I nderuar z. Kryesues i Këshillit,
Të nderuar anëtarë të Këshillit,
Jam shumë mirënjohës për mundësinë që më jepet t?ju drejtohem sot. Tani po hyjmë në fazën përfundimtare, vendimtare për procesin e statusit të Kosovës. Pas tetë vjetësh të paqartësisë dhe të administratës kalimtare të OKB-së, ka ardhur koha të zgjidhet çështja e fundit e pazgjidhur në vazhdën e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë. E çmojmë shumë mundësinë që i jepet Kosovës për t?i paraqitur pikëpamjet e veta. Është edhe më me rëndësi që pikëpamjeve të përfaqësuesve të Kosovës, të zgjedhur demokratikisht, u kushtohet vëmendje e duhur. E konsideroj ditën e sotme një ditë historike për Kosovën, pasi që kjo është hera e parë që një përfaqësues i Kosovës i drejtohet Këshillit në sallën zyrtare, në një sesion formal.
Shkëlqesi të nderuara, Procesi për statusin përfundimtar ka qenë preokupimi kryesor për secilin në Kosovë. Nuk ka çështje më me rëndësi për ne si Ekip i Unitetit. Ju, anëtarë të nderuar të Këshillit, keni marrë para disa ditësh rekomandimet e Sekretarit të Përgjithshëm për zgjidhjen e statusit të Kosovës, që janë rezultat i një procesi të gjatë dhe të vështirë. Ky proces filloi më 2005 kur diplomati norvegjez Kai Eide, duke punuar në emër të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, konkludoi se status kuoja në Kosovë nuk mund të mbahej dhe se nevojitej qartësia për të ardhmen. Këshilli i Sigurimit të OKB-së përkrahu konkluzionin e Eides në vitin 2005 dhe mbështeti mëpastaj zgjedhjen që bëri Sekretari i Përgjithshëm për ta emëruar ish-Presidentin finlandez Martti Ahtisaari kryesues të këtij procesi. Shfrytëzoj rastin që edhe një herë të shpreh mirënjohjen për punën e shkëlqyeshme që ka bërë ai gjatë gjithë procesit. Më lejoni që, në krye të herës, ta shpreh mbështetjen tonë, domethënë mbështetjen e plotë të Kosovës për punën e Emisarit Special, një punë e jashtëzakonshme. Presidenti Ahtisaari e ka udhëhequr procesin e statusit me kujdes dhe respekt të madh për pikëpamjet dhe nevojat e të gjithë pjesëmarrësve. Ai dhe ekipi i tij nuk i kanë lënë gjë mangut punës, duke mundësuar diskutime shterruese për çështjet e nevojshme dhe duke formuluar një pako propozimesh të baraspeshuara dhe gjithëpërfshirëse për rrugën që çon përpara. Duke punuar me Emisarin Special, ne kemi bërë çmos për të gjetur zgjidhje kompromisi për të gjitha çështjet.Ekipi i Unitetit i Kosovës i përkrah propozimet e Ahtisaarit në plotni. Ka disa kompromise që kemi bërë gjatë bisedave në Vjenë, në veçanti për të siguruar hapësirë të drejtash jashtëzakonisht të gjera dhe largvajtëse për komunitetet tona pakicë. Ne e kemi bërë këtë dhe kemi rënë në ujdi për disa zgjidhje të caktuara për hir të së ardhmes së Kosovës, të së ardhmes së popullit tonë, por gjithashtu edhe për hir të së ardhmes së marrëdhënieve të reja në mes të Kosovës dhe Serbisë si dy vende të barabarta, shtete të pavarura dhe sovrane. Arsyeja themelore pse jemi pajtuar për disa nga zgjidhjet ka qenë dhe vazhdon të jetë gatishmëria dhe dëshira jonë që të marrim parasysh brengat dhe të zgjidhim disa nga ankesat shumë të veçanta të komuniteteve pakicë në Kosovë, në radhë të parë të komunitetit serb. Kosova është e gatshme ta pranojë dhe zbatojë Propozimin në tërësinë e tij. Pres që ky zotim të mbështetet së shpejti edhe formalisht nga Kuvendi i Kosovës. Kur të jetë përmbyllur ky proces, prioriteti ynë më i lartë do të jetë zbatimi i plotë i këtyre marrëveshjeve të propozuara.Para disa muajsh u kam thënë anëtarëve të nderuar të Këshillit të Sigurimit se Ekipi i Unitetit i Kosovës është plotësisht i përkushtuar t’i përmbahet një procesi paqësor dhe të ligjshëm. Ne e kemi përmbushur zotimin tonë. Delegacionet e Kosovës në bisedat e Vjenës janë angazhuar shumë seriozisht për të diskutuar të gjitha çështjet gjerë e gjatë. Ne kemi përgatitur dhe paraqitur një sërë dokumentesh për një gamë të tërë çështjesh që janë vënë për diskutim në Vjenë, prej garancive kushtetuese për minoritetet deri te specifikat e decentralizimit të pushtetit, si një instrument i rëndësishëm që do t’u mundësojë kosovarëve të zakonshëm, në radhë të parë pjesëtarëve të komunitetit serb, që të marrin pjesë plotësisht në ushtrimin e çështjeve publike. Gjatë gjithë këtij procesi, ne kemi dëgjuar me kujdes pikëpamjet e palëve të tjera, duke u kushtuar vëmendje të veçantë pikëpamjeve të komunitetit serb të Kosovës.Pas 14 muajsh të negociatave të vështira dhe intensive në Vjenë, ne besojmë se Presidenti Ahtisari ka paraqitur një pako të drejtë dhe shumë të baraspeshuar. Është për keqardhje që nuk ka qenë e mundur të arrihej një marrëveshje. Pas shumë takimesh gjatë 15 muajve të fundit, është sheshit e qartë se diskutimet e mëtutjeshme nuk do t’i sillnin palët më afër njëra-tjetrës për sa i përket çështjes së statusit. Presidenti Ahtisaari dhe UNOSEK-u kanë filluar punën aty nga fundi i vitit 2005. Tani ne jemi në pranverën e vitit 2007. Diskutimet për të gjitha çështjet, gjegjësisht mundësitë për një marrëveshje janë shterrur. Kosova ka pritur për shumë vite që statusi i saj përfundimtar të zgjidhej. Statusi ynë ka qenë i paqartë për shumë vjet, qysh nga viti 1989 kur Sllobodan Millosheviqi në mënyrë të paligjshme revokoi statusin e entitetit federal të Kosovës në ish-Jugosllavi, ku ajo gëzonte edhe të drejtën e vetos. Më vonë, më 1999, pas ngjarjeve tragjike të konfliktit në Kosovë, Këshilli i Sigurimit ndërmori masën e jashtëzakonshme të pezullimit të qeverisjes së Beogradit mbi Kosovën, duke e vënë Kosovën nën administrim kalimtar të OKB-së. Këshilli i Sigurimit i OKB-së parashtronte gjithashtu një proces për përcaktim të statusit, të lehtësuar nga OKB-ja. Ky kombinim i pazakonshëm i faktorëve – në veçanti shkatërrimi i dhunshëm, jokoncensual i Jugosllavisë, si dhe roli i jashtëzakonshëm që Këshilli i Sigurimit ka luajtur për të menaxhuar pasojat e këtij shkatërrimi – e bëjnë Kosovën një rast të veçantë, i cili nuk duhet të shihet si precedent për asnjë situatë tjetër.Ne kemi kaluar tetë vjetët e fundit nën administratën e OKB-së duke pritur qartësinë për të ardhmen tonë. Mungesa e qartësisë së statusit, gjegjësisht mungesa e një vendimi për këtë, ka prekur keq jo vetëm stabilitetin politik dhe aftësinë tonë për të marrë mbi vete institucionet tona, por ka qenë poashtu shumë e dëmshme për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe për besimin dhe investimet ekonomike. Investuesit ngurrojnë të investojnë në një vend me status të paqartë. Gjithashtu, mbasi nuk dihet statusi ynë, ne nuk mund të marrim kredi nga institucionet financiare ndërkombëtare. Shkalla e papunësisë në vendin tim është më e larta në Evropë. Ne na duhet qartësia që të mund të shkojmë përpara.Si President dhe udhëheqës i Ekipit të Unitetit, dua të nënvizoj edhe një herë këtu përkushtimin tim dhe përkushtimin e popullit të Kosovës që ky proces të përfundohet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe vetëm përmes mjeteve paqësore. E kam dënuar dhunën e kohëve të fundit në Kosovë, që ndodhi gjatë një demonstrate të dhunshme, e cila është kundërshtuar gjerësisht nga shumica e popullsisë. Shumica dërmuese e popullsisë dëshiron me ngulm që ky proces të kryhet me qetësi, shtruar, paqësisht dhe shpejt.Ne besojmë se zgjidhja e vetme e qëndrueshme për procesin e statusit të Kosovës është pavarësia, që do t’i nënshtrohej mbikëqyrjes ndërkombëtare për një periudhë kohe. Pas shkatërrimit të Jugosllavisë – një shkatërrim që ka përfshirë spastrime etnike, dhunë, refugjatë dhe përfshirje të përsëritur të Këshillit të Sigurimit të OKB-së – ne nuk shohim alternativë tjetër përveç pavarësisë. Nuk mund të shlyhet historia tragjike e viteve nëntëdhjetë. Ajo ka lënë një trashëgimi të pamohueshme të dyshimit të ndërsjellë dhe të mosbesimit në mes të popullit të Kosovës dhe të popullit të Serbisë. T’i detyrosh këta popuj të qëndrojnë së bashku do të ishte e papranueshme për popullin e Kosovës.Përveç kësaj, popujt e Kosovës dhe të Serbisë kanë jetuar tashmë ndaras për shume vite, që nga koha kur Këshilli i Sigurimit ndërpreu qeverisjen e Beogradit mbi Kosovën në vitin 1999 dhe ngarkoi UNMIK-un me detyrën që të ndërtojë institucione të vetëqeverisjes. Nën administrimin e OKB-së, ne që nga atëherë kemi bërë progres të madh duke zhvilluar institucionet tona demokratike, duke përfshirë Kuvendin, një forcë policore multietnike, dhe ministri funksionale. Vizioni ynë është një shtet demokratik që do të jetë shtëpi për të gjithë qytetarë njësoj, për shumicën shqiptare dhe për komunitetet e tjera më të vogla: serbët, turqit, boshnjakët, romët, ashkalinjtë, egjiptasit. Do ta ruajmë me kujdesin maksimal karakterin multietnik dhe multikulturor të Kosovës.I nderuar Kryesues i Këshillit, Të nderuar anëtarë të Këshillit, Dua të ndaj me ju përkushtimin e fuqishëm të Ekipit të Unitetit dhe të institucioneve të Kosovës për të ndërtuar një shtet që do ta bazojë të ardhmen e vet mbi respektin e plotë për të drejtat e të gjitha komuniteteve, mbi një demokraci pluraliste, ekonomi të tregut të lirë, median e lirë, një shtet që do t’i respektojë plotësisht të drejtat dhe liritë njerëzore. Ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë së larmishme kulturore dhe fetare si dhe i vendndodhjeve të trashëgimisë është një nga zotimet dhe angazhimet kryesore të Qeverisë sonë. Jam i vetëdijshëm se këto detyra nuk realizohen leht, por askush nuk duhet të vërë në dyshim përkushtimin dhe vendosmërinë tonë për t’i çuar në fund.Sapo të jetë njohur ndërkombëtarisht si shtet i pavarur, Kosova është e vendosur t’i hyjë një procesi të shpejtë të vendosjes së marrëdhënieve të afërta me vendet fqinje. Kosova zotohet se do të ketë marrëdhënie shumë të mira, paqësore dhe të hapura me fqinjtë e parë, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, dhe ne shpresojmë, së shpejti, edhe me Serbinë. Kosova nuk ka pretendime ndaj ndonjë territori përtej kufinjve të vet dhe nuk do të lejojë asnjë pretendim ndaj territorit të vet. Ne respektojmë plotësisht Aktin Final të Helsinkit dhe parimet e Kartës së OKB-së, në veçanti respektin për sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjitha shteteve. Mbetemi plotësisht të përkushtuar për bashkëpunim të ngushtë me fqinjtë për çdo çështje tejkufitare apo rajonale. Kosova mezi pret që të marrë rol aktiv në bashkëpunimin rajonal dhe më gjerësisht ndërkombëtar për luftë kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Stagnimi ekonomik në të gjitha vendet e rajonit mbetet çështje për shqetësim serioz. Prandaj, Kosova mbështet fuqishëm bashkëpunimin rajonal përmes traktateve dhe marrëveshjeve bilaterale dhe multilaterale në fushën e ekonomisë.Kosova do të kërkojë integrim të plotë në bashkësinë ndërkombëtare përmes anëtarësimit në institucionet dhe organizatat politike dhe financiare. Në fund të fundit, objektivi i Kosovës është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian. Ne presim që mekanizmi ekzistues, i quajtur Mekanizmi Përcjellës për Stabilizim dhe Asociim, do të shndërrohet shumë shpejt në Pakt të mirëfilltë për Stabilizim dhe Asociim, që do të çojë pastaj në nëshkrim pa vonesë të një Marrëveshjeje me Brukselin.Ne poashtu do të kërkojmë të anëtarësohemi në NATO, një organizatë që mund të ndihmojë për të ofruar siguri për të gjitha vendet e Evropës Juglindore.Dëshiroj të nënvizoj edhe një herë përkushtimin dhe gatishmërinë e Kosovës për të punuar ngusht pas statusit me përfaqësuesin civil ndërkombëtar që e ka propozuar Emisari Special Ahtisaari. Siç e dini tashmë, ne kemi ftuar dhe do të mirëpresim një vendosje të shpejtë të kësaj prezence pas pavarësisë, sikur edhe vazhdimin e pranisë ushtarake që do të ndihmojë për të ofruar siguri për gjithë popullin e Kosovës.I nderuar Kryesues i Këshillit, Të nderuar anëtarë të Këshillit, Zonja dhe zotërinj,Tetë vjet pas luftës, UNMIK-u dhe Kosova kanë bërë përparime të ndjeshme në rindërtim dhe në ringjalljen ekonomike, sikur edhe në vendosjen e institucioneve demokratike. Ne nuk do t’ia dilnim t’i bënim këto pa mbështetjen tuaj të gjerë. Kombet e Bashkuara kanë luajtur një rol jashtëzakonisht të madh në historinë e popullit tonë. Ne ju falënderojmë për këtë. Në fund të kësaj fjale, dua që në emër të popullit të Kosovës të shpreh mirënjohjen time për anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe për shumë vende të tjera anekënd botës, për mbështetjen dhe ndihmën që i kanë dhënë Kosovës pas lufte. Mirëpres punën me anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të siguruar një zgjidhje të shpejtë të çështjes së statusit të Kosovës dhe miratim të plotë të rekomandimeve të Emisarit Special të OKB-së. Ka ardhur koha që ne ta mbyllim përfundimisht kapitullin e errët të shpërbërjes së Jugosllavisë.Shkëlqesi të nderuara,Ju falemnderit edhe një herë që më dhatë rastin t’ju drejtohem.