presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentit Fatmir Sejdiu në Konferencën e shkencave mjekësore forenzike

I nderuari Zëvendëskryeministër Manaj,
E nderuar zonja Ministre e Drejtësisë Kelmendi,
Të nderuar mysafirë, studiues të shkencave mjekësore forenzike,
Të nderuar pjesëmarrës të konferencës,

Më lejoni t’ju dëshiroj mirëseardhje dhe punë të mbarë në këtë ngjarje shkencore me karakter ndërkombëtar që po mbahet nën përkujdesjen time. Problemi i personave të pagjetur dhe i identifikimit të mbetjeve mortore të personave të vrarë në periudhën e luftës ka shoqëruar vendin tonë qe më se një dekadë.  Janë qindra familje kosovare që ende edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të jetojnë në ankth të thellë e në vuajtje për më të dashurit e tyre. Përpjekjet  tona që të bëhet zbulimi i rreth 2.000 personave të pagjetur dhe të bëhet identifikimi i të gjitha mbetjeve mortore, nuk kanë ndalur për asnjë moment. Ne shpresojmë  se sensibilizimi i mëtejmë i opinionit të gjerë, por edhe i familjarëve të personave të pagjetur, për metodat më të reja identifikuese dhe shpjegimet shkencore për  këtë proces, do të na ndihmojë në vazhdën e këtyre përpjekjeve dhe angazhimeve shtetërore. Metodat e reja hulumtuese të identifikimit janë prioritete edhe të profesionistëve dhe të shkencëtarëve tanë, të cilët do të kenë rastin që të shkëmbejnë përvojat e tyre dhe së bashku me kolegët nga vendet e ndryshme të botës të kontribuojnë lidhur me futjen në përdorim të këtyre metodave.  Të nderuar pjesëmarrës të kësaj konference, Ekspertë të mjekësisë ligjore, Kontributi juaj në këtë konferencë do të dëshmojë edhe njëherë se humaniteti iu përket në rend të parë profesionistëve dhe shkencëtarëve të cilët me punën e tyre ndihmojnë shoqërinë në përgjithësi. Edhe kësaj radhe nëpërmjet kësaj konference po dëshmoni se kapacitetet tuaja profesionale e shkencore i keni vënë në shërbim të humanizmit. Obligim yni shtetëror ka qenë dhe mbetet që nëpërmjet çdo forme të mundshme humanitare dhe profesionale të angazhohemi dhe të kontribuojmë që çështja e të pagjeturve dhe e identifikimit të mbetjeve mortore të trajtohet me prioritet shtetëror. Në vazhdën e angazhimeve tona shtetërore hyn edhe kjo konferencë e organizuar nga Ministria e Drejtësisë, me pjesëmarrje të emrave të njohur të shkencave forenzike nga vendet e ndryshme të botës, të cilët janë dëshmuar me standarde dhe kualitete të larta profesionale në këtë lëmë në planin ndërkombëtar. Angazhimet tona nuk do të rreshtin në ngritjen e mëtejme të kapaciteteve vendore profesionale e shkencore të kësaj fushe. Përkrahja shtetërore në ngritjen e këtyre kapaciteteve do të konkretizohet duke u bazuar edhe në konkluzionet që do të dalin nga kjo Konferencë Ndërkombëtare.Unë dua të them në këtë moment, mbase do të bie edhe si koincidencë, e 11 vjetorit të sulmeve të NATO-s mbi caqet vrastare të Serbisë të cilët janë shkaktari kryesor i vrasjeve të shumta të njerëzve të Kosovës që asnjëherë më në historinë apo në të ardhmen e popujve të rajonit dhe të popujve të tjerë të mos ketë të vrarë, të mos ketë luftë, të mos ketë konflikte dhe tragjedi. E përsëris thirrjen tonë posaçërisht drejtuar institucioneve të shtetit serb që të bëjnë distancën e madhe nga njerëzit që kanë bërë krime dhe nga ato politika që kanë dashur të jenë hegjemone ndaj të gjithë popujve të rajonit, nga ato politika që fatkeqësisht edhe sot mbeten me viktimat e mëdha të pazbuluara. Është borxh edhe i ekspertëve të mjekësisë ligjore që të nxjerrin të vërtetën në kuptimin e dëshmimit për çdo person që nuk është identifikuar, por në të njëjtën kohë të jetë pjesë edhe e mesazhit që politikat e tilla që kanë vrarë njerëz dhe të cilat edhe sot e kësaj dite dëshirojnë në heshtje të pazbuluara të mos jenë prezentë, andaj them se duhet edhe një trysni më e madhe ndërkombëtare ndaj institucioneve shtetërore të Serbisë sot, nesër dhe në kohën më të shkurtër, sepse përndryshe do të mbetet identifikim i njëjtë apo pajtim me krimin e bërë në Kosovë. Ka qenë një planifikim i vrasjes totale me paramendim të një populli, ka qenë një ndjenjë vrastare ndaj shqiptarëve shumicë në Kosovë, ndaj etnive të tjera ashtu siç ka qenë një planifikim për vrasje dhe spastrime etnike krahas asaj që është bërë në Kosovë, edhe ndaj popujve të tjerë të ish federatës së shpërbërë. Apeli ynë te qarqet humaniste, qarqet shkencore, te institucionet shtetërore është që të mos të dorëzohen në veprimin e tyre, posaçërisht brenda shtetit serb karshi bashkësisë ndërkombëtare, për të nxjerrë poena nëse e dorëzon sot apo nesër një njeri, një mbetje mortore, por në të njëjtën kohë të bëjnë distancën e madhe ndaj krimit, të bëjnë distancën e madhe nga djegiet e trupave, sepse ka informacione se këtyre njerëzve që i mungojnë Kosovës mund të mos u gjenden as eshtrat. Andaj, është borxh i kohës së tashme, i gjeneratave që do të vijnë, është borxh për të vënë një taban të rëndësishëm në pjesën e kontributit për relacione të mira mes popujve dhe shteteve, vetëm atëherë do të prehet edhe shpirti, ankthi i përditshëm dhe do të jetë një pjesë pakëz e  qetësuar e dhimbjes së madhe që ndjejnë familjet e shumta të Kosovës. Më mirë për njerëzit tanë do të jetë një kallëzim i dhembshëm për tragjedinë e përjetuar sesa një dhimbje e pafund për njerëzit, të dashurit e tyre të cilët edhe kësaj ditë nuk kanë më të dashurit e tyre. Të nderuar pjesëmarrës,  Thirrja e Kosovës është për të bërë punë për të vërtetën, thirrja e Kosovës është për gjykatën dhe drejtësinë ndërkombëtare që sot, nesër dhe çdo herë të mos i lënë të qetë akterët që kanë bërë vepra të këqija. E mirë është në drejtësinë ndërkombëtare që krimet kundër njerëzimit nuk parashkruhen, dhe do të ishte po kështu e mirë që ndaj atyre që kanë bërë vepra të krimit të shkohet në thellësi të ndjekjes së tyre. Ne kemi përcjellë kohët e fundit edhe pjesën e proceseve që janë iniciuar në Republikën e Serbisë për krimet e bëra ndaj njerëzve të Kosovës. Do të dëshironim që të jenë procese të mirëfillta, por në të njëjtën kohë e bëjmë vërejtjen se nuk do të pajtohemi asnjëherë që këto procese të jenë pjesë e farsës së tyre për të thënë se po bëjnë diçka, por e mirë është megjithatë se pranohet krimi i bërë, por e mirë do të ishte nëse do të bëhet distancimi dhe jo fshehja e kriminelëve të luftës që kanë bërë krime në Kosovë por edhe në vende të tjera. Edhe pse nuk është pjesë e borxhit të juaj të drejtpërdrejtë, sepse kjo konferencë i përkushtohet zbardhjes së mbetjeve mortore, zbardhjes së fatit të të pagjeturve në Kosovë, dhe në të njëjtën kohë është pjesë e apelit  që të gjitha institucionet e tjera të bëjnë punën e vet, që njerëzit e dijes që janë marrë me këto probleme të brendshme por edhe ata nga vendet e tjera, besoj se do të na ndihmojnë.Është proces i rëndë, i vështirë, ka shumë obstruksione, ka edhe shumë elemente të tjera që e ngarkojnë punën, por e di paralelisht se nuk ka asgjë më humanitare sesa që shpejt dhe me efikasitet të punohet në ndriçimin e fatit të secilit njeri të Kosovës. Znj. Ministre, Ju përgëzoj  për punën e bërë në organizim dhe besoj se do të kemi mundësi të tjera që në të ardhmen që me një përkushtim të përbashkët të njerëzve dhe të institucioneve që merren drejtpërdrejt, të kemi edhe kallëzimin final se u ndriçua fati i secilit njeri të Kosovës. Dritë të përhershme për ata që nuk janë në mesin tonë, dhe shans e madhe e punës, angazhimit dhe e përkushtimit të institucioneve të vendit për brezat që do të vijnë pas nesh dhe brezat që do të vijnë pas tyre.Vetëm atëherë do të jetë ky mision i kryer dhe gjithmonë me porosinë paqja dhe stabiliteti donë partneritet dhe bashkëpunim  dhe është ajo që e siguron të ardhmen e njerëzimit Punë të mbarë!

This site is registered on wpml.org as a development site.