“I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi,
I nderuari kryeministër Hashim Thaçi,
Të nderuar deputetë dhe ministra,
I nderuari z.Feit dhe Kermabo
Të nderuar ambasadorë
Përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe të misioneve diplomatike në Kosovë,
Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,
”
“Më lejoni që në emër të qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, t?i shpreh mirëseardhjen më të përzemërt Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha, i cili, pa dyshim, pati rol historik në ndryshimet dhe të arriturat e mëdha të Shqipërisë dhe të gjithë rajonit tonë gjatë dy dekadave të fundit.
I nderuari Kryeministër Berisha,
Qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës ju falënderojnë nga zemra për përkrahjen e parazervë që ju, Qeveria dhe i gjithë populli i Shqipërisë i keni dhënë Kosovës në vazhdimësi, dhe në çastet më të rënda të historisë sonë.
Republika e Shqipërisë ka qenë përherë zë i artikuluar i mbështetjes së aspiratave legjitime të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci. Shteti shqiptar është edhe sot i përkushtuar tërësisht për ta mbështetur Republikën e Kosovës. Ky përkushtim dëshmohet kudo dhe kurdo që Shqipërisë i jepet rasti të flasë për Kosovën dhe të drejtën e saj absolute për të qenë e lirë dhe e pavarur.
I nderuar Kryeministër Berisha,
Republika e Kosovës deri sot është njohur nga 62 shtete sovrane e demokratike të botës. Ne po punojmë që ky numër të rritet, sepse jemi të vendosur që procesin e pakthyeshëm të integrimit euroatlantik të vendit tonë ta përmbyllim me sukses.
Duke ripohuar zotimin tonë për garantimin e plotë të lirisë dhe të të drejtave të secilit qytetar pa dallim etnie dhe besimi, ne ritheksojmë po ashtu se Kosova është dhe do të jetë gjithmonë faktor i paqes, i stabilitetit dhe i së ardhmes prosperuese për tërë rajonin.
Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,
Kryeministri Sali Berisha është dëshmuar si një lider vizionar dhe i vendosur në sfidat e shumta me të cilat është ballafaquar. Ai me sukses punoi për Shqipërinë e integruar në institucionet euroatlantike dhe pati një rol vendimtar në transformimin e madh të Shqipërisë gjatë këtyre dy dekadave të fundit.
Nën udhëheqjen e tij, si president dhe kryeministër, por edhe si lider i opozitës, Shqipëria doli nga izolimi shumëvjeçar dhe iu bashkua botës së lirë e demokratike. Me kënaqësi të jashtëzakonshme, sot themi se Republika e Shqipërisë është anëtare e NATO-s, është në rrugë të mirë drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe po shënon çdo ditë rezultate të pamohueshme ekonomike.
Inaugurimi i autostradës Durrës-Morinë, ide e hershme e Presidentit Rugova, është një nga arritjet më të mëdha të Qeverisë Berisha, e cila duke jetësuar ?udhën e kombit? krijoi mundësi të reja për bashkëpunimin dhe afrimin në mes dy vendeve tona.
Prandaj, duke i pasur parasysh të gjitha cilësitë e personalitetit dhe meritat e tij si lider politik e si burrështetas, dhe duke u mbështetur në kompetencat që me jep Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si President i vendit, unë sot e kam dekoruar Kryeministrin Berisha me ?Medaljen e Artë të Lirisë?.
Zoti e bekoftë Republikën e Shqipërisë!
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!
Zoti i bekoftë miqtë tanë!
“