presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

FJALA E PRESIDENTIT SEJDIU ME RASTIN E SHËNIMIT TË 9 MAJIT – DITËS SË EVROPËS.

“I nderuari Kryetar i Kuvendit z. Krasniqi, I nderuar z. Rucker,
Të nderuar përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe institucioneve të tij në Kosovë, z. Feith dhe z. Davidi,
Të nderuar zv/ Kryeministra Kuçi dhe Manaj dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të vendit e të misioneve diplomatike,
Të nderuar profesorë e studentë,
Zonja dhe zotërinj,

“Është jo e rastësishme që në Kosovë tashmë me një traditë disavjeçare shënohet 9 maji ? dita e Evropës ? si ngjarje historike me të cilën u vunë bazat e bashkëpunimit midis shteteve evropiane, parim ky që vazhdon të udhëheqë edhe sot marrëdhëniet midis tyre nën ombrellën e përbashkët të Bashkimit Evropian.
Me pavarësimin e saj, Kosova i ka hapur rrugë zhvillimit dhe perspektivës së këtyre vlerave ndërsa, me mbështetjen dhe njohjen e pavarësisë së saj nga shumë vende demokratike të Bashkimit Evropian dhe botës, Kosova merr mbështetjen për të realizuar përpjekjet e saj drejt përmbushjes së obligimeve që dalin nga procesi i integrimit. Ky përkushtim tregon qartë se integrimi në Bashkimin Evropian dhe më gjerë përbën vizionin tonë themelor për ecje të mëtejshme përkrah vendeve të zhvilluara të botës.
Deklarata e 9 majit e vitit 1950 mbështetej në idenë e krijimit të një Evrope të organizuar në të cilën mbizotëron paqe dhe harmoni midis popujve. Kjo ide, parimet e së cilës ngërthehen sot në zhvillimin e raporteve midis shteteve evropiane, gjen mbështetjen e saj edhe në këtë pjesë të Evropës Juglindore në të cilën Kosova merr përgjegjësinë e saj për rolin që i takon në kultivimin e mëtejmë të këtyre vlerave duke zhvilluar marrëdhënie të mira me gjithë shtetet fqinje dhe shtetet tjera të botës demokratike.
Kosova është po ashtu e vetëdijshme se rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian kërkon përkushtimin më të madh të të gjitha forcave politike dhe shoqërore të vendit, për të cilën tashmë ekziston një pajtueshmëri e plotë. Vetë hapja e aktiviteteve për të shënuar këtë ditë të Evropës tregon se ekziston një përkushtim i gjerë jo vetëm i institucioneve të saj shtetërore por, edhe i gjithë subjekteve politike, komunitetit të biznesit e kë kulturës dhe më e rëndësishmja e vetë qytetarëve në angazhimin e përbashkët për të shpejtuar integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike.
Ndërkaq, zhvillimi politik, ekonomik dhe shoqëror dhe respektimi i plotë i të drejtave të të gjitha komuniteteve përveç obligim për përmbushjen e standardeve të BE-së përbëjnë përcaktimin tonë kryesor për të hapur perspektivën tonë të zhvillimit në vazhdën e avancimit të shtetit tonë të pavarur, parime këto që janë përcaktuar qartë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe për të cilat ekziston përkushtim I plotë për zbatimin e tyre praktik.
Është me rëndësi të kujtojmë se Kosova përveç kultivimit të këtyre vlerave në brendinë e saj, është e përcaktuar thellë në avancimin e tyre duke bashkëpunuar me gjithë shtetet e rajonit. Bashkëpunimi më i ngushtë midis shteteve të kësaj pjese të Evropës Juglindore është kusht i domosdoshëm për paqen dhe stabilitetin e përgjithshëm në rajon dhe më gjerë.

Studentë të nderuar,

Ne të gjithë mund të japin kontributet tona gjatë këtij procesi por, roli që keni ju në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkim Evropian paraqet forcën kryesore shtytëse për përshpejtimin e këtij procesi dhe për dhënien e rezultateve konkrete në përmbushjen e kritereve. Jeni ju ata që do të bartni këto përgjegjësi tek gjeneratat e ardhshme duke përcjellë njëlloj përcaktimin tuaj të qartë drejt zhvillimit të edukimit që tashmë ka kaluar kufijtë shtetërorë. Kjo pa dyshim do t?i ndihmojë kultivimit të arsimit dhe rritjes së standardeve të përgjithshme, që do t?i hapnin rrugë zhvillimit tonë dhe realizimit të përkushtimit tonë për integrim.

Zonja dhe zotërinj,

Le të na shërbejë 9 maji si ditë e dëshmimit tonë për prezencën evropiane dhe ndërkombëtare në Kosovë dhe le të përcjellim mesazhin edhe më tej se Kosova përveç vizionit të saj përkushtim themelor ka procesin e integrimit mbi bazën e zhvillimit dhe konsolidimit të vlerave bashkëkohëse të cilat I kemi përqafuar kaherë.
Dua të ritheksoj se Kosova po e rigjen vendin e vet politik në Evropë duke kujtuar se kulturalisht e shpirtërisht kemi qenë këtu, në Evropë, prej fillimeve, pra që nga lashtësia. Sot Kosova është e gatshme të lëvizë fuqishëm në drejtim të forcimit të bashkëpunimit të saj me BE-në dhe kështu më shpejt të kapërcejë rrugën për anëtarësimin e saj në BE dhe NATO.
Më lejoni që në emër të popullit dhe institucioneve të Kosovës, të shprehi falënderimet dhe konsideratat më të larta për të gjitha vendet që kanë ndihmuar dhe po e ndihmojnë Kosovën në ecjen e saj të suksesshme.

Ju faleminderit!

(Ky fjalim është mbajtur më 9 maj 2008, në ceremoninë e organizuar me rastin e hapjes së aktiviteteve për Ditën e Evropës).

This site is registered on wpml.org as a development site.