Ju përgëzoj në përvjetorin e themelimit të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ju dëshiroj suksese në realizimin e vizionit Tuaj politik, në shtetndërtimin e Republikës së Kosovës.
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,Të nderuar familjarë të dëshmorëve dhe veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,Të nderuar përfaqësues të ambasadave të shteteve dhe të misioneve ndërkombëtare,Të nderuar anëtarë dhe përkrahës të Partisë Demokratike të Kosovës, Ju përgëzoj në përvjetorin e themelimit të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ju dëshiroj suksese në realizimin e vizionit Tuaj politik, në shtetndërtimin e Republikës së Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës gjatë këtyre viteve në liri, si subjekt politik, por edhe me veprimtarinë e anëtarëve dhe të udhëheqjes së saj më herët, ka kontribuuar në ndërtimin e demokracisë dhe të pluralizmit, në organizimin e strukturave shtetërore dhe të mekanizmave të kundërvënies dhe të luftës për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Si një nga faktorët vendimtarë, ajo ishte përherë me popullin dhe me synimet e tij për të jetuar i lirë dhe sovran në trojet e veta, në fqinjësi të mirë me të gjithë popujt dhe shtetet në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, të anëtarësimit në NATO dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju si parti, u organizuat dhe u transformuat, duke u bërë një lëvizje, që në kuadër të vetes tubon të gjithë spektrin politik, nga ish luftëtarët e UÇK-së, e anëtarët e partive dhe lëvizjeve ilegale, deri te anëtarët e ardhur nga partitë e tjera politike, nga shoqëria civile, nga mediet dhe me prurjet nga brezat e rinj të shkolluar brenda dhe jashtë vendit, që më parë nuk ishin marrë me politikë. Partia Demokratike ruajti bazën e një partie moderne, të konsoliduar e të organizuar, duke e pasur përherë entuziazmin e përkushtimin e liderëve, të udhëheqësve dhe të anëtarëve të saj të devotshëm. Ideja e organizimit në parimin “Së pari Kosova” bëri që kjo parti të zgjerohet dhe të bëjë ndryshimet krahas kërkesave bashkëkohore, duke u transformuar dhe duke u përshtatur. Me Partinë Demokratike të Kosovës, ashtu si edhe me partitë e tjera të Kosovës, lidhen sukseset e pavarësisë dhe të prosperitetit të vendit, proceset demokratike, liria e shprehjes dhe e organizimit politik, e mbajtjes së zgjedhjeve lokale dhe parlamentare. Të nderuar pjesëmarrës,Jeta shumëpartiake në Kosovë, e realizuar në angazhimin shtetëror institucional, në pozitë apo në opozitë, që e vendos Kosovën në kuadër të demokracive të zhvilluara, të sundimit të ligjit me respektimin e të drejtave dhe të lirive të njeriut, është një e arritur e madhe e popullit të Kosovës në kapërcimin e njëmendësisë. Tash së bashku duhet ta kalojmë me sukses fazën e integrimit evropian dhe të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në të gjitha organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, të avancojmë proceset e demokracisë dhe të luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar, duke aplikuar në gjithë territorin e vendit rendin dhe sundimin e ligjit Kosova e ka kaluar me sukses fazën e tranzicionit dhe ndërtimit të sistemit shumëpartiak, dhe për këtë merita e veçantë i takon edhe Partisë Demokratike të Kosovës, rolit të saj konstruktiv dhe parimor si opozitë dhe pozitë, bartjes demokratike të pushtetit e ndërtimit të koalicioneve të gjera për qeverisje. Vota e popullit, si shprehje e lirë e vullnetit, është përcaktuese për të arriturat e një partie politike, për koalicionin qeveritar dhe për formën e qeverisjes, ndërsa programi dhe platforma partiake, vizioni i saj, taktika dhe strategjia e veprimit, janë forcat shtytëse në shoqëri, që japin drejtimin dhe e çojnë vendin përpara. Prandaj, vlera e përcaktimit partiak ka kuptim vetëm në faktin se sa është e brumosur me synimet e popullit dhe sa është në shërbim të atdheut. Për këtë e keni dhe do ta keni përkrahjen time Ju faleminderit dhe suksese!
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR