presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Jahjaga në shënimin e 15-vjetorit të Masakrës së Reçakut

Ndjej pikëllim të thellë derisa po qëndroj këtu, para jush, për të kujtuar viktimat e masakrës së Reçakut, një krimi makabër që la familjet tuaja dhe shumë familje të tjera në tërë Kosovën përjetësisht të zhytura në dhembje dhe me zemra të thyera.

Të nderuara familje të dëshmorëve dhe të martirëve,Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,Ndjej pikëllim të thellë derisa po qëndroj këtu, para jush, për të kujtuar viktimat e masakrës së Reçakut, një krimi makabër që la familjet tuaja dhe shumë familje të tjera në tërë Kosovën përjetësisht të zhytura në dhembje dhe me zemra të thyera.Sot me dhembje të madhe përkujtojmë 15-vjetorin e këtij akti çnjerëzor të kryer nga forcat serbe, këtij krimi ndaj njerëzimit, ekzekutimin e familjarëve tuaj të pafajshëm në atë ditë të kobshme, të ftohtë janari, të vetëdijshëm që vitet e shkuara nuk e kanë pakësuar dhimbjen e as nuk i kanë mbyllur plagët, të vetëdijshëm që ngushëllimi ynë, i të gjithë neve, nuk do të kompensojë humbjen tuaj, familjarë të nderuar.Ne assesi nuk mund ta mbushim zbrazëtinë që e kanë lënë 45 banorët e Reçakut që nuk arritën të gëzojnë diplomimin e fëmijëve të tyre, që nuk gëzuan suksesin e tyre. Nuk mund ta kompensojmë mungesën e tyre fizike dhe e di se juve, familje të nderuara, që çdo ditë i shihni ata të prehen në varret buzë kodrës së fshatit si përkujtues i atij kobi, ata do t’ju mungojnë përjetë. Por, ne duhet të gjejmë forcë të ecim tutje, sepse flijimi i tyre i dha Kosovës, na dha të gjithë ne, një mundësi që të krijojmë një vend më ndryshe, ku njerëzit jetojnë me dinjitet, të lirë, të fuqizuar, për të vendosur për fatin e tyre. Një vend ku krimet e tilla nuk do të përsëriten më. Çmimi ishte i lartë për të gjithë ne, e në veçanti për ju. Por, siç po dëshmojmë çdo ditë, mbi këtë sakrificë kolektive të gjeneratave të tëra, ne po ndërtojmë një shtet, që është realizim i ëndrrës për të jetuar të barabartë, për të realizuar lirinë.Të nderuar familjarë,Të nderuar të pranishëm,Masakra e Reçakut, njëlloj sikurse edhe tragjeditë e tjera të luftës së fundit në Kosovë, do të mbahen mend ndër gjenerata, do të jenë pjesë e kujtesës sonë kombëtare. Por, gjithsesi se do të kërkojnë drejtësi, që do të qetësojë shpirtrat e të gjithë juve familjarëve të viktimave në Reçak dhe kudo në Kosovë. Një drejtësi që do të ndihmojë secilin prej jush që kujtimet për më të dashurit tuaj t’i mbani me dashurinë më të madhe, ashtu siç i keni mbajtur deri sot, por pa dhembjen e padrejtësisë. Dhe kjo do të ndihmojë vendin tonë të ecë përpara, në rrugën e pandalshme të përparimit dhe të zhvillimit.Flijimi i tyre duhet të na shërbejë si motiv për të çuar përpara amanetin e të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit, që të ndërtojmë institucione të fuqishme demokratike, shtet ku sundon rendi e ligji.Ky proces është i pakthyeshëm. Kosova do të jetë pjesë e të gjitha institucioneve dhe mekanizmave të rëndësishëm ndërkombëtarë, sepse vetëm kështu do t’i dërgojmë porosi atyre që vranë e masakruan se Kosova është shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, të barabartë dhe pa dallim. Se Kosova është e fortë dhe unike. Sot dhe përherë do të jemi bashkë dhe pranë jush në ndarje të dhembjes.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.