DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Jahjaga në përvjetorin e 13-të të Policisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në përvjetorin e 13-të të Policisë së Kosovës.

Presidentja Jahjaga, po ashtu mori pjesë edhe në zbulimin  e lapidarit të Heroit të Kosovës, Enver Zymeri. Në vijim, po ua përcjellim fjalën e Presidentes Jahjaga, me rastin e përvjetorit të 13-të, të Policisë së Kosovës.  I nderuar Kryeministër Thaçi, I nderuar Ministër Rexhepi, Drejtor Maxhuni, Të nderuar familjarë të Policëve të rënë në kryerjen e detyrës, E nderuar familje Zymberi, Të nderuar Komandantë, Oficerë dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës Të nderuar Ambasadorë dhe përfaqësues të Misioneve Diplomatike në Republikën e Kosovës, I nderuari Gjeneral Drews, Të nderuar përfaqësues të EULEX-it Baca Adem, z. Demaçi Të nderuar pjesëmarrës, Zonja dhe Zotërinj,  Manifestimi për Ditën e Policisë së Republikës së Kosovës, të gjithëve na jep nder dhe krenari sepse shënojmë themelimin dhe punën e Institucionit më të besueshëm, të përkushtuar deri në sakrifikim, të ndershëm, të mbushur me guxim dhe ndjenjën e lartë të përgjegjësisë, për të kryer detyrat aq fisnike në shërbim të popullit dhe qytetareve të vendit tonë. Policia e Kosovës është një institucion me të cilin krenohemi dhe qytetarët kanë besim që i ndihmojnë dhe i marrin ne përkujdesje, duke qenë bijë dhe bija të këtij populli, duke kryer detyrën si një mision me standarde të larta profesionale dhe njerëzore.  Policia e Kosovës në gjithë rrugën e saj që nga themelimi, trajnimi dhe zhvillimi, respektin e fitoi me punën e saj konkrete në teren, në angazhimin dhe në organizimin e mirë që ndikon para së gjithash si preventivë që të gjithë ata që tentojnë të thyejnë rendin dhe ligjin, ta dinë se do të përballen me një strukturë mirë të organizuar, që zbaton me përpikëri ligjin në secilin rast dhe në  çdo rrethanë. Oficerë dhe Policë – ju u dëshmuat në kalimin e të gjitha fazave të shkollimit dhe trajnimit, duke treguar një sukses të jashtëzakonshëm dhe duke realizuar ato norma që janë në vendet më të zhvilluara të Evropës dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Policia e Kosovës në organizim, në pajisje, në strukturë sot është e një niveli me policitë më të avancuara dhe më profesionale bashkëkohore. Si në asnjë vend tjetër raporti ndërmjet policit dhe qytetarit në Republikën e Kosovës është shembull i respektimit të dinjitetit, shembull i respektimit të procedurave ligjore dhe shembull i besimit të ndërsjellë dhe i mirëkuptimit. Policia e shtetit tonë sot me sukses kontrollon kufijtë e Kosovës dhe bën menaxhimin e integruar të kufijve, duke pasur bashkëpunim me policitë e të gjitha shteteve fqinje, duke qenë digë e fortë në parandalimin dhe pengimin e çfarëdo lloj kontrabande dhe krimi të organizuar, që tenton të hyjë apo të kalojë nëpër territorin e Republikës së Kosovës. Duke iu falënderuar punës dhe angazhimit tuaj vendi ynë nuk është vend burim për eksportim të krimit të organizuar dhe krimeve të tjera transkufitare.  Të nderuar, Ndërtimi i proceseve demokratike, veprimi institucional, edukimi dhe krijimi i opinionit publik në vendin tonë janë parakushtet që policia të jetë me efikase në punën e saj. Politikat shtetërore të ndërtuara në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, janë garancë për një mjedis të qetë dhe të sigurt, duke kontribuar fuqishëm në arkitekturën globale të sigurisë, me qasjen profesionale dhe të depolitizuar të Policisë. Më lejoni këtu, Të nderojmë dhe të përkujtojmë të gjithë Policët e rënë në krye të detyrës në shërbim të popullit dhe atdheut, të nderojmë familjaret që na dhanë më të dashurit e tyre, që me nder shërbyen në Policinë e Kosovës, shëmbëlltyra e ndritur e të cilëve është udhërrëfyes për gjeneratat e ardhme dhe punën tonë.  Të nderuar të pranishëm, Në rrugën tonë të Integrimeve Euroatlantike sundimi i rendit dhe ligjit, lufta efikase kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë parakushtet jo vetëm për një mjedis të qetë dhe të sigurt, për një prosperitet dhe zhvillim, për një garanci të drejtave dhe lirive të njeriut, por gjithashtu janë standarde që vendi ynë duhet t’i përmbushë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Në këtë përpjekje tonën kemi ende punë për të bërë, por ne do t’ia dalim duke çrrënjosur plotësisht këto dukuri negative që rrezikojnë të ardhmen tonë.  Ju dëshiroj suksese në punë. Ju dëshiroj aftësim dhe shkollim dhe ngritje të vazhdueshme profesionale. Në këtë mision tuajin ju dhe familjet e juaja do ta keni përkrahjen dhe mbështetjen institucionale.  Ta gëzojmë së bashku këtë ditë!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.