presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

FJALA E PRESIDENTIT TË KOSOVËS, DR. FATMIR SEJDIU, NË TETËVJETORIN E BETEJËS SË KOSHARES

I. Secili komb i ka disa ditë të veçanta, të cilat e bëjnë atë të ndihet më krenar për të kaluarën e vet dhe më të sigurt për të ardhmen. Një ditë e tillë për Kosovën është 9 prilli. Në këtë datë të shënuar ra muri berlinez ndërshqiptar, me Betejën e Koshares, së cilës i prin strategët e luftës për liri, Sali Ëekaj e Agim Ramadani.

Më 9 prill 1999, derisa forcat ajrore të NATO-s, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po e vazhdonin fushatën e bombardimeve të pozicioneve serbe, 114 dëshmorët e Brigadës 138 të UÇK-së po e shkruanin me sakrificën e tyre njërën prej rrëfimeve më të madhërishme të luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës; ata i dhanë goditjen më të rëndë pushtuesit, duke e fshirë njëherë e përgjithmonë gurin e huaj nga kufiri që pothuajse gjatë tërë shekullit XX i ndau si me shpatë shqiptarët nga njëri-tjetri. Prandaj, kjo datë e lavdishme ka domethënie të shumëfishtë për secilin shqiptar, kudo që të ndodhet. Ajo shënjoi një fitore tepër të rëndësishme në planin strategjik ushtarak, mirëpo po kaq e rëndësishme është edhe fitorja tjetër – krijimi përfundimtar i mundësisë që shqiptarët e të dyja anëve të Bjeshkëve të Nemuna të qarkullojnë lirisht, të shkojnë të papenguar nga askush për vizitë vëllai te vëllai, miku te miku…Familjarë të nderuar të dëshmorëveZonja e zotërinj, Historia më e re e Kosovës nuk do të mundë të shkruhej pa i dhënë një vend meritor kësaj beteje madhështore dhe burrave që e drejtuan me aq guxim e mençuri atë, Sali Çekajt dhe Agim Ramadanit. Ndonëse katrahurat e jetës e kishin shtyrë të merrte Perëndimin në sy, veprimtari Sali Çekaj, jurist, politikan, ushtarak e vizionar, ishte ndër të parët që u mor me përgaditjen e rezistencës së armatosur në Kosovë, pasi që Serbia i kishte mbyllur të gjitha portat e një zgjidhjeje politike e paqësore. Si të gjithë burrat e mëdhenj që bëjnë punë të mëdha, janë të urtë, stabilë, të guximshëm e fjalëpak, ai ishte një bir i shquar i traditës shqiptare të Kosovës. Agim Ramadani, oficer karriere, sypatrembur në frontin e luftës për liri, pati edhe sens krijuesi. Poezia dhe piktura ishin vokacion i tij shpirtëror. Aty ai e sublimoi botën e ndjenjave të veta të çiltëra, lajtmotiv i të cilave qe liria e atdheut. Me këso virtytesh janë të privilegjuar vetëm njerëzit e mëdhenj, ata që në traditën tonë të pasur etnokulturore njihen me atributin burra të dheut. Për meritat e tyre të jashtëzakonshme në luftën për lirinë e Kosovës, Presidenti historik Ibrahim Rugova i nderoi të dytë me Urdhërin më të lartë të vendit tonë, “Heroi i Kosovës”. Presidenti Rugova kështu dëshmoi se Kosova di t’i nderojë bijtë e vet dhe idealin për të cilin ata u flijuan dhe se kultura shtetërore e saj, ndonëse jo pa vështirësi të shumta, tashmë ka nisur të krijojë traditën e vet të mëvetësishme institucionale.Kulturë të këtillë shtetërore Kosova tregoi gjatë tërë këtyre viteve të pasluftës, duke qenë një shembull i organizimit dhe i mbajtjes së zgjedhjeve të lira e demokratike për të gjithë rajonin. Kjo kulturë shtetëformuese e Kosovës u pa edhe në procesin e mundimshëm të bisedimeve për statusin, të cilit i priu me korrektësinë e një diplomati të shquar Presidenti Ahtisari; me gjithë pengesat dhe sabotimet e llojllojshme që i bëri këtij procesi Beogradi zyrtar, Ekipi i Unitetit, bashkë me ekipet e ekspertëve që e përfaqësuan Kosovën për çështje të caktuara në Vjenë, tregoi konstruktivitet dhe përkushtim të përhershëm, me qëllim që ky kapitull i historisë më të re të Kosovës të përmbyllet me sukses të plotë, ashtu siç e do shumica absolute e qytetarëve të Kosovës dhe e gjithë bota demokratike, ashtu siç e deshën dëshmorët e Koshares dhe të gjithë dëshmorët e tjerë që ranë për lirinë e atdheut. II. Intervenimi shpëtimtar i NATO-s dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i dhanë fund pushtimit serb. Në qershorin e vitit 1999, populli ynë mahniti botën me kthimin biblik në tokën e djegur; qindra-mijëra refugjatë shqiptarë, që kishin gjetur përkohësisht strehë në konakun e vëllezërve tanë në Shqipëri, në Maqedoni, në Plavë e në Ulqin, po edhe gjithandej Evropës Perëndimore, e tutje në ShBA e në Kanada, hynë në Kosovë bashkë me trupat e Aleancës Veriatlantike, ndonëse shumica prej tyre nuk kishin ku të ktheheshin, meqë piromanët ua kishin bërë shtëpitë shkrumb e hi. Me këtë akt, shqiptarët e Kosovës ridëshmuan faqe botës demokratike e liridashëse se atdheu për ta është më i shtrenjtë se gjithçka tjetër, më i ngrohtë e më i dashur se secili cep i këtij rruzullimi. Duke e pasur parasysh gjithë këtë që u tha më lart, dua t’ju siguroj se institucionet e Kosovës do të angazhohen me tërë mundësitë që kanë për t’u përkujdesur për familjet e të gjithë heronjve dhe dëshmorëve tanë që e skalitën emrin në altarin e lirisë. Po kështu, do të angazhohemi me gjithë qenien tonë që monumentet, lapidarët dhe mjediset përkujtimore kushtuar atyre të mirëmbahen e të trajtohen ashtu siç i ka hije një vendi që synon integrim të plotë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë. Ky është një borxh yni i natyrshëm, të cilin duhet ta kemi gjithmonë në mendje! Familjarë të nderuar të dëshmorëveZonja e zotërinj, Më lejoni të them në fund se aspirata jonë legjitime për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës është një kërkesë realiste, një kërkesë pragmatike, e cila nuk paraqet kurrfarë presedani, si po mundohen ta proklamojnë disa vende që hezitojnë ta pranojnë këtë realitet. Kosova është rast unik, sui generis, dhe si i tillë trajtohet edhe në planin e Presidentit Ahtisari, edhe nga shumica e shteteve të përfaqësuara në KS të OKB-së dhe nga Bashkimi Evropian. Rrjedhimisht, atyre që nuk duan ta pranojnë këtë të drejtë të pamohueshme, do t’ua përsërisim se precedent është pikërisht mosnjohja e vullnetit politik të popullit të Kosovës për liri e pavarësi, e kurrsesi njohja e saj. Kosova ka pasur histori krejtësisht të veçantë dhe s’mund të krahasohet me asnjë vend tjetër në botë. Kosova është rast më vete, prandaj edhe do të jetë shtet më vete, si çdo shtet tjetër i lirë, i pavarur dhe sovran në të gjithë territorin e vet. Kosova e pavarur është çelësi i stabilitetit dhe i paqes së qëndrueshme në këtë pjesë të Evropës Juglindore.Kjo edhe ishte ëndrra për të cilën u flijuan të gjithë dëshmorët tanë. Ky ishte ideali i tyre suprem, para të cilit ne përkulemi përjetësisht! Ju faleminderit!

This site is registered on wpml.org as a development site.