presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

FJALA E PRESIDENTIT SEJDIU NË KUVENDIN E KOSOVËS PAS RIZGJEDHJES PRESIDENT I KOSOVËS

“Të nderuar Deputetë,
Zonja dhe Zotërinj,
Më lejoni para së gjithash që t?ju shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim të thellë për besimin që më dhatë për të qenë edhe një mandat në krye të institucionit të Presidentit të vendit. Dua të zotohem para jush të nderuar deputetë dhe para qytetarëve të Kosovës se do të vihem me të gjitha fuqitë dhe dijen time në mbrojtjen dhe respektimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Kujdes të veçantë do t?i kushtoj ruajtjes së unitetit demokratik të vendit dhe me gjithë energjinë do të angazhohem për të mirën e gjithë qytetarëve të Kosovës, vendit tonë të dashur.

“Sot, po përmbyllim një proces të rëndësishëm demokratik nëpër të cilin ka kapërcyer populli i Kosovës, mbi bazën e zgjedhjeve parlamentare të nëntorit 2007 dhe po hapim një kaptinë të veçantë duke përfunduar procesin e konstituimit të institucioneve demokratike në mbështetje të vullnetit politik të popullit të Kosovës.
Qytetarët e Kosovës dhe të gjitha partitë politike, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur që garuan në këto zgjedhje, treguan pjekurinë e lartë politike duke e kapërcyer suksesshëm këtë sprovë të madhe dhe duke dëshmuar kulturë të lartë politike dhe shtetformuese.
Rrallë mund të gjendet një vend i cili ka kapërcyer me kaq dinjitet dhe me sukses sfidat e shumta paralele siç bëri Kosova në këta muajt e fundit.
Për të gjitha institucionet e Kosovës dhe Ekipin e Unitetit sfidë e veçantë ishte angazhimi për përmbylljen e procesit të bisedimeve për statusin politik – që është bërë në mënyrën më të mirë të mundshme – dhe në po të njëjtën kohë mbajtja e një procesi zgjedhor demokratik, i cili u përshkua me një konkurrencë të theksuar në prezantimin e programeve gjatë fushatës elektorale.
Kosova arriti me sukses të mbajë unitetin e saj veprues dhe të dëshmojë qëndrueshmërinë e funksionimit demokratik të institucioneve të saj, duke iu falënderuar në radhë të parë përputhshmërisë së plotë të qëndrimeve të spektrit politik dhe institucional sa i përket çështjes themelore ? pavarësisë së Kosovës.
Të nderuar deputetë,
Jam i bindur se institucionet e reja të Kosovës; Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi fuqishëm dhe me energji të përbashkët do të japin kontributin maksimal të tyre në zhvillimin dhe konsolidimin e mëtejmë të demokracisë në Kosovë.
Para së gjithash, para institucioneve të reja të Kosovës shtrohen disa detyra themelore, të cilat jam i bindur se me sukses do t?i përmbarojmë.
Institucionet e Kosovës; Presidenca Qeveria dhe Kuvendi si institucionet më të larta përfaqësuese dhe ekzekutive:
1. Do të përmbyllin me sukses procesin e pavarësimit të Kosovës në realizim të vullnetit legjitim të popullit të saj dhe do të miratojnë Kushtetutën e shtetit të ardhshëm të Kosovës.
2. Do të zgjerojnë korpusin legjislativ në përputhje me Pakon e Presidentit Ahtisari dhe me standardet më të larta bashkëkohëse ndërkombëtare, si dhe gjithë korpusin legjislativ të nevojshëm për të mbështetur funksionimin institucioneve dhe të mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve.
3. Do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme që të përshpejtojnë integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike si orientim themelor i shtetit të Kosovës.
Jam i bindur se të gjitha forcat politike do të mbajnë frymën e bashkëpunimit të frytshëm për të siguruar edhe më tutje funksionimin demokratik të institucioneve të Kosovës në të mirë të interesave të vendit. Po kështu, institucionet e Kosovës do të bashkëpunojnë ngushtë me praninë ndërkombëtare civile dhe ushtarake në periudhat tepër të rëndësishme dhe vendimtare në të cilat po hyn vendi ynë.
Të nderuar deputetë,
Zonja dhe Zotërinj,
Më lejoni të theksoj se Kosova e pavarur, e cila shpejt do të marrë edhe bekimin ndërkombëtar, do të jetë thellësisht e përkushtuar në bashkëpunimin dhe zhvillimin e një fqinjësie të mirë me të gjitha vendet e rajonit duke qenë faktor stabiliteti për këtë pjesë të Evropës dhe të botës. Në veçanti, institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të mbrojnë dhe garantojnë liritë dhe të drejtat e të gjitha grupeve etnike joshumicë. Kujdes i veçantë do t?i kushtohet mirëqenies dhe integrimit të plotë të komunitetit serb në Kosovë. Institucionet e reja të Kosovës synojnë një Kosovë, shtëpi dhe mundësi e barabartë për të gjithë.
Duke qenë i bindur në përkushtimin e institucioneve të Kosovës për ta çuar përpara shtetin e ri të Kosovës, më lejoni që t?ju dëshiroj shëndet dhe punë të mbarë e të suksesshme në përmbushjen e mandatit dhe objektivave tuaj.
Jam i sigurt se së bashku do t?ia dalim.
Ju faleminderit!

This site is registered on wpml.org as a development site.