Gjatë udhëtimit të shenjtë për ruajtjen e qenies kombëtare dhe lirisë, shumë atdhetarë sakrifikuan edhe jetën, duke e skalitur me shkronja të arta emrin e tyre në panteonin e lavdishëm të historisë sonë. Ndaj, në këtë ditë të shënuar, ne po i përkujtojmë me krenari të gjithë ata që e shkrinë vetveten për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Në këtë udhëtim të madhërishëm të popullit të Kosovës për liri e mëvetësi, pa dyshim, sakrifica e Komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit, dhe e familjes së tij, është njëra ndër pikat më sublime. Ajo i dëshmoi botës vendosmërinë e palëkundur të popullit të Kosovës për çlirim nga sundimi i huaj, pavarësisht tagrit të lartë që duhej paguar.Të nderuar familjarë të dëshmorëve,Zonja dhe zotërinj,Ideali i lirisë, për të cilin ranë Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Agim Ramadani e shumë e shumë dëshmorë të tjerë, u jetësua me hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë, më 12 qershor 1999. Sot, kur po i përkujtojmë me pietetin më të lartë të rënët për liri, ne, po ashtu, u shprehim mirënjohjen tonë të thellë SHBA-ve dhe aleatëve të saj, që ndërhynë për ta ndaluar gjenocidin serb ndaj civilëve shqiptarë. Kjo ndërhyrje qe edhe frut i angazhimit të gjithanshëm të Lëvizjes politike për pavarësinë e Kosovës, së cilës i priu Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, i cili, po ashtu, ndërroi jetë pa e parë realizimin e plotë të vizionit të tij. Tetë vjet pas çlirimit, Kosova ndodhet para një akti me rëndësi jetike për të ardhmen, para përcaktimit përfundimtar të statusit të saj. Pritja e gjatë për qartësimin e kësaj të ardhmeje ka shkaktuar pakënaqësi te një pjesë e qytetarëve të vendit. Por, ne e ripohojmë bindjen e fuqishme të institucioneve tona se procesi ndërkombëtar i caktimit të statusit të Kosovës është në rrugë të mbarë dhe do të përmbyllet ashtu siç është edhe vullneti i shumicës së qytetarëve, me pavarësinë dhe sovranitetin e plotë të saj. Propozimi i Presidentit Ahtisari i përmban të gjitha atributet e shtetit sovran të Kosovës. Kosova do t’i ketë simbolet e saj, forcën mbrojtëse dhe të drejtën e anëtarësimit në mekanizmat ndërkombëtarë, duke përfshirë këtu edhe OKB-në. Po ashtu, ky dokument Kosovës ia garanton tërësinë territoriale dhe paprekshmërinë e kufijve të saj. Pra, Kosova po i bënë hapat e fundit drejt përmbylljes së pavarësisë së saj. Kjo nuk do të ishte e mundshme pa sakrificën sublime që ka bërë populli i Kosovës në të gjitha fazat e përpjekjeve për pavarësi dhe pa ndihmën e pazëvendësueshme të miqve tanë në botë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Unionit Evropian në rend të parë. Sot, jemi të sigurtë se Kosova, shtet i pavarur, së shpejti do të zë vendin e saj në familjen e kombeve të lira, e integruar plotësisht në strukturat evropiane dhe veri-atlantike. Kjo ishte ëndërra e të gjithë atyre që u flijuan për lirinë e Kosovës e që sot po bëhet realitet. Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta!