Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë ne mbrëmjen humanitare për mbledhjen e fondeve për blerjen e mamografit mobil organizuar nga Grupi i Grave Deputete, me ç’rast Zyra e Presidentes së Kosovës, ka ndarë simbolikisht një donacion.
Ne vijim po ua përcjellim fjalimin e Presidentes Jahjaga : Të nderuara deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës,Zonja Sahatqija, Zonja Brovina, Zonja Kadaj-Bujupi, Zonja Lama, Zonja Novoberdali, Zonja Shinik dhe Zonja Rexhepi I Nderuar Ministër Agani,Të nderuar Ambasadorë të akredituar në KosovëTë nderuar të pranishëm,Përgëzoj Grupin e Grave Deputete për nismën e tyre fisnike dhe ndërmarrjen e kësaj iniciative dhe hapave konkret ndaj njërës prej sfidave me të cilën përballet shoqëria jonë çdo ditë, luftën kundër kancerit të gjirit.Kanceri i gjirit është kërcënimi i dekadës për të gjithë shoqëritë në botë, me pasoja të larta fatale ndër llojet e kancerit që prekin gratë.Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, një në 9 gra kanë kancer të gjirit. Ndërsa është dëshmuar se jeta e shëndetshme zvogëlon rrezikun ndaj kancerit. Potencialisht mund ta godasë secilin.Përballja me kancerin në zbulimin e hershëm të tij dhe me avancimin e shkencës do të thotë shërim. Por në mungesë të shërbimeve të nevojshme mjekësore dhe kontrolleve të rregullta, fatkeqësisht kanceri zbulohet në faza mjaft të avancuara.Prandaj dhe pajisja me mamograf mobil do të thotë shans për jetë, për të gjitha ato gra të cilave tash u ofrohet mundësia të diagnostikohen, duke e sjellë një shërbim kaq të rëndësishëm më afër tyre, në çdo komunë, në çdo fshat, në çdo vendbanim, në çdo familje.Të gjithë së bashku me ndihmën dhe solidaritetin e të gjitha shtresave të shoqërisë jemi më të fortë, duke ju gjendur pranë njëri tjetrit do ta zhdukim frikën, do të mobilizohemi dhe do ta luftojmë me sukses këtë sëmundje, duke organizuar më mirë shërbimin, duke ndërmarrë masa parandaluese dhe duke zbuluar në fazat më të hershme kancerin e gjirit. Nisma juaj të nderuara gra, ndihmon shumë në ndërgjegjësimin e shoqërisë, për ta kuptuar më seriozisht kërcënimin e kësaj sëmundjeje. I bën thirrje grave për mosneglizhencë dhe për nevojën dhe rëndësinë e kontrolleve të rregullta.Me këtë nismë, ne, i ofrojmë mbështetje të gjitha grave të prekura nga kanceri i gjirit, duke mësuar shumë për kurajën njerëzore, duke e shtuar vendosmërinë dhe përkushtimin tonë për ta fituar këtë betejë së bashku. Dëshiroj të falënderoj të gjithë partnerët e këtij projekti për mbështetjen për t’ju ofruar grave shërbime mjekësore në secilin cep të vendit tonë. Ju ftoj të gjithë juve dhe të gjithë qytetarët, të marrin pjesë në këtë projekt edhe me anë të donacioneve, pasi ky kontribut është i dinjitetshëm dhe shpëton jetë. Ju faleminderit dhe bashkë do t’ia dalim!
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR