presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

FJALA E PRESIDENTIT TË KOSOVËS, FATMIR SEJDIU, NË KËSHILLIN E SIGURIMIT TË OKB-SË, Nju-Jork, 19 mars 2007

I nderuari Kryesues i Këshillit,
Të nderuar anëtarë të Këshillit,
Zonja dhe zotërinj,

Është kjo hera e tretë brenda nëntë muajsh që më jepet rasti dhe nderi t?i drejtohem këtij trupi të lartë të OKB-së.

Ju drejtohem si President i Kosovës dhe udhëheqës i Ekipit Negociator të Kosovës, që është mbiquajtur Ekipi i Unitetit, i cili përbëhet nga spektri politik qeverisës dhe opozitar.

Më 10 mars në Vjenë, Austri, është përmbyllur një proces i gjatë dhe kompleks negociatash dhe bisedimesh për përcaktimin e statusit të Kosovës. Procesi i udhëhequr nga ish-Presidenti finlandez Martti Ahtisaari, Emisar i OKB-së për statusin e Kosovës, ka prodhuar një dokument, emërtimi zyrtar i të cilit është “Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”, i cili nis kapitullin e fundit të zgjidhjes së çështjes së Kosovë një herë e mirë. E kemi thënë në fillim të procesit dhe e përsërisim se pavarësia e Kosovës është alfa dhe omega – është çështje ekzistenciale për popullin tonë. Asnjë lidhje strukturore me institucionet shtetërore të Serbisë nuk është e pranueshme për ne. Pavarësia e vendit tonë është në rend të parë pavarësi nga Serbia, si një parakusht vendimtar për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe për fillimin e një procesi kuptimplotë për integrimin e Kosovës dhe të Serbisë, si vende të pavarura dhe të barabarta, në Bashkimin Evropian dhe në NATO.Dokumenti për Kosovën, që është hartuar pas 14 muajsh negociatash dhe bisedimesh intensive në mes të Kosovës dhe Serbisë, përmban kompromise të dhimbshme që delegacioni i Kosovës ka bërë me qëllim të akomodimit sa më të plotë të komuniteteve joshumicë në Kosovë, në rend të parë të komunitetit serb. Siç mund të keni dëgjuar shpesh këto ditë, mbi dy të tretat të dokumentit të Presidentit Ahtisaari lidhen me dispozitat që garantojnë një përfaqësim dhe pjesëmarrje efektive të komunitetit serb në jetën politike, ekonomike dhe institucionale në Kosovë.Me popullsi mbi nëntëdhjetë përqind shqiptare, Kosova u njeh pakicave të veta një nivel të drejtash që s’i kanë pakicat në vende të tjera në Evropën Juglindore. Serbishtja e pesë përqindëshit të popullsisë është gjuhë me status të barabartë zyrtarësie me shqipen e mbinëntëdhjetëpërqindëshit të popullit të Kosovës. Poashtu, gjuhët e pakicave të tjera, si turqishtja, boshnjakishtja dhe gjuha rome, marrin status të gjuhës në përdorim zyrtar në komunat ku ata përbëjnë 5-6 përqind të popullsisë.Serbët dhe pakicat e tjera marrin me këtë pako të statusit të Kosovës të drejta dhe garanca që sigurojnë përfaqësimin e tyre politik, apo thënë më saktë mbipërfaqësimin politik, por edhe të drejta për vetëqeverisje në rrafshin lokal që pakicat e tjera në këtë pjesë të Evropës mund t’ua kenë lakmi. Ne ua garantojmë këto të drejta, sepse ne duam ta ndërtojmë fatin dhe mirëqenien tonë mbi lumturinë tonë e të bashkëqytetarëve tanë, mbi lumturinë e përbashkët, e jo mbi fatkeqësinë e kujtdo. Në takimin e 10 marsit në Vjenë, delegacioni i Kosovës e ka deklaruar qartë përkrahjen për Planin e Ahtisarit – le të më lejohet ta quaj kështu këtë pako, mbasi që është bërë emërtim popullor.Po e theksoj edhe një herë se kompromiset e dhimbshme dhe të gjitha koncesionet që i kemi bërë gjatë këtij procesi negociator kanë synuar të adresojnë shqetësimet dhe kërkesat e pakicave, në rend të parë të komunitetit serb. Më duhet ta them se, edhe pse kemi shprehur drojë se disa zgjidhje të ofruara në këtë pako mund ta sfidojnë funksionalitetin strukturor të shtetit tonë, jemi pajtuar me to për të mos lënë asnjë hapësirë për pakënaqësi te komuniteti serb.  I nderuari Kryesues i Këshillit,Të nderuar anëtarë të Këshillit,Zonja dhe zotërinj,Ne e kemi mirëpritur këtë plan dhe zotohemi se do ta zbatojmë si një dokument që ofron bazë të mirë si pako përbërëse për shtetin e pavarur të Kosovës, ku shumica shqiptare dhe pakicat marrin përgjegjësitë e plota për ta qeverisur vendin, duke respektuar nevojat ekzistenciale dhe sensibilitetet kulturore e etnike të njëri-tjetrit.Ne kemi besim të plotë se Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të marrë qëndrim meritor në përkrahje të planit të Presidentit Ahtisaari. Ky plan përmban të gjitha dispozitat e nevojshme për ta bërë Kosovën shtet të pavarur dhe funksional. I bëjmë thirrje Këshillit të Sigurimit, këtij organi të lartë ekzekutiv të OKB-së, që sa më shpejt që të jetë e mundshme të marrë vendimin me të cilin hapet rruga për përcaktimin definitiv të statusit të Kosovës, pas tetë vjetësh nën administrimin e përkohshëm të OKB-së. Kjo është Kosova e ardhme, shtet modern, i cili realizohet pas një historie të gjatë rezistence ndaj okupimit të huaj, duke pasë kaluar edhe stuhitë e luftës dhe përpjekjet e mëdha për rimëkëmbje fizike e shpirtërore nga viti 1999 e këndej. Ne kemi gëzuar ndihmën e pakursyer të botës demokratike në vitet e pasluftës. Këto ndihma na kanë mundësuar që të tejkalojmë problemet emergjente e të konsolidimit si pasojë e luftës dhe dezinvestimit shumëvjeçar në Kosovë. U jemi mirënjohës të gjitha vendeve dhe institucioneve ndërkombëtare që na kanë ndihmuar në rindërtimin e Kosovës pas luftës. Posaçërisht, i jemi mirënjohës UNMIK-ut, mision që tashmë është afër përfundimit të suksesshëm.Duhet theksuar se gjatë kësaj periudhe, pas ndërhyrjes së trupave të NATO-s dhe vendosjes së misionit të OKB-së në Kosovë, kanë ndodhur procese të rëndësishme demokratike dhe zhvillimore. Mbi bazë të zgjedhjeve të lira e demokratike, në Kosovë janë ndërtuar institucione të qëndrueshme në nivel lokal dhe qendror, të cilat janë dëshmuar me funksionalitetin e tyre.  Sukses i këtyre institucioneve është rimëkëmbja ekonomike e Kosovës dhe fillimi i transformimit rrënjësor të kësaj ekonomie mbi baza të ekonomisë së lirë të tregut. Është krijuar një infrastrukturë bashkëkohore ligjore për të gjitha fushat. Kosova ka krijuar një sistem të qëndrueshëm bankar dhe buxhetor dhe zhvillon një proces të suksesshëm të privatizimit. Sido që të jetë, në mungesë qartësie të statusit, ekonomia e Kosovës nuk ka mundur të zhvillohet në potencialin e vet të plotë, duke mos pasur mundësinë për qasje në institucionet financiare ndërkombëtare dhe për partneritet edhe më të suksesshëm me investitorët e jashtëm. Sovraniteti është për shumë arsye parakusht për qëndrueshmëri ekonomike të vendit tonë: për investime afatgjata që sigurojnë rritje ekonomike të vendit, duke shfrytëzuar resurset e mëdha natyrore të Kosovës (linjitin, mineralet, tokën bujqësore), por edhe resursin njerëzor – një popullsi të re e të arsimuar mirë. Thënë shkurt, sovraniteti i mundëson Kosovës prosperitet ekonomik në botën gjithnjë e më të ndërvarur në trendet e globalizimit. Gjatë këtyre viteve, Kosova ka përmbushur një vistër të gjerë të standardeve, të njohura si Standarde për Kosovën, të cilat kanë përmirësuar cilësinë e jetës, demokracinë, si dhe të drejtat dhe liritë e qytetarëve të saj.I nderuari Kryesues i Këshillit,Të nderuar anëtarë të Këshillit,Zonja dhe zotërinj,Tash është koha që Kosova, me identitetin e vet të veçantë etnik, gjeografik, historik, e juridik, me strukturat demokratike përfaqësuese që ka krijuar, edhe me ndihmën e UNMIK-ut, të njihet si shtet i pavarur dhe sovran. Kosova është rast sui generis në kuptimin e plotë të fjalës. Kjo gjë pranohet sot pothuajse prej të gjithëve. Me Kosovën shtet ne marrim përgjegjësitë dhe obligimet që i takojnë vendit që synon të bëhet pjesë e sistemit ndërkombëtar.Edhe pas pavarësimit, Kosova do të gëzojë për një kohë një prani të ndjeshme ndërkombëtare, civile dhe ushtarake, të cilën e kemi ftuar ne, autoritetet legjitime të Kosovës. Kjo prani do të jetë aty për të na ndihmuar në rrugën tonë të integrimit në familjen euro-atlantike — shtëpinë e vlerave që kemi të përbashkët me kombet e lira e demokratike të kësaj pjese të globit tokësor.Ne i kemi ndarë rrugët me Serbinë në vitet e nëntëdhjeta të shekullit XX. Elita politike e Kosovës synonte vlerat moderne evropiane, ndërsa elita politike e Serbisë ishte kthyer në mitet e shekullit XIX dhe, përmes kësaj, te një mesjetarizim i hapësirës sonë jetësore. Tani është koha që Kosova dhe Serbia, si vende të pavarura, të shkojnë rrugës së integrimeve në strukturat e Unionit Evropian dhe në NATO. Kjo është e ardhmja e përbashkët e të gjitha vendeve të rajonit. Popujt tanë duan të udhëtojnë lirshëm, të gëzojnë liritë dhe mundësitë që i gëzojnë ata që tashmë janë pjesë e Unionit Evropian. Ne mëtojmë të jemi pjesë e vlerave demokratike dhe normave ligjore që mishëron Unioni Evropian, dhe jemi të përkushtuar që të bëjmë punë praktike që t’i inkorporojmë ato në ligjet dhe institucionet tona. Ne e dimë se ky është një udhëtim i gjatë dhe i vështirë që kërkon punë të madhe, por jemi të përkushtuar të shkojmë kësaj rruge. Këtë ambicie duhet ta kenë të gjithë fqinjët tanë. U them të gjithë fqinjëve, pra edhe Serbisë: le të shkojmë përpara rrugës së integrimeve euro-atlantike.Dua t’ju siguroj edhe një herë se shteti i ardhshëm i Kosovës do të ofrojë gamën më të gjerë të mundshme të mbrojtjes, si kushtetuese ashtu edhe institucionale, për të siguruar sundim të ligjit dhe mbrojtje të të drejtave të të gjithëve: të shqiptarëve shumicë dërrmuese, të komunitetit serb, dhe të komuniteteve të tjera pakicë.Pavarësimi i Kosovës dhe njohja e saj shtet sovran dhe i pavarur do të thotë paqe dhe stabilitet në të gjithë rajonin. Pavarësimi do të thotë përfundimisht zgjidhje e çështjes më të madhe të pazgjidhur në Evropën Juglindore. Pavarësia e Kosovës do të thotë hapje e rrugës për integrime euro-atlantike, jo vetëm për Kosovën por edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Si shtet i pavarur, përkushtim të veçantë do ta kemi bashkëpunimin me të gjithë fqinjët tanë dhe vendet e rajonit. Ne e kemi bërë të qartë se nuk kemi pretendime apo lakmi për territore të të tjerëve, por as nuk do të tolerojmë pretendimet ndaj territorit tonë. Fundja, Kosova ka përkrahur fuqishëm parimet udhëheqëse të Grupit të Kontaktit nga fundi i janarit të vitit 2006. Kosova mirëpret ditën kur do të mund të ushtrojë të drejtën për anëtarësim në të gjitha institucionet dhe organizmat ndërkombëtarë, pra edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.I nderuari Kryesues i Këshillit,Të nderuar anëtarë të Këshillit,Zonja dhe zotërinj, Më lejoni që në fund të këtij procesi të gjatë dhe kompleks, t’u shpreh falënderimet e mia, në emër të Ekipit të Unitetit dhe të popullit të Kosovës, Presidentit Ahtisaari dhe UNOSEK-ut, për punën e madhe gjatë procesit të negociatave që është kurorëzuar me atë që sot po e quajmë Plani i Presidentit Ahtisaari për definimin e statusit politik të vendit tim, Kosovës. Ky plan krijon shansin e pazëvendësueshëm për të ardhmen e Kosovës dhe të rajonit tonë. Ky shans mund të bëhet realitet vetëm nëse procesi për definimin e statusit final mbaron me pavarësinë e Kosovës. Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit,Në emër të popullit të Kosovës, ju falënderoj që më dhatë rastin t’ju drejtohem në këtë kohë vendimtare për Kosovën. Ne ju jemi mirënjohës për gjithë punën që keni bërë ju në Këshillin e Sigurimit dhe në Kombet e Bashkuara në përgjithësi për të ndihmuar vendin tim, që sapo kishte dalë nga një luftë shkatërrimtare e imponuar nga Serbia e Millosheviqit. Populli i Kosovës është i bindur se ju do të merrni vendimin e duhur për të krijuar një të ardhme të sigurtë dhe prosperuese për Kosovën dhe popullin e saj. Ju falemnderit!

This site is registered on wpml.org as a development site.