presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Osmani në shënimin e 11 tetorit “Ditës Ndërkombëtare të Fëmijës Vajzë”

Shumë të dashur fëmijë,
E nderuara Sebi,
E nderuara Maria,
Të nderuar të pranishëm,
E dashur Vlora,
E nderuar zonja Shabiu,
Të nderuara vajza,
Shumë të dashur fëmijë, edhe një herë më të çmuarit të Republikës sonë,
Të nderuar pjesëmarrës,

Një dekadë më parë, 11 Tetori nisi të shënohet si dita e fëmijëve vajza. Një ditë dedikuar për to është më shumë vëmendje dhe më shumë shanse të barabarta.

Kjo ditë synon adresimin e nevojave dhe sfidave me të cilat përballen vajzat dhe njëkohësisht promovon fuqizimin e vajzave dhe të drejtat e tyre.

Sot vajzat tona janë shndërruar në modele frymëzimi.

Nga Majinda, te Nora, te Distria, Dua, Rita e deri tek Medina jonë e shkëlqyeshme, ato na bëjnë krenarë të gjithëve. 

Ato janë shndërruar në ambasadoret më të mira të shtetit tonë. Janë imazhi i ditëve të sotme, ato janë personifikim i Republikës sonë. Prandaj, duhet të gjithë të jemi krenarë me potencialin e jashtëzakonshëm të fëmijëve tanë.

Megjithëse vajzat tona dëshmojnë çdo ditë se janë luftëtare të denja kundrejt pabarazisë, stereotipeve dhe diskriminimit nuk është e mjaftueshme, prandaj duhet  ta vazhdojmë përpjekjen tonë që fëmijëve vajza t`u sigurohet një jetë e sigurt, arsimim, shëndet i plotë dhe shanse të barabarta që ato të shkëlqejnë kurdo e kudo.

Fëmijëve vajza duhet t`ua krijojmë mundësinë që të mund ta realizojnë potencialin e plotë, ashtu siç edhe i kanë ato mundësi edhe fëmijët djem.

Asgjë më shumë se sa të bëjnë çfarë të duan dhe çfarë të vendosin ato me jetën e tyre.

Ky është një obligim i çdoditshëm i yni dhe parakusht për transformim shoqëror, me të cilin fëmijëve u hapen mundësitë për t`i eliminuar të gjitha sfidat me të cilat ata përballen.

Sa më të fuqishëm fëmijët tanë, e të barabartë vajzat e djemtë, aq më të fuqishme do të jenë edhe gratë dhe burrat e së nesërmes.

Ky objektiv i yni është udhërrëfyes në punën tonë. Dua ta citoj edhe një thënie të Lartmadhërisë së Saj të ndjerë, Mbretëreshës Elizabeta II,  e cila ditë më parë, siç e dini iku në amshim. Ajo thoshte që: “Kur jeta duket e vështirë, guximtarët nuk mposhten dhe nuk e pranojnë humbjen, por ata janë më të vendosur se kurrë për të luftuar për një të ardhme më të mirë”.

Vajzat dhe djemtë tanë kanë guxim. Guximi i tyre është shpresë për ndryshim dhe obligim për gjithsecilin prej nesh, që të përpiqemi për një shoqëri të barabartë, ku mundësitë e barabarta bëhen mënyra jonë e jetesës.

Të nderuar pjesëmarrës

Tetori nuk është vetëm muaj i vajzave, por edhe muaji i ndërgjegjësimit për personat me sindromën Down. Ata janë si ne, të ngjashëm e të ndryshëm, por të barabartë. Secili fëmijë duhet të ketë të drejtë dhe mundësi për ta arritur potencialin e vet të vërtetë, prandaj na nevojitet jo vetëm arsim gjithëpërfshirës, por një shoqëri gjithëpërfshirëse, ku secili anëtar i shoqërisë sonë e përkrahë secilin anëtar tjetër.

Vetëm duke mos paragjykuar dhe duke mos krijuar përjashtime sociale, por duke i përfshirë që të gjithë në vendimmarrje, fëmijët me sindromën Down, do të mund të ndihen pjesë e barabartë e integruar e shoqërisë sonë.

Për fëmijët tanë nuk mjafton e as nuk duhet të gëzojmë, të punojmë dhe të flasim vetëm një ditë. Fëmijët me sindromën Down kanë nevojë për ne secilën ditë të jetës tonë. Çdo ditë e tyre është edhe ditë e jona, e çdo ditë e jona e vë në qendër të vëmendjes kujdesin ndaj secilës kategori të shoqërisë sonë.

Personat me sindromën Down, e sidomos fëmijët e jashtëzakonshëm me sindromën Down kanë të drejtë e kanë potencial të madh që të ndihen si pjesë e barabartë e shoqërisë sonë dhe të kontribuojnë për shoqërinë tonë. Prandaj, ne duhet t`i mbështesim maksimalisht dhe do ta bëjmë këtë. Të ndryshëm jemi më të pasur, ndaj personat më sindromën Down meritojnë jetë me dinjitet, jetë aktive, jetë gjithëpërfshirëse, duke kontribuar për komunitetin dhe për shoqërinë.

Faleminderit për gjithçka që bëni, gjitha shoqatave! Faleminderit që kurrë nuk u dorëzuat! Ju uroj një ditë të këndshme!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.