presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Jahjaga në mbledhjen komemorative me rastin e vdekjes së deputetes Nekibe Kelmendi

Është moment shumë pikëllues dhe i dhimbshëm mbledhja për t’u përshëndetur për herë të fundit me zonjën Nekibe Kelmendi, e cila i dha aq shumë Kosovës, atdheut dhe popullit të saj.

E nderuara familje e zonjës Nekibe Kelmendi,  Të nderuar pjesëmarrës,  Është moment shumë pikëllues dhe i dhimbshëm mbledhja për t’u përshëndetur për herë të fundit me zonjën Nekibe Kelmendi, e cila i dha aq shumë Kosovës, atdheut dhe popullit të saj.  E nderuara zonja Nekibe Kelmendi gjithë jetën e saj u angazhua për të mirën e qytetarëve, për liritë dhe të drejtat e njeriut, për sundim të ligjit, për shtetndërtim dhe për krijim e funksionim të institucioneve demokratike.  Vizioni i saj mbeti – Republika e Kosovës shtet demokratik i të gjithë qytetarëve pa dallim, e integruar në strukturat evropiane dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.       Liri, pavarësi, demokraci ishin parimet themelore të zonjës Nekibe Kelmendi dhe të të gjithë lëvizjes gjithëpopullore, për idealet e së cilës zonja Kelmendi u angazhua me gjithë potencialin e saj, duke u shkrirë dalëngadalë për këtë ideal.  Puna e zonjës Nekibe Kelmendi zgjoi admirim për përkushtimin e saj, për qasjen tejet profesionale, për qëndrimin dashamirës si dhe për vendosmërinë që të jetë e pakompromis në mbrojtjen e parimeve në të cilat besonte, në barabarësinë e të gjithëve përpara ligjit dhe në përjetësimin e normës së sundimit të ligjit në shoqërinë kosovare.  Angazhimi politik ishte përafrues që harmonizonte dallimet por që asnjëherë nuk lëshonte pe në konceptet dhe në parimet që i konsideronte parakusht i ndërtimit të së ardhmes më të mirë për brezat që do të vijnë.  Familja Kelmendi flijoi më të dashurit e saj në altarin e lirisë së atdheut, dhe të gjithë ne mbeteshim të stepur përpara stoicizmit të kësaj nëne, bashkëshorteje dhe motreje, që neve na jepte kurajë t’i kapërcejmë traumat e së kaluarës duke mos pasur fije të urrejtjes në shpirtin e saj të mbushur me plot dashuri dhe humanizëm.        E ardhmja nuk duhet te jetë peng e së kaluarës dhe e kaluara, sado e rëndë dhe e dhimbshme të jetë, nuk bën të na mbetet pengesë për të ndërtuar shoqërinë e së ardhmes, na thoshte zonja Nekibe  kur ne ndonjëherë i shfaqnim dilemat e çastit. Zonja Nekibe Kelmendi në këtë botë po i lë më të dashurit e saj, familjen, miqtë, shokët, dashamirët, përkrahësit të cilëve ju shërben si shembull i mirë,  për të shkuar në botën e amshueshme, për të takuar familjarët më të dashur, për të cilët ndjente mall dhe dhimbje që dinjitetshëm i mbante për vete.  Kosovës do t’i mungojë zonja Nekibe Kelmendi dhe plejada e njerëzve që u shkrinë për idealin kombëtar, por Kosovës do t’i jetë udhërrëfyese e përhershme që sa herë të zihet në vështirësi, kurajën dhe besimin ta merr te zonja Nekibe Kelmendi.   Zonja Nekibe, ju faleminderit për të gjithë atë që bëtë për ne. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.