DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Jahjaga në hapjen e Ditëve të Biznesit të Vogël në Kosovë

Më vjen mirë të jem në mesin tuaj për të filluar Ditët e Biznesit të Vogël në Kosovë, me shënimin e një ngjarjeje të rëndësishme, ndarjen e çmimeve për gratë më të suksesshme në ndërmarrësi.

Kjo ngjarje, e kthyer tashmë në një traditë çdo vit, dëshmon përkushtimin dhe seriozitetin tonë si shoqëri, për të garantuar pjesëmarrjen aktive të vajzave dhe grave në çdo fushë të jetës, duke e vlerësuar atë si pjesë të pandashme për arritjen e qëndrueshmërisë ekonomike, progresit shoqëror dhe përmbushjes së parimeve të demokracisë. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka luajtur një rol të rëndësishëm me mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë promovimit të ndërmarrësisë së grave me anë të programeve të saj, duke ndërtuar një qasje gjithëpërfshirëse, duke ju ofruar grave dhe vajzave mundësinë për të përmbushur ëndrrat e tyre dhe talentin që ato kanë. Dëshiroj të vlerësoj rolin e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës, krijimi i së i cilës kishte për qëllim ofrimin e mundësive më të mëdha për gratë dhe vajzat, për zgjatjen e një dore nga gratë e biznesit për gratë e biznesit. Shpresoj që puna e këtij institucioni të përmbush misionin e tij edhe më fuqishëm në të ardhmen, duke zgjeruar praninë e tij dhe shërbimet që ofron, duke u bërë kështu një partner i denjë i promovimit të bizneseve të grave. E kam thënë shpeshherë që investimi në grua është investim në vizionin e një vendi dhe në trashëgiminë që duam t’ju lëmë gjeneratave të ardhshme të shtetit tonë. Ne jemi përcaktuar që të ecim fuqishëm drejt së ardhmes, prandaj edhe politikat tona duhet ta reflektojnë këtë orientim, duke thyer barrierat strukturore dhe kulturore, të cilat i pengojnë gratë të japin kontributin e tyre në zhvillimin e vendit. Besoj fuqishëm se investimi në grua është thelbësor për arritjen e ndryshimeve sociale dhe ekonomike për të cilat kemi nevojë si shoqëri, jo vetëm në Kosovë por në tërë botën. Zhvillimin e qëndrueshëm do ta arrijmë vetëm atëherë kur t’ju ofrojmë mundësi të barabarta dhe trajtim të njëjtë vajzave dhe djemve, burrave dhe grave. Atëherë kur të konsiderojmë çështjen e barazisë gjinore si të pandarë nga synimi ynë për të arritur mirëqenie ekonomike, sociale dhe si një shoqëri demokratike.  Atëherë kur arritja e barazisë gjinore të konsiderohet si vlerë e shoqërisë dhe pjesë përbërëse e strategjive të zhvillimit të vendit. Jam e bindur që gratë do të vazhdojnë çdo ditë e më shumë të luajnë rolin e tyre si kontribuuese të rritjes ekonomike globale, që do përkthehet në rritje më të madhe të GDP-ve, të prosperitetit dhe stabilitetit të secilës shoqëri. Të dashura pjesëmarrëse, gra ndërmarrëse,Fuqizimi i gruas është fuqizim i shoqërisë, dhe e drejta e gruas është e barabartë në shoqëri, siç është dhe përgjegjësia dhe obligimi i saj. Ju inkurajoj të merrni përsipër rolin dhe obligimin tuaj si qytetare të barabarta të këtij vendi, të keni vendosmërinë për t’i thyer të gjitha barrierat përpara jush. Ju inkurajoj që të jeni të guximshme dhe që të besoni në aftësitë tuaja transformuese. Ju përfaqësoni shembullin e shpresës, besimit dhe suksesit, që jua përçoni secilës vajzë dhe grua, duke fuqizuar potencialin që secila prej jush, secila prej nesh, ka. Përgëzoj Fatmire Maliqin, Sevdije Hajrullahun, Zamire Hysenin, Vjollca Birinxhikun dhe Blerina Rugovën për çmimet e tyre duke ju uruar suksese të mëtejshme në punën e tyre. Gratë janë pjesë e barabartë e ndryshimeve që duam të sjellim në shoqëritë tona, që do të përcaktojnë të ardhmen e fëmijëve tanë, familjeve tona dhe mbarë shoqërisë sonë. Andaj është shumë e rëndësishme të promovojmë sukseset e grave në çdo fushë të jetës, për të ndryshuar perceptimet, dhe për të ngritur vetëdijesimin për vlerën ekonomike, politike dhe sociale që sjell angazhimi i potencialit të grave si pjesë e barabartë e shoqërisë. Ju uroj suksese duke iu ofruar mbështetjen time të pakursyer për t’i ofruar secilës vajzë dhe grua, në çdo cep të Kosovës, mundësi për të përmbushur ëndrrat e tyre. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.