Në një vend demokratik, të gjithë duhet të ndihen njësoj përgjegjës dhe meritorë si për të arriturat, ashtu edhe për dështimet, sepse vendi është i të gjithëve njësoj.
Prishtinë, 16 shkurt 2010I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Jakup Krasniqi,I nderuar Kryeministër Thaçi,Të nderuar deputetë e ministra në Qeverinë e Kosovës,I nderuar shef i EULEX-it, z. Iv de Kermabo,I nderuar Përfaqësues Civil Ndërkombëtar, z. Piter Feith,I nderuar kongresmen Pomeroj,Të nderuar ambasadorë të akredituar në Prishtinë,I nderuar Komandant i KFOR-it, Gjeneral Markus Bentler,Të nderuar përfaqësues të Forcës së Sigurisë dhe të Policisë së Kosovës, Të nderuar familjarë të dëshmorëve, Të nderuar përfaqësues të jetës arsimore, shkencore, kulturore e shpirtërore të vendit,Të nderuar përfaqësues të mediave,Zonja e zotërinj,Ju kam ftuar sonte që së bashku të ngremë dolli për nder të dyvjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, për të përkujtuar së bashku të gjithë ata njerëz të mirë të Kosovës, të cilët u flijuan gjatë viteve për lirinë dhe mëvetësinë e vendit tonë të dashur.Dy vjet pasi që përfaqësuesit e popullit të Kosovës shpallën pavarësinë, Republika e Kosovës është njohur nga 65 vende të botës demokratike dhe është anëtarësuar në institucione të rëndësishme ndërkombëtare, siç janë Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Gjithashtu, ne kemi hapur 21 ambasada dhe 10 misione konsullore në vendet që na kanë njohur dhe po punojmë me të gjitha kapacitetet për njohje të reja. Në këtë proces shumë të rëndësishëm, ne kemi pasur përkrahjen e plotë të vendeve tona mike, të cilat vazhdojnë të qëndrojnë pranë nesh në përpjekjet tona për forcimin e institucioneve demokratike në vend, si dhe për shpejtimin e integrimit të Kosovës në institucionet euroatlantike.Edhe sonte, ritheksojmë se vizioni ynë nacional/shtetëror është anëtarësimi sa më i shpejtë i Kosovës në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë, duke e ruajtur dhe duke e kultivuar me ndjenjë të veçantë miqësinë e ngushtë e të përhershme që kemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendet e BE-së si dhe me të gjitha vendet e botës demokratike.Të nderuar mysafirë,Pavarësia e Kosovës i ka sjellë paqe dhe stabilitet rajonit. Marrëdhëniet e shkëlqyera me vendet fqinje, me Republikën e Shqipërisë, me Maqedoninë dhe me Malin e Zi dëshmojnë se edhe rajoni ynë mund të jetë pjesë e integruar e familjes evropiane dhe t’i japë asaj tërë koloritin e pasur të kulturës dhe të trashëgimisë së larmishme etnike, kulturore e shpirtërore që na kanë dhuruar shekujt. Ne shpresojmë që me kohë, edhe Serbia do ta kuptojë se vendi i kësaj pjese të Evropës Juglindore është në Evropën e bashkuar, ndaj përsërisim ftesën tonë të sinqertë për Beogradin zyrtar që të heqë dorë nga politikat e hegjemonisë ndaj të tjerëve dhe t’u bashkohet përpjekjeve për një të ardhme më të ndritur të popujve tanë.Gjatë dy viteve të pavarësisë Republika jonë është ballafaquar me sfida e vështirësi të ndryshme. Në planin e sigurisë, problem numër një ka qenë dhe mbetet kthimi i rendit dhe i stabilitetit në veri të vendit, ku fatkeqësisht ende kemi struktura paralele dhe shkallë të lartë të kontrabandës së mallrave dhe të kriminalitetit ekonomik. Strategjia e institucioneve të Kosovës dhe e Zyrës së Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar (ICO) për veriun dhe mbështetja që po i jepet asaj nga bashkësia ndërkombëtare na bëjnë të besojmë se edhe kjo pjesë e vendit do t’i rikthehet normalitetit, në mënyrë që qytetarët që jetojnë atje, pa dallim etnie, të ndihen të lirë dhe të sigurt për veten dhe për të ardhmen e familjeve të tyre. Stabiliteti i përgjithshëm i vendit është i lidhur me përkushtimin shtetndërtues të institucioneve të Kosovës dhe bashkëpunimin e përhershëm me KFOR-in, i cili ndihmon sigurinë e vendit tonë, si dhe me EULEX-in, i cili ka rol mbështetës në sferat e sigurisë dhe të sundimit të ligjit. EULEX-i ka përkrahjen tonë të plotë dhe ne presim se ai do të vazhdojë të japë kontribut për funksionimin e pushtetit ligjor në tërë Kosovën. Po ashtu, presim se e gjithë shoqëria jonë, të gjitha institucionet dhe qytetarët, do të bashkohen në luftimin e dukurive negative, të cilat e dëmtojnë imazhin e vendit tonë. Në këtë kontekst, angazhimi për vende të reja të punës, sidomos për të rinjtë tanë, krijimi i lehtësive për biznesin e vogël dhe të mesëm duhet të jenë prioritete të institucioneve të vendit. Të dashur miq, Zonja e zotërinj,Nesër vendi ynë do të agojë në vitin e tretë të pavarësisë së vet. 17 shkurti i vitit 2010 do të sjellë shpresa të reja dhe besim për një të ardhme më të mirë për vendin tonë, shtetin më të ri në këtë pjesë të Evropës dhe të botës. Por, që shpresat dhe ëndrrat e qytetarëve të Republikës së Kosovës të mos mbesin ndjesi abstrakte, nevojitet punë më e madhe, më shumë zell dhe përkushtim nga të gjithë, si nga ata që sot janë në institucione dhe qeverisin vendin, ashtu edhe nga ata që janë në opozitë dhe synojnë që një ditë ta marrin primatin udhëheqës. Në një vend demokratik, të gjithë duhet të ndihen njësoj përgjegjës dhe meritorë si për të arriturat, ashtu edhe për dështimet, sepse vendi është i të gjithëve njësoj.Uroj që viti i tretë i pavarësisë t’i sjellë më shumë paqe, stabilitet e begati vendit tonë të dashur, Republikës së Kosovës!Uroj që vendet mike të Kosovës të kenë vetëm paqe dhe mbarësi!Urime, shëndet dhe fat!Zoti e bekoftë Kosovën,Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës