presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Osmani në aktivitetin e veçantë në nderim të Kampiones tonë të shumëfishtë, Majlinda Kelmendi

Shumë e dashur Majlinda!
E nderuar familje e Majlindës!
Të nderuar përfaqësues të institucioneve në vend!
z. Ministër!
Zonja Presidente!
Përfaqësues të partive politike!
Të nderuar ambasadorë!
Deputetë!
Të nderuar Driton e Agron Kuka!
Ju faleminderit shumë të gjithëve përzemërsisht për pjesëmarrjen tuaj!
Të dashur mysafirë!

Ajo me të drejtë cilësohet si legjendë e sportit të xhudos. Ajo me të drejtë konsiderohet heroinë e Kosovës. Me tri dekadat e jetës së saj, Majlinda u bë fytyra e Kosovës së sotme, që e bëri shtetin tonë të tillë çfarë e duam. Flamuri kaltër-verdhë valoi majave krahas flamujve të shteteve më të mëdha anekënd globit, falë triumfit të Majlindës. Ajo na mbajti në ethe, na bëri të qajmë nga gëzimi, na bëri nder e krenari.

Tridhjetë vjeçarja është heroina dhe krenaria e gjithë vendit tonë. Ajo nuk është vetëm xhudiste e njohur botërisht, nuk është vetëm kampione botërore me dy tituj nga kampionatet botërore, nuk është vetëm xhudiste me katër tituj evropianë dhe një medalje të artë olimpike, nuk është vetëm fituese në Grand Slam, Grand Prix e Masters.

Ajo në fakt ka sfiduar sportin e xhudos me çdo gjë që mund të fitohet dhe  ka fituar çdo gjë që mund të fitohet!

Majlinda është ëndrra jonë e realizuar,  është vërtetë heroina jonë!

Kosova për herë të parë u përfaqësua në Lojërat Olimpike Rio 2016 me Majlindën dhe mu në herën e parë ajo ia solli Kosovës medaljen e parë të artë. Falë përkushtimit të saj flamuri i Republikës së Kosovës valoi për herë të parë në këto lojëra. Ajo është e para që i dha jehonë vendit tonë të vogël, shtetit që dominohet nga bashkëmoshatarët e saj të rinj. Kjo forcë e pathyeshme me suksese të njëpasnjëshme ishte dhe do të vazhdojë të mbes frymëzim për vajzat e Kosovës e përtej Kosovës.  

Kjo është Majlinda Kelmendi! Shumë më shumë se sa çmimet që i fitoi.

Të nderuar të pranishëm,

Pa Majlindën dhe guximin e saj për pushtimin e  horizonteve të reja, pa modelin që ajo ua dha të rinjve tanë, sot nuk do ta kishim as Distrian e Norën, e shumë vajza të tjera.

Njeriu ma i shpejtë në botë, Eric Liddle, i cili njihet si “skocezi fluturues”, thotë se njësoj ka lavdi si në pluhurin e disfatës ashtu edhe në dafinat e fitores, nëse e ke dhënë më të mirën prej vetes! Majlinda e ka dhënë më të mirën e përtej së mirës, ka shndritur duke e vendosur Kosovën në hartën botërore të xhudos me shpirtin e saj luftarak, disiplinën, përkushtimin e pamasë dhe dashurinë ndaj vendit të saj dhe njerëzve të saj.

Një vajzë e vogël me shpirt të madh tashmë nuk është vetëm histori, ajo është simbol i kurajos, është motiv e shpresë që ka thyer çdo stereotip, cilado qofshin ato. Triumfi i saj, dëshmoi se nuk ka shtete të vogla që s`mund të ngadhënjejnë në sportin e xhudos, siç nuk ka vajza që s`mund të triumfojnë në këtë sport. Majlinda i bëri që të dyja. Tregoi fuqinë e një vajze, sikurse edhe fuqinë e një shteti, për të cilën gjë do t`i jemi falënderues përherë!

Ëndrrën e nisur që prej moshës 8 vjeçe kur nisi rrugëtimin në sportin e xhudos, ajo e përmbushi me këmbëngulje. E përfaqësoi shtetin denjësisht, ishte stoike, luftoi dhe fitoi.

Ajo nuk u josh nga ofertat e shumta të majme për veshjen e fanellës së ndonjë shtetit tjetër, por vendosi t`i qëndroj besnikërisht ngjyrave të shtetit të saj, Republikës së Kosovës.

Në timonin e trajnerit Driton Kuka, Majlinda dëshmoi se vajzat e Kosovës munden dhe atë në një sport, i cili tradicionalisht konsiderohej si i djemve.

Natyrisht, ky një sukses i jashtëzakonshëm nën udhëheqjen e një trajneri profesional, kërkues dhe vizionar siç është Toni Kuka, por edhe një drejtuesi të Federatës së Xhudos, si Agron Kuka.

Toni është njeriu meritor, i cili ka bërë që ta ngjallë pasionin për xhudon jo vetëm tek Majlinda, por edhe shumë vajzave e djemve të tjerë, duke e shndërruar Kosovën në konkurrentin kryesor të Japonisë, vendit ku ka lindur sporti i xhudos. Prandaj, Toni dhe Agron, faleminderit që na keni mrekulluar si shtet, na keni lartësuar dhe na keni bërë krenar krahas shteteve më të fuqishme në këtë disiplinë sportive.

Por, sikurse  edhe në procesin e pavarësisë së vendit, edhe në xhudo Kosova nuk do të mund t`i arrinte sukseset pa mbështetjen e miqve të shumtë brenda dhe jashtë vendit. Njeriu që bëri shumë për xhudon e Kosovës, pas insistimit të Mjalindës, por edhe për Majlindën vet, në veçanti është presidenti i Federatës Botërore të Xhudos, Marius Vizer, ndaj me të drejtë rruga te Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë, me vendim të komunës së Pejës mbanë emrin e tij në shenjë të respektit të përhershëm për atë çfarë ka bërë për vendin tonë. Zoti Vizer, populli i Kosovës do të jetë përherë mirënjohës për mundësinë që ia keni dhënë Majlindës, xhudos dhe shtetit të Kosovës që të shkëlqej ndërkombëtarisht!
 
Të nderuar pjesëmarrës,
 
Sot ne jemi këtu për ta hapur një kapitull të ri për Majlindën. Siç la një karrierë të suksesshme  në sportin aktiv, Majlinda tash e tutje do ta vazhdojë rrugëtimin e saj në angazhime të tjera në sport, ku besoj fuqishëm sërish ajo do të jetë adresë e  patejkalueshme e suksesit.

Asaj i ka hije çfarëdo shpërblimi, sepse ajo e meriton cilindo shpërblim. Asnjëherë ne nuk do të mund t`i dalim hakut për emocionet, për krenarinë për dinjitetin që na e ktheu si shtet. Ajo na trimëroi që si vend i vogël t`i dalim përballë fuqive në sportin e xhudos. Majlinda guxoi për ta bërë ëndrrën e saj dhe të shtetit tonë realitet. Ndaj, si guximtare, këtë kapitull jetësor të saj nuk ka se si ta përmbyllë ndryshe, pos edhe me një  dekoratë,  e cila e mbanë edhe emrin e një gruaje tjetër po aq guximtare të cilën do t’ia dorëzoj sot.

Sikurse heroina jonë Shotë Galica në beteja me pushkë, Majlinda në beteja sportive mbajti gjallë frymëzimin për breza të tërë, krenarinë tonë kombëtare, mbrojti dinjitetin tonë dhe valëviti lart flamurin e shtetit të Kosovës.

Prandaj, me përulësi të them, faleminderit Majlindë!

Të ftoj në skenë për ta marrë Urdhrin me emrin Shotë Galica, një prej urdhrave më të lart presidencial, i  cili u ndahet personave, të cilët kanë avokuar, kanë bërë vepra trimërie e akte guximi dhe në të njëjtën kanë kontribuar edhe në barazinë gjinore!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.