DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

FJALA E PRESIDENTIT SEJDIU NË WORLD AFFAIRS COUNCIL – SAN FRANCISKO

San Francisko, 12 janar 2010. – Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu mbajti sot një ligjëratë para anëtarëve të World Affairs Council në San Francisko të SHBA. Pas ligjëratës në këtë institucion prestigjioz, në të cilin kanë mbajtur ligjërata edhe burrështetas të shumtë nga vende të ndryshme të globit, Presidenti Sejdiu ka zhvilluar një debat të gjerë, duke dhënë përgjigje në interesimet e të pranishmëve lidhur çështjet ekonomike, trajtimin e pakicave në vend, çështjen e veriut të vendit, raportet me Serbinë, raportet me Federatën Ruse e çështje të tjera. Në vijim po ju përcjellim të plotë fjalimin e Presidentit Sejdiu:

Të nderuar anëtarë të World Affairs Council dhe anëtarë të Commonwealth Club,Zonja e zotërinj:Ndihem i nderuar që m’u dha mundësia të flas sot para jush, në këtë organizatë prestigjioze të politikës së jashtme. Është në veçanti, kënaqësi e madhe, të flas si Presidenti i parë i Republikës së Kosovës së pavarur, shtetit më të ri në botë. Ndaj, para se të nis e të flas për temën që kam zgjedhur, Kosova gati dy vjet pas pavarësisë – sukseset dhe sfidat, dua t’ju falënderoj edhe një herë për ftesën që më keni bërë dhe kënaqësinë që më keni dhënë të bashkëbisedoj me ju.Zonja dhe Zotërinj, Vendi im, Republika e Kosovës, pas një muaji, më 17 shkurt 2010, do ta kremtojë dyvjetorin e pavarësisë. Dita e Pavarësisë është data më sublime, më madhështore në historinë e një vendi. E tillë është ajo edhe për vendin tim, i cili arriti ta jetësojë ëndrrën e vet për të qenë i lirë dhe i pavarur pas një shekulli të rëndë të sundimit brutal nga Serbia.Për lirinë dhe mëvetësinë e Kosovës punuan, sakrifikuan dhe dhanë jetën e tyre atdhetarë tanë të nderuar të shumë brezave. Populli i Kosovës luftoi dekada të tëra për të qenë i barabartë në familjen e kombeve të lira të botës demokratike dhe rruga që kaloi për ta arritur këtë ditë, Ditën e Pavarësisë, nuk ishte aspak e lehtë. Përkundrazi, sa herë që lëvizja jonë kombëtare kërkonte të drejtat dhe liritë e veta legjitime, shtypja bëhej edhe më e vrazhdë, edhe më e rëndë.Shekulli XX njohu disa periudha tepër të vështira për shqiptarët në Kosovë. Serbia e kishte institucionalizuar dhunën ndaj popullit shumicë në Kosovë, ndaj shqiptarëve. Shtypja brutale e shqiptarëve në Kosovë u bë normë e sjelljes dhe e veprimit politik për periudha të gjata kohore. Kulmi i shtypjes dhe i mizorive ishte koha kur në pushtet u ngrit diktatori serb Sllobodan Millosheviq, i cili, gjatë viteve ’90, shkaktoi tragjedi të papara në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Së pari, rrënoi autonominë e atëhershme të Kosovës, bëri agresion në Slloveni, përgjaku Kroacinë, duke rrënuar fshatra e qytetet të tëra në atë vend, dogji e shkretoi Bosnjën e Hercegovinën, duke shkaktuar qindra mijëra viktima dhe së fundi iu vërsul Kosovës, me planin famëkeq “Patkoi”, i cili synonte dëbimin total të shqiptarëve nga Kosova.Zonja e zotërinj,Për një dekadë gjatë pushtetit të Millosheviqit, të drejtat themelore të shqiptarëve në Kosovë janë shkelur sistematikisht, por shqiptarët prapë vazhduan rezistencën paqësore të udhëhequr nga Presidenti Rugova. Megjithatë, në vitet 1998-’99, shqiptarët u detyruan t’i rrokin armët për të mbrojtur veten dhe për të fituar lirinë e tyre. Natyrisht, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte tepër e pabarabartë karshi forcave që kishte Millosheviqi. Ushtria dhe policia serbe kishte trashëguar tërë arsenalin e armëve të rënda të ish-armatës jugosllave, e cila llogaritej të ishte ndër më të fortat në Evropë. Me këtë makineri Millosheviqi shkaktoi të gjitha luftërat në ish-Jugosllavi, të cilave mendonte t’u jepte fund me spastrimin etnik të Kosovës.Megjithëse vuajtjet e popullit tonë ishin të mëdha, plani i Millosheviqit dështoi, sepse NATO-ja ndërhyri ushtarakisht dhe i dëboi ushtarët dhe paramilitarët serbë nga Kosova.Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë pa dyshim që është një rast unik jo vetëm në historinë e kësaj aleance, por në historinë njerëzore përgjithësisht, pasi që ishte ndërhyrja e parë që bëhej për qëllime humane, për shpëtimin e një populli nga shfarosja fizike.Çlirimi i Kosovës më 12 qershor 1999  i hapi udhë vendosjes së misionit civil ndërkombëtar në Kosovë, UNMIK-ut, si dhe pranisë së gjerë ushtarake të NATO-s, apo KFOR-it. Gjatë këtyre viteve, u ngritën edhe institucionet demokratike të Kosovës, u formuan Policia e Kosovës dhe Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat dhanë kontribut me vlerë në rimëkëmbjen  e jetës në Kosovë. Ndonëse ka zgjatur më tepër sesa ishte planifikuar fillimisht dhe shumë punë mund të ishin bërë më shpejt dhe në mënyrë më efikase, ne përherë kemi  thënë se misioni civil ndërkombëtar në Kosovë, UNMIK-u, ka qenë një rrëfim i mirë i investimit ndërkombëtar në Kosovë.Të nderuar pjesëmarrës,Kosova nuk mund të harrojë atë çka ka ndodhur në të kaluarën dhe tragjeditë e tmerrshme që ka përjetuar nën pushtetin e dhunshëm të Serbisë. Megjithatë, ka vendosur ta mbyllë atë kapitull dhe të kthehet nga e ardhmja për të mirën e gjeneratave të ardhshme. Përkundër të gjitha tragjedive që Serbia i ka shkaktuar, Kosova është prapë ajo që e ka shtrirë dorën e miqësisë për të siguruar një të ardhme ku popujt e të dyja vendeve do të jetonin në paqe dhe prosperitet. Për këtë arsye, Kosova është angazhuar edhe në negociatat e sponzoruara nga Kombet e Bashkuara, të udhëhequra nga fituesi i çmimit Nobel për Paqe, ish Presidenti i Finlandës, Marti Ahtisaari, si i Dërguar i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara. Përkundër përpjekjeve të jashtëzakonshme për të arritur një zgjedhje me anë bisedimesh, kjo thjesht ishte e pamundur, pasi që në takimet e shumta të Vjenës, ku zhvilloheshin bisedimet, Serbia refuzonte kategorikisht çdo zgjidhje, e cila e përjashtonte sundimin e saj mbi Kosovën. Pasi asnjë gurë nuk u la pa u lëvizur dhe ishte e qartë që një marrëveshje e negociuar nuk mund të arrihej, i dërguari i posaçëm i OKB-së propozoi pavarësi për Kosovën, për një periudhë fillestare të mbikëqyrur nga komuniteti ndërkombëtar.  Serbia përsëri insistoi në vazhdimin e negociatave dhe një treshe ndërkombëtare u autorizua nga Grupi i Kontaktit për t’i udhëhequr bisedimet e reja. Një përfaqësues i SHBA-ve (ambasadori Uisner), një përfaqësues i Bashkimit Evropian (ambasadori Ishinger) dhe një përfaqësues i Federatës Ruse (ambasadori Karçenko) nisën një cikël të ri bisedimesh me Prishtinën dhe Beogradin, por edhe kjo përpjekje e fundit përfundoi pa sukses.Më 17 shkurt 2008, përfaqësuesit e popullit të Kosovës shpallën pavarësinë e vendit, e cila u përkrah dhe u njoh shpejt nga një numër i madh i vendeve demokratike të botës. Deri më sot, Republika e Kosovës është pranuar si shtet sovran dhe i pavarur nga 64 shtete dhe ne po punojmë që ky numër të shtohet. Kosova është njohur dhe ka marrëdhënie bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me 22 vende të Bashkimit Evropian, nga 27 sa janë gjithsej, si dhe me shumë vende të tjera anekënd globit. Shtetet që kanë njohur Kosovën përfaqësojnë 2/3 të GDP-së botërore. Shtete të tjera kanë ndërmarrë hapa pozitivë, siç është pranimi i pasaportave të Republikës së Kosovës. Mbi 100 shtete e kanë përkrahur anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. Ne tashmë kemi hapur 21 ambasada dhe 9 konsullata dhe mund të themi se kemi ndërtuar një rrjet solid diplomatik. Ndërkohë, unë si President, Qeveria e Kosovës dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, po punojmë që të sigurojmë njohje të reja, sepse kjo është shumë e rëndësishme për vendin tonë.Zonja e zotërinj,Gjatë dy vjetëve të funksionimit të saj si shtet i pavarur dhe sovran, Republika e Kosovës ka shënuar suksese të jashtëzakonshme. Fillimisht, janë demantuar të gjithë ata që thoshin se pavarësia e Kosovës do ta destabilizojë rajonin. Përkundrazi, pavarësia e Kosovës i ka sjellë paqe dhe stabilitet rajonit, meqenëse të gjitha shtetet tona fqinje, me përjashtim të Serbisë, e kanë njohur Republikën e Kosovës dhe ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me këto vende. Por, përveç me fqinjët tanë të parë, Republikën e Malit të Zi, Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Maqedonisë, ne kemi marrëdhënie shumë të ngushta edhe me vende të tjera të rajonit, si me Kroacinë, me Slloveninë, me Turqinë, me Bullgarinë, me Hungarinë etj. Pra, pavarësia e Kosovës po dëshmohet si një faktor i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit në Evropën Juglindore, kështu që kundërshtuesit e saj përfundimisht duhet të heqin dorë nga pengimi i përpjekjeve tona për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim  etnie.Po ashtu, janë arritur rezultate të mira edhe në planin ekonomik. Procesi i privatizimit ka ecur mirë, megjithëse aty-këtu ka ndonjë vërejtje. Më 2009, Republika e Kosovë u bë anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e Bankës Botërore dhe kjo paraqet një sukses më vete. Ndonëse kriza globale financiare ka pasur ndikimet e saja negative edhe te ne, Kosova ka shënuar një ngritje të mirë ekonomike, të cilën ekspertët e vlerësojnë të sillet prej 5 deri 6 për qind. Institucionet e Republikës së Kosovës kanë dhënë dhe japin garanci të fuqishme që investuesit ndërkombëtarë të futen në tregun kosovar, i cili është mjaft atraktiv dhe u garanton atyre investime dhe profit të suksesshëm. Është me rëndësi gjithashtu se qytetarët kosovar kanë një shpirt dinamik ndërmarrës dhe janë mjaft të shkathtë në ekonomin e vogël, e cila vite me radhë ka mbajtur barrën financiare në vend.Edhe pse jo pa vështirësi suksese të mira janë arritur edhe në ringjalljen e minierave të Kosovës, të cilat janë shumë të pasura me ar, argjend, zink dhe minerale të tjera dhe paraqesin resursin kryesor ekonomik për të ardhmen e vendit. Mirëpo, përveç me minerale, Kosova disponon edhe një pasuri tjetër të madhe, rezervat e mëdha të thëngjillit, të cilat garantojnë lëndën e parë për prodhimin e energjisë elektrike. Duke ecur në trend me kohën, ne do t’i përkrahim fuqishëm edhe investimet alternative të prodhimit të energjisë elektrike, pasi që natyra e Kosovë e krijon këtë mundësi.Megjithatë, resursi kryesor i së ardhmes së Kosovës është rinia e saj. Kosova ka popullsinë më të re në Evropë. 52 për qind e banorëve të Kosovës janë nën moshën 27 vjeç, shumica prej të cilëve të arsimuar mirë dhe të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre për zhvillimin e vendit. Siç mund ta dini, shumë të rinj tanë kanë mbaruar apo janë në vijim e sipër të studimeve nëpër universitete me nam, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropë, ashtu edhe në vende të tjera. Gëzon fakti që pjesa dërrmuese e tyre, pasi të kenë mbaruar studimet dhe të kenë fituar gradat shkencore, kthehen në Kosovë dhe punojnë në institucionet e vendit, pavarësisht se atje marrin paga më të vogla sesa në vendet në të cilat janë specializuar.   Natyrisht, si çdo vend tjetër i porsalindur, edhe ne kemi vështirësisë dhe sfidat tona. Përveç shkallës mjaft të lartë të papunësisë, që është një preokupim yni i përhershëm, ne ballafaqohemi edhe me probleme të tjera, të cilat duan kujdes të veçantë. Fondi i Pensionistëve të Kosovës, i mbledhur me dekada nëpër bankat e ish-federatës, është plaçkitur nga Serbia, ndaj pensionistët tanë ende nuk mund t’i gëzojnë kursimet e tyre. Shumë familje në Kosovë lufta i ka lënë pa kryefamiljar, kështu që shteti është i detyruar t’u sigurojë asistencë sociale, në shumë sektore të tjera, veçmas në edukim dhe në shëndetësi pagat ende janë larg standardit evropian. Megjithatë, e rëndësishme është që institucionet e Kosovës kanë vizion si të ballafaqohen me këto vështirësi. Tashmë ato i kanë të qarta prioritet ekonomike, të cilat kërkojnë investime dhe përqendrim të shtuar sidomos në agrikulturë, në arsim, në shëndetësi dhe në energjetikë, të cilat, besojmë, me kohë do ta japin efektet e veta pozitive.Sigurisht, s’do të ishim të drejtë po të mos theksonim se edhe në fushë të infrastrukturës kemi ende mjaft punë, edhe pse në këtë lëmi janë bërë punë mjaft të mëdha. Vetëm për këta dy vjet, në Kosovë janë shtruar shumë rrugë të reja, janë ndërtuar shumë shkolla e objekte të tjera arsimore, si dhe janë ndërtuar shumë ambulanca, numri i të cilave mund të krahasohet me investimet që dikur nuk bëheshin gjatë një dekade të tërë. Rrjedhimisht, edhe cilësia e jetës së qytetarëve tanë ka ndryshuar për të mirë, ngaqë këto investime kanë ndikuar drejtpërdrejt në mirëqenien e jetës së tyre.Përkundër të arriturave të mëdha, Kosova ka ende sfida në veriun e vendit, ku kemi një përqendrim më të theksuar të strukturave paralele, të cilat financohen nga Beogradi zyrtar. E kam thënë dhe po e përsëris se në këto struktura ka plot njerëz që i kanë shumë borxhe drejtësisë. Udhëheqësit e tyre janë njerëz me të kaluar kriminale, që kanë kryer krime në Kroaci, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë. Pa u vënë këta njerëz përpara drejtësisë, është vështirë të mendohet stabiliteti në atë pjesë të Kosovës, e cila, fatkeqësisht, është shndërruar edhe në zonë të lulëzimit të kontrabandës ekonomike. Serbia investon fuqishëm që atë pjesë të mbajë sa më larg normalitetit, sepse nëpërmjet saj synon ta destabilizojë tërë Kosovën. Kuptohet, kjo bëhet me qëllimin që pastaj të thuhet, ja, Kosova nuk është në gjendje të funksionojë si shtet demokratik. Por, të jeni të bindur, edhe këto destruksionet të Serbisë do të përfundojnë pa sukses, sepse populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuar për ndërtimin e një të ardhmeje paqësore, stabile e prosperuese për të gjithë. Herët a vonë, Serbia do të pajtohet me faktin se Kosovë është shtet më vete, sovran dhe i pavarur, dhe do të heqë dorë nga veprimet që e minojnë ardhmërinë e të gjithë popujve të rajonit. Realiteti i Kosovës së pavarur nuk mund të ndryshojë dhe ora nuk mund të kthehet prapa.Këtë sfidë, që natyrisht s’është e lehtë, ne do ta tejkalojmë, si gjithmonë, me urtësi, me bashkëpunim me të gjitha palët që janë të interesuar të punojnë për të mirën e njerëzve të Kosovës, si dhe me vendosmërinë tonë për ta shtrirë sundimin e rendin dhe të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Në këtë aspekt, ne do të bashkëpunojmë ngushtë edhe me misionin e EULEX-it, të cilin e kemi ftuar në Kosovë për të na ndihmuar pikërisht në këto dy fusha.Përfundimisht, theksoj edhe një herë se Republika e Kosovës është e vendosur të arrijë në cakun e saj final, të integrohet sa më parë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare, duke e ruajtur dhe duke e kultivuar me xhelozi miqësinë speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Ju faleminderit! 

This site is registered on wpml.org as a development site.