presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Jahjaga në hapjen e fushatës “Për të mirën tonë”

Më vjen mirë që sot jemi mbledhur për të diskutuar rrethë një teme tejet të rëndësishme, rrethë të drejtës themelore të secilit, të burrit dhe të gruas, për të pasur qasje të barabartë në pronësi dhe në burime financiare e ato ekonomike.

E nderuara Ambasadore Amerikane znj. Jacobsson,I nderuar zoti Meha,E nderuara zv/shefe e OBSE-së znj. ShikoskaI nderuar Drejtor i GIZ z. Macbeth,Të nderuar pjesëmarrës,  Më vjen mirë që sot jemi mbledhur për të diskutuar rrethë një teme tejet të rëndësishme, rrethë të drejtës themelore të secilit, të burrit dhe të gruas, për të pasur qasje të barabartë në pronësi dhe në burime financiare e ato ekonomike. E drejta në pronësi është e pamohueshme, themelet e së cilës i gjejmë te të drejtat universale të njeriut si dhe te krijimi i një shoqërie dhe një shteti ku secilit qytetar pa dallim gjinie i ofrohen mundësi të barabarta për jetë dinjitoze. Siç e thotë edhe sllogani i kësaj fushate, të cilën ne sot po e lansojmë së bashku, është ‘për të mirën tonë’, për të mirën e gjithë secilit prej nesh, si individ, si anëtarë të një familjeje, të një komuniteti, të një shteti të garantojmë përmbushjen e të drejtave të secilit qytetar, përfshirë të drejtën për pronë. Shpesh herë garantimin e barazisë gjinore e kemi parë vetëm nga spektri i përmbushjes së një norme morale, si një të drejtë që i ofrohet gruas, jo domosdoshmërisht si një e drejtë e garatuar me ligj. E kemi parë të ndarë nga efekti pozitiv dhe i shumëfishtë që avansimi i gruas sjell drejtëpërdrejtë në familje, në komunitet dhe në tërë shoqërinë. Gratë përfaqësojnë gjysmën e shoqërisë, janë gjysma e burimit njerëzor të saj, andaj e them pa hezitim se kur ne zgjedhim të mos trajtojmë në mënyrë të barabartë gruan dhe të mos i ofrojmë mundësi të barabarta asaj, ne zgjedhim të heqim dorë nga gjysma e pasurisë që kemi. Të nderuar pjesëmarrës, Barazia gjinore është e drejtë themelore kushtetuese mbi të cilën kemi vënë bazat e shtetit që po ndërtojmë, një shtet që i ofron mundësi qytetarëve të saj pa dallim. Të udhëhequr nga ky parim kemi ndërtuar infrastrukturën ligjore që i garantojnë gruas sikurse burrave të drejta të barabarta në çdo sferë të jetës. Por përtej kësaj ne vazhdojmë të përballemi me realitetin e hidhur ku gratë dhe vajzat përbëjnë shtresën më pak të avancuar ekonomikisht, më pak të përfaqësuar në tavolinat vendimarrëse, më pak prezente në bankat shkollore, me më pak mundësi dhe qasje në çdo fushë të jetës.Një realitet i tillë duhet të na ndërgjegjësojë të gjithë, si qytetar dhe si institucione, të ndërmarrim masa që të mos lejojmë gjysmën e shoqërisë sonë të jetë një zë më pak i dëgjuar, më pak i përfaqësuar në zhvillimin e komunitetit, të shoqërisë dhe të tërë vendit. Gratë dhe vajzat ende përfaqësojnë kategorinë më të varfër të shoqërisë, ne duhet të garantojmë nëpërmjet politikave, normave dhe legjislacionit në vend, ndryshime afatgjate që do të ndikojë edhe në gjeneratat e ardhshme, duke i dhënë fund njëherë e mirë rrethit vicioz të varfërisë dhe të varshmërisë në të cilin gratë dhe vajzat e gjejnë veten brez pas brezi. Andaj iniciativa të tilla si kjo e sotmja që në thelb trajtojnë problematikën e të drejtave të barabarta midis burrit dhe gruas në bashkëshortësi meritojnë mbështetjen tonë të pakursyer. Qasja në resurset ekonomike dhe financiare, ofrimi i të drejtës së pronës si një e drejtë e garantuar me ligj, është çelësi për daljen nga varfëria, është çelës për avansimin dhe zhvillimin e shoqërisë. Andaj kjo e drejta që i garantohet me ligj gruas, duhet të mbrohet nga e tërë shoqëria duke e bërë pjesë të kulturës tonë të përgjithshme regjistrimin e pronës në emrin e të dy bashkëshortëve dhe të drejtën për trashëgimi. Prona e fituar në martesë është pronë e përbashkët, regjistrojeni atë në emër të të dy bashkëshorteve sepse kjo është për të mirën tonë. Më vjen mirë që sot veçanërisht shoh një numër më shumë të burrave sepse vetëm në këtë mënyrë do ta kuptoni rëndësinë. Ju falemnderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.