presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Jahjaga në Institutin e Prishtinës për Studime Politike

Kam kënaqësinë të jem me ju sot për të diskutuar njërin prej qëllimeve strategjike të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, anëtarësimin e vendit tonë në Këshillin e Evropës.

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë të jem me ju sot për të diskutuar njërin prej qëllimeve strategjike të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, anëtarësimin e vendit tonë në Këshillin e Evropës.

Prania ime sot në Institutin e Prishtinës për Studime Politike është vazhdimësi e punës dhe angazhimit të përbashkët të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe një numër organizatash të përfaqësuara në Institut dhe në Grupin për Studime Juridike dhe Politike për të ndërtuar një udhërrëfyes të mirëfilltë që e çon Kosovën drejt cakut të anëtarësimit.

Për më tepër, është një shembull i bashkëpunimit tejet të nevojshëm mes institucioneve shtetërore politikbërëse dhe shoqërisë civile, të një dialogu që për qëllim të vetëm ka avancimin e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, gjinie, përkatësie fetare apo orientimi seksual. Pavarësisht vijave ideologjike dhe politikave ditore. Pra, ndërtimin e Kosovës demokratike që pikë reference i ka standardet më të larta të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut.

Është pikërisht forcimi i mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut që e bën anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës domosdoshmëri dhe njërin prej prioriteteve të angazhimit diplomatik të shtetit tonë.

Për mua si Presidente e Kosovës dhe bartëse e politikës së jashtme të shtetit tonë të ri, anëtarësimi në këtë organizëm është nevojë urgjente që lidhet ngusht me përpjekjet tona për të fuqizuar në praktikë të drejtat e njeriut, për të avancuar demokracinë dhe gjithsesi për ta përafruar Republikën e Kosovës me proceset integruese evropiane si qëllim parësor që gëzon koncensus të plotë institucional dhe shoqëror.

Jemi me fat që Kosova si udhërrëfyes ka një Kushtetutë moderne që aspiron standardet më të larta dhe që përcakton zbatueshmërinë e Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut si një prej instrumenteve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Të jem e qartë: Kosova ka shënuar një përparim të jashtëzakonshëm në zhvillimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, sidomos në përfshirjen e komuniteteve pakicë dhe respektimin e të drejtave të tyre. Por është me rëndësi jetike që në këtë dekadë të parë të shtetndërtimit tonë si vend i pavarur dhe sovran të angazhohemi që ky zotim i bërë në Kushtetutë nuk mbetet një aspiratë ambicioze. Por, që parimet mbi të cilat ndërtuam shtetin tonë do të diktojnë secilin hap tonin, secilin veprim për t’i dëshmuar vetes dhe të tjerëve përreth nesh përkushtimin tonë për të krijuar një shtet gjithpërfshirës, shtet të së drejtës, të qytetarëve të barabartë në privilegje dhe përgjegjësi.

Është poaq në interes të Këshilli i Evropës, si organizata më e madhe ndërkombëtare në Evropë që ka për qëllim respektimin e të drejtave të njeriut, të ketë Kosovën të radhitur pranë saj për të avancuar sundimin e ligjit dhe zhvillimin e demokracisë në [do cep të kontinentit evropian.

Anëtarësim në Këshillin e Evropës, do t’iu lejojë qytetarëve të Kosovës, të të gjitha komuniteteve, t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut në Strasburg si instancën e fundit pasi t’i kenë shterur mjetet juridike në Kosovës.
 
Është e pakuptimtë dhe plotësisht e padrejtë që qytetareve të Kosovës u mohohet qasja në një mekanizëm kaq të rëndësishëm të të drejtave të njeriut.

Këto argumente kanë përbërë boshtin kryesor të diskutimit që në shtator të vitit të kaluar, në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, kam zhvilluar me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, zotëri Thorbjorn Jagland, ku kam kërkuar fuqizimin e bashkëveprimit ndërmjet Kosovës dhe Këshillit të Evropës. Në atë takim, që ka qenë edhe hapi i parë që i ka hapur rrugë përpjekjeve tona për anëtarësim në Këshillin e Evropës, jemi pajtuar për formalizimin e zyrës së kësaj organizate në Kosovë dhe vazhdimin e punës së grupeve punuese.

Që nga ajo kohë, në muajt në vijim, kontaktet institucionale me Këshillin e Evropës janë intensifikuar. Deri më tash, Kosova ka fituar përkrahjen e mbi dy të tretave vende anëtare që e njohin Kosovën për t’u anëtarësuar në këtë organizatë. Ne do të aplikojmë për anëtarësim shumë shpejt.
 
Të nderuar të pranishëm,
 
Përkundër shumë prioriteteve që garojnë për vëmendjen tonë si institucione shtetërore dhe tuajën si shoqëri civile, ne duhet të mbesim të përqëndruar që në Kosovë të jetësojmë ëndrrën e shumë gjeneratave për ndërtimin e një shteti të drejtë që ofron mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e tij.
 
Ne të gjithë që e bartim mbi supet tona barrën e themelimit të shtetit tonë duhet të insistojmë që Kosova do të ndërtohet mbi parimin e drejtësisë për të gjithë, që Kosova lirinë e fituar me aq mund dhe të drejtat e cenuara për aq gjatë kurrë nuk do t’ua mohojë të tjerëve.
 
Para nesh janë vendime të mëdha që do ta përcaktojnë të ardhmen e Kosovës dhe natyrën e demokracisë tonë, përkushtimin tonë ndaj idealeve dhe parimeve tona. Kam besim të plotë që do t’i plotësojmë obligimet tona ndërkombëtare, duke dëshmuar seriozitet dhe sinqeritet për përmbushjen e standardeve që ia kemi vënë vetes përpara.
 
Vetëm kështu, ne kemi dëshmuar dhe do të dëshmojmë se do t’iu qëndrojmë besnik vlerave tona si popull, qytetarë dhe si shtet.

Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.