Me besimin e plotë te liria dhe e drejta e popullit shqiptar të Kosovës për të qenë Zot në shtetin e vet, atdheut iu bënë fli shumë burra të mëdhenj. Lufta e fundit i futi në këtë radhë edhe luftëtarin e madh e strategun Ilir Konushevci dhe mjekun trim nga Tropoja, Hazir Malaj, të cilët u shfaqën ndër figurat më të mëdha të kësaj lufte, krahas Adem Jasharit, Zahir Pajazitit, Agim Ramadanit, Sali Çekajt e shumë e shumë të tjerëve.
E nderuara familje Konushevci,E nderuara familje Malaj,I nderuari z.kryeministër ThaçiTë nderuar bashkëluftëtarë e familjarë të Ilir Konushevcit dhe të Hazir Malajt,Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, ministra dhe deputetë,Të nderuar udhëheqës të partive politike,Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare në Kosovë, Zonja dhe zotërinj, I. Të nderosh luftëtarët e lirisë, dëshmorët e kombit, në çdo përvjetor të tyre, është më shumë se përkujtim për jetën dhe veprën e tyre veç e veç: është kujtesë për vlerat kombëtare. Shteti që kujton dhe respekton të kaluarën e vet më të mirë, e ka të sigurt ardhmërinë në gjirin e kombeve të lira të botës.Ky tubim përkujtimor na përkujton edhe një herë se sa e dhimbshme dhe njëkohësisht sa e rëndë e sa e vështirë ka qenë përpjekja dhe lufta e gjatë për liri e popullit të Kosovës. Dhe pikërisht kjo përpjekje dhe luftë e vazhdueshme, në situatën e rëndë të shtypjes e të vuajtjeve në shekullin që lamë pas, ka qenë pika që ka bashkuar të gjithë shqiptarët e Kosovës.Me besimin e plotë te liria dhe e drejta e popullit shqiptar të Kosovës për të qenë Zot në shtetin e vet, atdheut iu bënë fli shumë burra të mëdhenj. Lufta e fundit i futi në këtë radhë edhe luftëtarin e madh e strategun Ilir Konushevci dhe mjekun trim nga Tropoja, Hazir Malaj, të cilët u shfaqën ndër figurat më të mëdha të kësaj lufte, krahas Adem Jasharit, Zahir Pajazitit, Agim Ramadanit, Sali Çekajt e shumë e shumë të tjerëve.Figurat e të gjithë atyre që iu bënë themel shtetit tonë të ri, Republikës së Kosovës, janë përjetësuar sot dhe kanë zënë vend në kujtesën e kombit, janë bërë pjesë e historisë sonë të re, pjesë e kujtimit që ndonjëherë edhe mund të na ligështojë, por që gjithmonë na jep forcë që të mos ndalemi asnjëherë së ndërtuari, së përparuari dhe së ruajturi shtetin që u krijua mbi kaq shumë sakrifica.II. Të nderuar pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimoreVitin e kaluar, në dhjetëvjetorin e rënies së Heroit të Kosovës, Ilir Konushevci dhe dr. Hazir Malajt, Republika e Kosovës kishte pak muaj që kishte shpallur pavarësinë e saj dhe ishte njohur e pranuar si shtet nga fuqitë më të mëdha, shtetet më me ndikim në botë.Sot, realitetin e ri në hartën e Evropës dhe të botës e kanë pranuar 58 vende. Shtete të tjera e kanë paralajmëruar njohjen e Republikës së Kosovës. Të ngarkuarit me punë të Republikës së Kosovës ka muaj që janë vendosur në dhjetë shtete dhe ata po bëjnë një punë shumë të mirë në funksionalizimin e misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës dhe në kontaktet me vendet mikpritëse e me përfaqësues misionesh të vendeve të ndryshme. Janë në zhvillim e sipër edhe procedurat për emërimin e ambasadorëve në këto shtete dhe në tetë ambasadat e tjera që do të hapen së shpejti, sikur që do të hapen edhe nëntë misione konsullore.Muajin e ardhshëm do të shënojmë edhe njëvjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, një datë kjo shumë e rëndësishme në historinë e re të Republikës së Kosovës, pasi nga 15 qershori 2008, Kosova qeveriset me ligjet e veta, të cilat e kanë bazën në Kushtetutën e vendit, dokument që përmbledh në vete aspiratat e popullit të Kosovës dhe vullnetin e tij politik.E mbështetur nga miqtë, nga shtetet më të përparuara të botës, Republika e Kosovës po zhvillohet nga dita në ditë në një shtet modern, shumetnik, i të gjithë qytetarëve të saj, me synim të qartë integrimin sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha shtetet mike e përkrahëse të Republikës së Kosovës dhe synimit të saj properëndimor.Në këtë plan, një lajm shumë i mirë është anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar, një institucion ky shumë i fuqishëm, anëtarësim i cili hap një faqe të re në rrugën e zhvillimit ekonomik të vendit dhe të mirëqenies së qytetarëve tanë. Ky anëtarësim, gjithashtu, i hap rrugë anëtarësimit të Republikës së Kosovës edhe në institucione të tjera ndërkombëtare. Me këtë rast, falënderojmë të gjitha shtetet që votuan pro anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion, ndër të cilat janë edhe një numër i madh shtetesh që ende zyrtarisht nuk e kanë pranuar Republikën e Kosovës. Ky gjest i tyre, kjo votë e tyre, është e një rëndësie të veçantë për ne, një shenjë se edhe shtetet që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, po e përparojnë qëndrimin e tyre drejt pranimit të realitetit të ri, shtetit të Kosovës.III. Të nderuar pjesëmarrësVepra e madhe dhe sakrifica sublime e dëshmorëve të kombit është një udhërrëfyes për çdo veprim të institucioneve tona. Kujtimi për ta do të ketë kuptimin e plotë vetëm nëse Republika e Kosovës, ëndrra dhe synimi i tyre kulmor, do të zhvillohet ashtu siç e kanë dëshiruar ata dhe ashtu siç e synojmë ne, vazhduesit e projektit për shtetin e ri, që synon zhvillimin dhe ecjen krah me botën e përparuar.Në këtë kontekst, Republika e Kosovës synon ruajtjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të mirë me të gjitha shtetet fqinje. Kemi marrëdhënieve shumë të mira me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, të cilat edhe e kanë njohur Republikën e Kosovës. Besojmë që me kohë edhe fqinji ynë tjetër, Serbia, do të bindet se nuk mund të shkohet përpara duke e mohuar realitetin.Ju e dini se unë kam hedhur idenë e lëvizjes së lirë të qytetarëve të vendeve tona, drejt krijimit të një mini-Shengeni ballkanik. Kjo ide me kohë po gjen mbështetjen edhe te fqinjët dhe nuk do të jetë e largët dita kur qytetarët tanë do të lëvizin nga njëri shtet në tjetrin pa pasaporta.Projekte të tjera drejt integrimeve janë gjithashtu në vlugun e zhvillimit. Rruga Durrës-Prishtinë, një ide e hedhur kahmoti nga Presidenti Ibrahim Rugova dhe e përkrahur dhe e zhvilluar nga institucionet e Shqipërisë, lirisht mund të them, një ëndërr gjithëshqiptare, po bëhet realitet. Po shkurtohen udhët e gjata dhe orët e tëra të udhëtimeve, ndërsa me Portin e Shëngjinit, që Qeveria e Shqipërisë e ka vënë në dispozicion të Kosovës, zhvillimi i gjithëmbarshëm i shtetit tonë do të njohë të tjera trende.Dhe në fund, më lejoni të theksoj se institucionet e Republikës së Kosovës, shteti për lirinë e të cilit u flijuan edhe Iliri, Haziri e shumë trima të kohës, dhe të cilin ne të gjallët do ta ruajmë si sytë e ballit, do të kujdeset për të vlerësuar e nderuar përgjithmonë të gjithë ata që u flijuan në misionin e shenjtë të lirisë e pavarësisë së tij. Figurat e mëdha të kombit bëhen pika referimi në gjithë ecjen dhe zhvillimin tonë. Ato na bëjnë të kthehemi shpesh prapa, të shohim lavdinë e tyre dhe të nderojmë të gjithë ata që me luftën e tyre, me sakrificat iu kundërvunë të keqes së madhe që na pllakosi fundshekullin e shkuar. I tillë pa asnjë dyshim është emri, jeta dhe lufta e Ilir Konushevcit e Hazir Malajt e gjithë të tjerët. Ndaj dhe unë, si President i vendit, bazuar në kompetenca që kam, e kam dekoruar atë me Urdhrin “Hero i Kosovës”, një dekoratë që do të shërbejë si një nderim i madh për Ilirin dhe për të gjithë ata luftëtarë e atdhetarë të dalluar, që, duke dhënë më të shtrenjtën, jetën e tyre, për lirinë e Kosovës, u bënë pjesë e pandashme e kujtimit tonë për të shkuarën dhe udhërrëfyes e pikë referimi për të sotmen dhe të ardhmen. Po kështu, kam marrë vendim që dr.Hazir Malajn ta dekoroj me Medaljen e Artë “Luftëtari i Lirisë, Adem Jashari”. Këto medalje do t’i ndajmë në një ceremoni të veçantë që do të organizohet për heronjtë dhe dëshmorët e kombit.I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës!Ju faleminderit!