presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Jahjaga në konferencën për përkrahje institucionale për ndërmarrësit e diasporës

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori sot pjesë në Konferencën për përkrahje institucionale për ndërmarrësit e diasporës, që i zhvilloi punimet në Winterthur të Zvicrës. Në konferencë morën pjesë edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, zonja Hykmete Bajrami dhe ministri i Diasporës, zotëri Valon Murati. Konferenca e organizuar me mbështetje të qeverisë zvicerane dhe austriake, mblodhi një numër të madh të ndërmarrësve nga diaspora.

Presidentja Jahjaga në konferencë mbajti fjalën kryesore, të cilën po e botojmë të plotë: Kam kënaqësi të veçantë të jem sot këtu në mesin tuaj, në mesin e përfaqësuesve të bizneseve të diasporës, të qytetarëve të Republikës së Kosovës, bashkatdhetarëve të mi të dashur. Po qëndroj në Zvicër me ftesë të homologes sime znj. Somaruga, me të cilën kisha dje një takim të frytshëm dhe tejet miqësor. Ndër temat dominuese ishte thellimi i bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve tona, rritja e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve zvicerane në Kosovë, duke mos lënë anash potencialet e diasporës sonë të fuqishme për të çuar përpara zhvillimin ekonomik të Kosovës. Andaj, me kënaqësi kam pranuar ftesën nga Programi i Kosovës për Mbështetjen e Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme, që të jem sot këtu me ju, për të dëshmuar përkushtimin tim të thellë dhe të institucioneve të Kosovës për t’ju hapur dyert dhe lehtësuar afarizmin tuaj në vendlindje. Të dashur bashkatdhetarë, Në ditët më të vështira të historisë sonë të re, ju keni qenë shtyllë e fortë e proceseve nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë. Me kursimet tuaja, me punën tuaj të palodhshme, me sakrificën e jashtëzakonshme individuale e familjare, keni mbajtur gjallë shpresën për një të ardhme më të mirë, keni financuar shkollat e spitalet dhe rezistencën paqësore të udhëhequr nga Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova.  Në momentet më të vështira për vendin, kur na kanosej gjenocidi dhe zhbërja totale, ju jo vetëm që financuat luftën tonë çlirimtare, por nuk hezituat t’i bashkëngjiteni Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të luftoni për lirinë që gëzojmë sot. Pas çlirimit ndihma juaj ishte e jashtëzakonshme për të rindërtuar vendin tonë dhe për ta shndërruar atë në një vatër të ngrohtë për të gjithë. Sot, përmes dërgesave tuaja të rregullta vjetore ju kontribuoni me rreth 12 për qind në Bruto Produktit Vendor të Kosovës. Pa dërgesat tuaja, qytetarët e Kosovës do jetonin sot në kushte shumë më të rënda. Prandaj, më lejoni që si Presidente e vendit, në emër të të gjitha familjeve kosovare dhe në emër timin personal të ju shpreh mirënjohjen e thellë për gjithë kontributin tuaj që keni dhënë dhe vazhdoni të jepni për rritjen e mirëqenies në vendin tonë. Të dashur bashkatdhetarë, Kur sot takohem me ju, s’ka se si të mos ndjehem krenare edhe për veprimtarinë tuaj të suksesshme në vendin ku jetoni. Shqiptarët e Zvicrës janë shembull i shkëlqyeshëm i integrimit të suksesshëm. Dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për Xherdan Shaqirin, Granit Xhakën, Valon Behramin, Blerim Xhemajlin, Pajtim Kasamin e Admir Mehmedin. Sot, universitetet e Zvicrës janë përplot me studentë tanë, të cilët shkëlqejnë me punën dhe angazhimin e tyre. Ju afaristë jeni pjesë e vlefshme e ekonomisë zvicerane dhe puna juaj vlerësohet shumë lartë. Mjekë, bankierë, juristë, ekonomistë, menaxherë, ndërtues, prodhues, hotelierë, pronarë restorantesh e biznesesh të ndryshme të diasporës kontribuojnë çdo ditë në zinxhirin e vlerës së ekonomisë së Zvicrës dhe më gjerë.  Sipas vlerësimeve tona, rreth 140 mijë kosovarë të punësuar në Zvicër gjenerojnë brenda vitit më shumë se sa gjeneron e gjithë ekonomia e Kosovës. Kur kësaj t’i shtohen edhe bizneset e diasporës del se potenciali juaj është shumëfish më i madh.  Ne kemi nevojë për këto potenciale njerëzore e financiare, për përvojat tuaja, për dijen që keni akumuluar vite me radhë këtu, për kontaktet dhe aftësitë tuaja afariste, që ato t’i vejmë në shërbim të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Unë sot nuk jam këtu për t’ju kërkuar të bëni edhe më shumë për vendin tuaj, sepse përkushtimi i juaj për Kosovën nuk do dëshmi të tjera. Unë sot jam këtu t’ju siguroj se institucionet e Kosovës janë thellësisht të përkushtuara t’ju ofrojnë kushte më të mira për afarizëm në atdheun tuaj. Qeveria e re ka bërë ekonominë prioritetin kryesor të saj. Reforma konkrete si në rrafshin fiskal ashtu edhe në atë të përgjithshëm ekonomik e të sundimit të ligjit janë në proces e sipër. Jam plot shpresë e besim se rezultatet e para të këtyre reformave do të shihen së shpejti. Unë sot jam këtu së bashku me ministren Bajrami dhe ministrin Murati t’ju shpalosim atë se çfarë vendi juaj mund të bëjë për ju, të dashur afaristë të diasporës, në mënyrë që projektet tuaja investuese në Kosovë të kenë mbështetje sa më të madhe institucionale e të mos ndeshen me barriera siç ka ndodhur shpeshherë deri më sot. Jam e vetëdijshme për vështirësitë dhe dëshpërimet që keni hasur në të kaluarën; Për premtimet që keni marrë e që nuk janë realizuar kurrë. Jam e vetëdijshme se nuk jeni trajtuar me respektin dhe kujdesin e nevojshëm, siç e meritoni.  Në anën tjetër, vendi ynë ka sot nevojë për ju, jo për t’i dalë më zot me armë në dorë siç bëtë kur ishte koha, jo për të sakrifikuar jetën tuaj, por për të sjellë përvojat dhe kapitalin tuaj e për të realizuar projekte investuese që janë në dobi të vendit, të familjeve tuaja atje, por edhe në dobi tuajën personale. Të dashur bashkatdhetarë, të dashur afaristë, Ju siguroj se dera ime është gjithnjë e hapur për ju dhe angazhimi im do jetë përherë maksimal për t’ju lehtësuar përpjekjet tuaja për të realizuar projekte investuese në Kosovë. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.