prandaj, edhe nga bota e amshimit, Presidenti Rugova është sot engjëlli mbrojtës i Kosovës.Kosova po pret që shpejtë “ta gëzojë edhe Kulmin e Shtëpisë – pavarësinë, fjalën më kumbuese e më të dashur shqiptare” e thoshte me bindje Presidenti Rugova.Të nderuar të pranishëm,Të nderuar qytetarë të Kosovës,Sot, kur jemi në prag të përmbylljes së statusit politik të Kosovës, proces ky që u udhëhoq në kohët më të vështira nga Presidenti Rugova, busullë orientimi themeltar kemi idenë dhe përkushtimin e tij. Kjo ide dhe punë e palodhshme qe dhe mbetet përkushtim i veçantë për shtetin e pavarur të Kosovës, për kulturën politike të ndërtuar në frymën e tolerancës dhe kohezionit brendashqiptar, të tolerancës e të mirëkuptimit me etnitë e tjera pakicë në Kosovë dhe për miqësitë e mëdha që krijoi në botën demokratike. Presidenti Rugova qe dhe mbetet përjetësisht simbol i paqes dhe i pavarësisë së Kosovës, njeri i pakontestueshëm si vizionar politik dhe burrështetas i veçantë, të cilin e shquan një filozofi e veçantë politike, një guxim, urtësi dhe konsistencë e pashembullt për realizimin e vizionit që kishte. I falemi Ibrahim Rugovës – themeluesit të shtetit të pavarur të Kosovës!     

This site is registered on wpml.org as a development site.