Mirëmbrëma të gjithëve!
I nderuar ambasador Minxhozi,
I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Konjufca!
I nderuar kryeministër, z. Kurti!
Të nderuar ministra, deputet, përfaqësues të partive politike, shkëlqesi ambasadorë të vendeve mike!
Ndjehem e nderuar që sërish jam këtu për ta kremtuar së bashku me të gjithë ju 28 Nëntorin, ditën e flamurit kombëtar.
Secili nga shqiptarët e Kosovës, sikurse dhe ne që jemi sonte këtu, janë rritur me ndjesinë e veçantë të festave të nëntorit, me dashurinë e jashtëzakonshme për flamurin kuq e zi dhe me ëndrrën për ta parë, ndjerë dhe përjetuar Shqipërinë. Për të qenë në mesin e atyre që flasin dhe frymojnë shqip.
Ndaj sot, jemi më afër se kurrë, sot jemi më të integruar se dje dhe nesër do të jemi bashkërisht në familjen e madhe evropiane.
Nëse hedhim shikimin 110 vjet pas, sot përkulemi para veprës patriotike të shume grave e burrave, të cilët më mundin dhe sakrificën e tyre e bën Shqipërinë e mosvarme.
Kjo festë përbën qëndresën tonë, vendosmërinë dhe shpirtin për liri e pavarësi, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Kosovës, njëkohësisht.
Nën këtë flamur janë edhe vëllezërit tanë në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, e mërgata jonë e dashur çdokund anekënd botës.
Kjo është historia jonë, këta jemi ne, ndër më të lashtët e kontinentit më të vjetër. Por, si qytetarë të Kosovës evropianët më të ri.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritja e flamurit në Vlorë janë akte të shenjta të historisë sonë të përbashkët.
Ashtu siç rrugëtuam historikisht së bashku, ashtu do të vazhdojmë rrugëtimin tonë, të bashkuar drejt familjes së madhe evropiane.
Evropa nuk ka kuptim pa ne bashkëkombësit dhe mbrojtësit e vlerave evropiane, pa kujtimin për ata që bënë çmos për t’i mbrojtur këto vlera, pa Gjergj Kastriotin- Skënderbeun, pa shenjtoren tonë Nëna Terezë, pa plakun e pavarësisë, Ismajl Qemajli, pa ideologun e pavarësisë së Shqipërisë, Hasan Prishtina, pa trimin e Kosovës dhe Shqipërisë Isa Boletinin, pa atin themeltar të shtetit të Kosovës, presidentin Ibrahim Rugova, pa ikonën e lirisë sonë, komandantit Adem Jashari me familjen e tij, sikurse edhe pa vajzat e djemtë e luftës së UÇK-së.
Fryma jonë integruese, përkushtimi për mbrojtjen e vlerave të paqes e demokracisë nuk lë vend për barriera. Kjo frymë po na udhëheqë drejt integrimit evropian, drejt bashkësisë së shteteve pa kufi.
Në këtë rrugëtim nuk na ndalon asgjë, siç nuk e ndaloi asgjë luftën tonë e projektin tonë kombëtar për pavarësi e për liri.
Evropa është destinacion i yni ndër vite, pikëtakim i yni ndër vete dhe i neve bashkërisht me popujt e tjerë të qytetëruar.
Sa më të forta ekonomikisht e politikisht Shqipëria e Kosova, aq më e fuqishme do të jetë edhe vetë Evropa.
Prandaj në rrugën qe kemi përpara na duhet përkushtim, këmbëngulje e atdhedashuri, që idealin tonë për të qenë të barabartë ta përmbyllim sa më shpejtë dhe suksesshëm!
Jam e sigurt që shqiptarët andej e këndej Drinit, kanë një përkushtim të madh për t`i lartësuar shtetet tona dhe për t`u ofruar edhe më shumë ndër vete.
Gëzuar të gjithëve Dita e Flamurit, urime dita e Pavarësisë së Shqipërisë!
Zoti i bekoftë Shqipërinë dhe Kosovën!
Ju faleminderit!