presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Jahjaga në konferencën për media, pas takimit me kryetarët Vujanoviq, Nishani e Ivanov

Pas takimit të përbashkët në Budvë të Malit të Zi, Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, presidenti i Maqedonisë Gjorgji Ivanov, presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani dhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhanë një konferencë për media.

Gjeni në vijim fjalën e Presidentes Jahjaga në këtë konferencë: Përgëzoj Presidentin e Malit të Zi, për organizimin e mirë të Samitit të katër presidenteve të vendeve të rajonit. Po e ruajmë traditën e mirë të bashkëpunimit, të informimit të ndërsjellë dhe të koordinimit. E shpreh kënaqësinë time që i gjithë Samiti u zhvillua në atmosferë konstruktive, të mirëkuptimit dhe të gjetjes së mundësive për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve dhe popullit tonë. Agjenda themelore ishte integrimi ynë në Bashkimin Evropian duke pasur parasysh që anëtarësimi i secilit vend është individual, por duke kuptuar rëndësinë e ndihmës së ndërsjellë të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe duke shfrytëzuar përvojat e njëri tjetrit. Ne si liderë të vendeve tona, i biseduam të gjitha çështjet që janë në interes të vendeve tona dhe që e forcojnë dhe e thellojnë bashkëpunimin. Atmosfera e Samitit ishte e sinqertë dhe konstruktive, në mirëbesim të plotë dhe nuk kishte asnjë temë tabu. Biseduam për projektet e bashkëpunimit rajonal, për  ndërtimin e infrastrukturës së shteteve tona dhe ndërlidhjet e këtyre projekteve me korridoret më të rëndësishme Evropiane të korridorit 5, 8 dhe 10. Mundësitë e bashkëpunimit në zonat ndërkufitare, të projekteve dhe kapitalit të përbashkët dhe tërheqjes së fondeve evropiane për zhvillim. Çështje e rëndësishme është Menaxhimi i Integruar i Kufirit dhe qarkullimi i papenguar i njerëzve dhe mallrave. Ky Samit do të vazhdojë vitin e ardhshëm dhe ne shprehëm synimin që ashtu si edhe deri me tash të jetë i hapur për pjesëmarrjen edhe të vendeve të tjera të rajonit. U mbetet qeverive tona që të konkretizojnë bashkëpunimin e mëtejmë në të gjitha fushat. Si liderë të vendeve tona ritheksuam përkushtimin për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon si dhe ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore. Dëshiroj të theksoj se Pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm dhe vitin e ardhshëm ne festojmë 5 vjetorin e pavarësisë. Republika e Kosovës është bërë shtet i respektuar ndërkombëtarisht dhe po jep kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.  Të gjithë liderët i dhanë përkrahje të fuqishme procesit të dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që po zhvillohet ne Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së dhe përkrahjen e fuqishme të SHBA-së, arritjes së marrëveshjeve në disa fusha që lehtësojnë jetën dhe punën e qytetarëve. Niveli përfaqësimit të shteteve është ngritur dhe kryeministrat e të dyja vendeve tani po udhëheqin me këtë proces,  me synimin që vitin e ardhshëm të arrijmë marrëveshjen për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.