DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Jahjaga në konferencën për misionet paqeruajtëse ndërkombëtare të Policisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, mori pjesë sot në takimin e Komunitetit Global të Politikave të Policisë për rishikimin e kornizës strategjike udhëzuese për misionet paqeruajtëse ndërkombëtare të Policisë.

Takimi që po mbahet në Londër të Britanisë së Madhe organizohet nga Departamenti i Operacioneve Paqeruajtëse të OKB-së dhe Instituti i Sigurisë Globale të Durham. Në këtë takim po marrin pjesë përfaqësues nga vende të ndryshme të botës dhe në mesin e tyre edhe ndihmëssekretari i përgjithshëm për rendin, ligjin dhe sigurinë i OKB-se, Dmitry Titov, zonja Margaret Anstee, ish-nënsekretare e përgjithshme e OKB-se dhe drejtori i Divizionit të Policisë (DPKO) Stefan Feller. Presidentja Jahjaga mbajti një fjalë për rolin e misioneve paqeruajtëse të Policisë dhe mënyrën e avancimit të punës së tyre.Në vazhdim po e botojmë fjalën e plotë të Presidentes.Të nderuar mysafirë,Zonja dhe zotërinj,Është kënaqësi të jesh sot këtu me ju dhe të diskutojmë për punën e burrave dhe grave, të cilët janë përkushtuar që ta bëjnë rruzullin tokësor një ambient të sigurt. Jemi këtu sot që po ashtu të ndajmë përvojat dhe dijeninë tonë për përmirësimin e misioneve të tanishme dhe ato të ardhshme të udhëhequra nga burra dhe gra, të cilët sakrifikojnë dhe ndërmarrin detyra të rëndësishme çdo ditë, detyra të ndërtimit të shoqërive përparimtare dhe shteteve të së drejtës.Misionet e Kombeve të Bashkuara në mbarë botën kanë krijuar themele solide për shtete në proces të shtetndërtimit dhe për shtetet në tranzicion, duke i bërë bashkë diferencat brenda atyre shoqërive dhe duke siguruar në të njëjtën kohë ambient më të qetë dhe vënien e themeleve për zhvillim demokratik të bazuar në siguri dhe mbizotërim të ligjit. Bota është më e sigurt kur diversiteti dhe multikulturalizmi respektohen dhe është definitivisht më e sigurt kur ne ndërtojmë mbi bazat e vlerave të përbashkëta njerëzore, pa marrë parasysh sfondin e shoqërisë në fjalë.  Misionet paqeruajtëse në mbarë botën kanë ndihmuar që të krijohen kapacitetet vendore për qeverisje dhe garantim të sigurisë, por ato misione po ashtu krijohen që të parandalohet përsëritja e ngjarjeve dhe përçarjeve të cilat sollën deri te konflikti i ndodhur para intervenimit. Unë përfaqësoj një shtet të ri në Evropën Juglindore, shtet i cili ka kaluar një periudhë të rëndë gjatë periudhës së vonë të historisë dhe i cili ka ndërtuar mekanizmat e tij shtetërorë, duke i përfshirë edhe ato të sigurisë, nga e para – me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, posaçërisht të misionit të KB në Kosovë. Unë po ashtu përfaqësoj një gjeneratë e cila i ka dedikuar një pjesë të jetës rindërtimit të shoqërisë, e cila ka dalë nga një luftë jo e barabartë me një sistem tërësisht të shkatërruar. Procesi i rindërtimit të vendit ka marrë shumë kohë, posaçërisht procesi i ringritjes shpirtërore të qytetarëve të Kosovës në nivel të qytetarëve të barabartë të një shoqërie ku diversiteti është një pasuri dhe ku beteja për përfshirje është shumë e vendosur.Kosova është shembulli më i mirë i suksesit të përbashkët lokal dhe ndërkombëtar dhe ky sukses shtrihet drejt demokratizimit të vendit, krijimit të institucioneve përgjegjëse dhe funksionimit të mekanizmave të sigurisë të cilat mëtojnë të ndërtojnë një shtet ku mbizotëron ligji. Misioni ndërkombëtar në Kosovë ka siguruar institucione përfshirëse, të qëndrueshme dhe të besueshme. Krijimi i një shoqërie, e cila respekton ligjin dhe themelet e së cilës janë vënë mbi shtyllat e drejtësisë, kërkon krijimin e institucioneve të forta dhe të besueshme të sigurisë, të cilat ndihmojnë procesin e demokratizimit. Element kyç në një shoqëri të dalë nga konflikti është ndërtimi i strukturës së sigurisë, e cila natyrisht nuk mund të ndërtohet pa një ndihmë nga jashtë, e cila ndihmë duhet të jetë profesionale, e bazuar në praktikat më të mira të cilat do ta vazhdonin profesionalitetin e saj. Misioni ndërkombëtar i policisë në Kosovë ka ndihmuar në ndërtimin e kapaciteteve të Policisë së Kosovës dhe funksionalizimin e kësaj strukture për t’u dalë në ndihmë qytetarëve dhe themelimin e mbizotërimit të ligjit. Qytetarët e Kosovës, vetëm 15 vjet më parë, e kanë perceptuar uniformën e policisë si reprezentim të aparatit të dhunshëm, i cili ka nxitur frikë dhe urrejtje, e jo si mekanizëm i cili garanton jetën dhe mirëqenien e tyre. Policia e Kosovës është shembull i një force gjithëpërfshirëse dhe multikulturore, e cila është e vendosur t’i shërbejë qytetarit dhe t’i ruajë vlerat për përparim të mëtutjeshëm.Operacionet paqeruajtëse në shtetet e dala nga konflikti dhe ato në tranzicion janë themeluar me besimin e qytetarëve të atyre vendeve dhe me zotimin që të garantohet progresi dhe zhvillimi i gjithmbarshëm i atij vendi. Siguria nënkupton mirëqenien dhe ndihmën për zhvillim ekonomi të atij vendi sepse siguria është e lidhur ngushtë me demokratizimin e atij vendi. Misionet paqeruajtëse në mbarë botën, me rol prioritar si rindërtues të shoqërisë, duhet të kenë fazë të qartë të ndërhyrjes dhe strategji të qartë dalëse, të cilat nuk i dëmtojnë proceset rrjedhëse por i inkurajojnë ato. Tërheqja e pakohë e misioneve, posaçërisht të misioneve ndërkombëtare të sigurisë, mund të ndërpresë zhvillimin profesional të strukturave të sigurisë duke rrezikuar transformimin e tyre në një forcë e cila nuk garanton mirëqenien e qytetarëve dhe që në fakt bëhet pengesë për shoqërinë. Qëndrimi i tejzgjatur në një shtet mund të dëmtojë proceset në atë vend dhe të ngadalësojë demokratizimin e gjithmbarshëm, Misionet paqeruajtëse duhet të asistojnë në ndërtimin e kapaciteteve të besueshme lokale, sepse proceset të cilat duhet të ndodhin në atë shtet janë të varura nga vullneti, aftësia dhe lidershipi i strukturave lokale të mandatura që ta lëvizin shtetin përpara.Janë tre elemente kyçe, duke u bazuar në përvojën e Kosovës, të cilat e bëjnë një mision paqeruajtës, të suksesshëm dhe të nevojshëm në fushën e sigurisë. Planifikimi me kohë për vendosjen e një misioni ndërkombëtar paqeruajtës në një shtet të dalë nga konflikti duhet të përfshijë specifikat gjeografike, kulturore dhe traditat e shoqërisë sikurse edhe përbërjen etnike. Që strukturat ndërkombëtare të sigurisë të menaxhojnë në një mjedis etnikisht të përzier nevojitet një njohje e thellë e shoqërisë, gjë e cila ndihmon në ndërtimin e besimit me popullatën lokale, si parakusht për të arritur sukses drejt mbizotërimit të ligjit dhe rregullit.Pajisja e strukturave lokale me kapacitete të plota është parakusht për ndërtimin e besimit më shoqërinë, gjë e cila pastaj garanton funksionalitetin demokratik të shtetit në tranzicion. Themelimi i besueshmërisë me qytetarët nënkupton ndërtimin e besimit në mes të misionit ndërkombëtar paqeruajtës dhe strukturave profesionale lokale, të cilat i gëzojnë kapacitetet e plota dhe janë tërësisht llogaridhënëse. Misioni ndërkombëtar duhet të transferojë përgjegjësitë tek autoritete lokale në fushat specifike, në një periudhë reale kohore, që të ndihmojë marrjen e pronësisë në zhvillim të shtetit dhe që t’i bëjë më të përgjegjshme dhe llogaridhënëse. Transferi i përgjegjësive duhet të shkojë krah për krah me zhvillimin e kapaciteteve brenda institucionit, dhe jo pas një kohe të stërzgjatur, sepse e humb konzistencën e saj dhe rrezikon krijimin e varshmërisë së institucioneve lokale në ndihmën nga jashtë. Besimi në mes të institucioneve lokale dhe misioneve ndërkombëtare, posaçërisht në fushën e sigurisë, mund të parandalojë përhapjen e fenomeneve negative në shoqëritë e dala nga konflikti dhe tendencat për bllokimin e demokratizimit.Ndërtimi i kapaciteteve lokale, posaçërisht në fushën e sigurisë, do të ndihmojë misionin paqeruajtës që të krijojë parakushtet e duhura për një strategji dalëse, duke e monitoruar punën dhe progresin e strukturave lokale, të cilat janë ndërtuar bashkërisht. Misionet paqeruajtëse do ta kenë efektin dhe funksionin e tyre vetëm atëherë kur janë arritur aftësitë e tyre, kur janë vendosur standardet demokratike dhe janë themeluar institucione përgjegjëse dhe llogaridhënëse në vendet ku ata operojnë. Për këtë arsye, misionet ndërkombëtare paqeruajtëse duhet të kenë një plan afatshkurtër dhe një afatmesëm, të cilët duhet të rishqyrtohen dhe rievaluohen në bazë të këtyre konditave.Është shumë e rëndësishme që misionet të krijojnë një zinxhir të integruar komandues brenda vetes dhe në raport me institucionet lokale ekzistuese. Një hierarki e qartë do të krijojë llogaridhënie nga të dy palët, misionit dhe strukturave lokale ekzistuese. Mbizotërimi i ligjit paraqet qëllimin përfundimtar të secilit mision dhe secilit shtet. Prandaj, ne duhet që pa ndërprerje të përdorim punën tonë drejt ligjeve të drejta dhe praktikave më të mira pa tendenca për selektivizëm. Shtetet demokratike duhet gjithmonë të fokusohen drejt hartimit të legjislacionit i cili merr parasysh nevojat e shoqërive të tyre. Ka ende shumë rrugë për të bërë nga legjislacioni deri tek implementimi, dhe aty qëndrojnë sfidat më të mëdha. Zbatimi i ligjit është pararojë e implementimit dhe duhet gjithmonë të jepen shembuj pozitivë.Të nderuar pjesëmarrës,  Kosova ka arritur të ndërtojë një shoqëri funksionale, demokratike dhe gjithëpërfshirëse me ndihmën e asistencës ndërkombëtare nga përfundimi i luftës. Është më se e qartë se demokracia nuk është një proces i cili përfundon atëherë kur kapacitetet lokale të institucioneve janë ndërtuar, por proces i cili zhvillohet secilën ditë dhe i cili kërkon angazhim konstant.Shembulli i ndërtimit të Policisë së Kosovës, një force e cila renditet ndër institucionet më të besuara nga popullata kosovare, është një sukses i punës së misioneve ndërkombëtare paqeruajtëse, të cilat kishin vullnetin dhe dedikimin që të krijojnë një forcë sigurie në Kosovë me standarde më të larta ndërkombëtare. Përkundër mosbesimit i cili mbizotëronte në Kosovë pas luftës, Policia e Kosovës u ndërtua në principin e gjithëpërfshirjes, ku shumica shqiptare dhe përfaqësuesit e komuniteteve të tjera etnike punojnë me respekt të ndërsjellë. Policia e Kosovës ka arritur ta shtrijë praninë e saj në pjesën veriore të Kosovës, ku për 14 vjet nga përfundimi i luftës, popullata serbe shfaqte mosbesim ndaj institucioneve ndërkombëtare dhe atyre kosovare. Zonja dhe zotërinj,  Mësimet e nxëna dhe rruga përpara janë një, ato e mbështesin njëra-tjetrën dhe na ndihmojnë që ta përmirësojmë veten tonë dhe institucionet tona. Është obligim i yni që të gjejmë zgjidhje për të gjitha problemet evidente. Secila shoqëri meriton të jetojë në barazi dhe prosperitet, prandaj ne duhet të demonstrojmë kurajë dhe vullnet që ta shohim realizimin e këtij vizioni. Korniza Udhërrëfyese Strategjike për Paqeruajtjen Ndërkombëtare Policore paraqet një hap sinjifikant në këtë drejtim dhe unë e përkrah draftin për politikat e paqeruajtjes të paraqitur në këtë takim.Përderisa e njohim këtë draft-politikë, e cila reflekton punën e ndërmarrë nga kolegët dhe miqtë tanë para nesh dhe nga shumë prej jush të cilët vazhdojnë të mundohen për krijimin dhe ruajtjen e paqes, ju ftoj të gjithë ju që të jepni kontributin tuaj për paqeruajtësit e ardhshëm, për mbështetjen e kësaj iniciative të rëndësishme dhe për krijimin e një të ardhmeje më të mirë për shoqëritë tona.Dhe në mbarim, dua ta shfrytëzoj këtë mundësi që të shpreh falënderimin tim për Andrew Carpenter, Richard Monk, Stefen Feller dhe ekipet e tyre të cilët ishin të kyçur në hartimin e kësaj strategjie. E di se secili rresht i kësaj strategjie reflekton përvojat e juaja në Kosovë, punën tonë të përbashkët, sukseset tona dhe atë se çfarë mund të ishte bërë në mënyrë më të mirë. Shumë shtete në tranzicion dhe shoqëri në nevojë do të kenë benefit nga dija e juaj, siç ka pasur Kosova nga kuraja e mijëra burrave dhe grave të cilat i kanë kontribuuar paqes dhe sigurisë së saj. Dhe përfundimisht, misionet ndërkombëtare policore duhet të sigurojnë balancim gjinor si të personelit edhe të lidershipit, sepse kjo jo vetëm që do të linte një trashëgimi për t’u ndjekur nga institucionet lokale, por do t’ia bënte më të lehtë grave dhe fëmijëve, të cilët janë viktimat më të shpeshta të konflikteve, që t’u afrohen oficereve femra për të kërkuar drejtësi për vuajtjet e tyre.Ju faleminderit.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.