presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

“FJALA E PRESIDENTIT FATMIR SEJDIU NË AKADEMINË SOLEMNE KUSHTUAR 10-VJETORIT TË RËNIES SË KRYEKOMANDANTIT ADEM JASHARI “

“E nderuara familje Jashari,
I nderuar kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Jakup Krasniqi,
I nderuar Kryeministër i Republikës, z. Hashim Thaçi,
Të nderuar ministra e deputetë të Republikës së Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të jetës shoqërore, akademike e kulturore të vendit,
Zonja dhe zotërinj,

“Sot, dhjet vjet pas rënies së tij në altarin e lirisë, vendi ynë përkujton veprën e Adem Jasharit, Kryekomandantit të Ushtrisë Ëlirimtare të Kosovës, Heroit të Kosovës, në shtetin e pavarur, të njohur edhe ndërkombëtarisht nga njëzet e sa vende, kur ende nuk janë bërë tri javë që kur u shpall nga Kuvendi Kosova e pavarur dhe sovrane.
Ideali për të cilin luftoi dhe u flijua Adem Jashari, bashkë me dhjetëra anëtarë të familjes së gjerë Jashari, me shumë familje anekënd Kosovës, me mijëra pleq e të rinj, gra e burra, me mijëra dëshmorë e martirë, u realizua plotësisht me lirinë e 12 qershorit të vitit 1999 dhe me pavarësinë e 17 shkurtit të vitit 2008.
Sot përkujtojmë me krenari jetën e atyre që u flijuan për Kosovën përgjatë udhëtimit tonë të shenjtë për liri dhe për pavarësi, i cili u përmbush me njohjen dhe përqafimin që po merr Republika e Kosovës nga të katër anët e globit tokësor. Këtu hyjnë breza të tërë njerëzish prej pothuaj një shekulli, që kur, në rikonfigurimet shtetërore të kësaj pjese të Evropës Juglindore, pas rënies së Perandorisë Otomane dhe Luftës së Parë Botërore, Kosova mbeti nën sundimin serb e jugosllav.
Liria dhe pavarësia e Kosovës do t?u sjellë paqen e përhershme të gjithë pjesëtarëve të kombit: atyre që kanë shkuar në përjetësi dhe prehen në dheun e Kosovës, por edhe vdekatarëve, bashëkohanikëve e pasardhësve të tyre. Adem Jashari, Komandant Legjendar i UËK-së, i themi edhe Komandant Historik, ra në altarin e lirisë para dhjetë vjetësh, bashkë me prindër e bij. U flijuan tre breza të një familjeje, për t?u shkrirë në një një kohë të përjetshme: në eternitet.
Emri i Adem Jasharit është përtërirë në familjen Jashari, një traditë e vjetër e kombit tonë, që ka kaluar historikisht nëpër stuhi të rënda ekzistenciale. Emrin e Adem Jasharit e mbajnë sheshe, shkolla e institucione të tjera. Por, mbi të gjitha, ai ruhet në kujtesën tonë, në kujtesën e popullit të Kosovës.
Republika e Kosovës ka sot shumicën e strukturave shtetërore, të cilat e bëjnë një shtet shtet, duke përfshirë edhe flamurin e stemën. Këto janë bërë të mundshme falë punës institucionale e luftës politike dhe me armë që ka bërë populli i Kosovës drejt synimit shekullor e cakut historik, e cila bëhej më e mundshme atëherë kur dukej më së vështiri, në vitet 1998/99, në kulmin e luftës për liri e pavarësi të vendit tonë. Në ato orë të liga të barbarisë që vinte nga makineria ushtarake e paraushtarake serbe, përballë saj qëndruan populli i Kosovës me luftëtarët e vet të lirisë dhe aleanca më e madhe që ka njohur njerëzimi, NATO-ja. Lufta jonë e drejtë, vlerat demokratike euro-perëndimore, fituan mbi barbarinë. Kosova doli e lirë, pas përgjakjes së madhe, duke lënë 15.000 jetëra kosovarësh në themelet e lirisë e të pavarësisë sonë.
Republika e parë e Kosovës, shteti paralel i kosovarëve, siç njihej në botë, duke organizuar jetën shoqërore e politike, afirmoi kulturën shtetformuese të shqiptarëve të Kosovës, por edhe shpirtin e rezistencës e të luftës totale për çlirim nga okupimi. Lufta politike e diplomatike e Kosovës, e mishëruar dhe udhëhequr nga Presidentit historik Ibrahim Rugova, dhe lufta e armatosur, emblemë e së cilës është Kryekomandanti Adem Jashari, u frymëzuan nga ideali i lirisë dhe i shtetit.
Tani që këto ideale janë realizuar, institucionet demokratike të vendit duhet ta shpijnë Kosovën drejt integrimeve euro-atlantike. Kështu përmbyllim misionin e madh, duke siguruar që vendi ynë të gjendet në familjen e madhe të kombeve të lira, në gjirin e vet të natyrshëm perëndimor.
Kemi ende shumë punë përpara. Mirëpo, jemi të bindur se nuk do të ketë më nevojë për sakrificën më sublime për t?i kryer këto punë. Ne të gjithë do të vëmë në shërbim të vendit tonë dijen, punën e guximin për ta sendërtuar plotësisht shtetin e Kosovës.

Ju faleminderit!

Presidenti i Kosovës,
Dr. Fatmir Sejdiu

This site is registered on wpml.org as a development site.