DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Jahjaga në “Ditët e biznesit të vogël 2013” dhe në ndarjen e çmimeve për gratë e suksesshme ndërmarrëse

Kam kënaqësinë t’ju adresohem grave të cilat janë të vendosura të sfidojnë perceptimet tradicionale apo kulturore rreth rolit të gruas në shoqëri, që kanë vendosmërinë të mos ndalen për të realizuar qëllimin, idealin dhe rolin e tyre të drejtë në zhvillimin e vendit dhe për të marrë vendin e tyre të merituar në shoqëri.

E nderuara zëvendëskryeministre Kusari-Lila,I nderuar zëvendëskryeministër Kuçi,Të nderuar ministra,E nderuara Ambasadore Jacobson,Të nderuara G7-taTë nderuara gra sipërmarrëse,Të nderuar të pranishëm, Kam kënaqësinë t’ju adresohem grave të cilat janë të vendosura të sfidojnë perceptimet tradicionale apo kulturore rreth rolit të gruas në shoqëri, që kanë vendosmërinë të mos ndalen për të realizuar qëllimin, idealin dhe rolin e tyre të drejtë në zhvillimin e vendit dhe për të marrë vendin e tyre të merituar në shoqëri.Para se t’i ndajë me ju disa mendime për fuqizimin ekonomik të gruas dhe rëndësinë e përfshirjes së saj në zhvillimin e vendit, më lejoni të dal pak jashtë teme dhe të flas për një çështje shumë të ndjeshme që po prek dinjitetin e një pjese të shoqërisë tonë ditëve të fundit. Jemi të gjithë dëshmitarë të sulmit fizik ndaj aktivistes dhe deputetes Nazlie Balaj, vetëm për faktin që u dha zë grave të dhunuara. Ky akt qyqar ndaj zonjës Balaj është vepër e patolerueshme dhe e papranueshme, e cila nuk do të kalojë pa u ndëshkuar. Kërkojë sërish nga mekanizmat e sigurisë që të kapin sulmuesit dhe t’i vënë ata përpara drejtësisë. Le të jemi të qartë, nuk ka asnjë forcë dhe as individ në Kosovë që mund të kërcënojë me jetë dikë dhe të ushtrojë dhunë fizike ndaj dikujt që po mbron me aq vullnet pjesën e shoqërisë që i nevojitet përkrahja jonë e parezervë.        Ne si shoqëri duhet të luftojmë për realizimin e të drejtave të çdo qytetari.Andaj, ju bëj thirrje të gjithëve – deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, komisioneve parlamentare, mekanizmave qeveritarë, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit – të përqendrohemi bashkërisht në gjetjen dhe përcaktimin e formës më të përshtatshme për t’ua ofruar ndihmën tonë si institucione dhe si shoqëri viktimave të dhunës seksuale të luftës. Nuk ka përgjigje të lehta në pyetje të vështira. Por, kjo nuk është arsye që t’i shmangemi obligimit tonë si shoqëri dhe të përkujdesjes tonë për këtë kategori të viktimave. Nuk do të lejoj që gratë e dhunuara të viktimizohen sërish dhe të stigmatizohen më tej nga pakujdesitë tona, nga bindjet personale, mospajtimet politike apo hezitimi që këto ditë ka dominuar sferën tonë publike.Në këtë diskutim nuk ka ne dhe ato, jemi ne dhe jemi një.Do t’i qëndrojmë pranë parimit që të ndërtojmë një shoqëri ku çdo qytetar ka qasje të barabartë në shërbimet që i nevojiten për të pasur një jetë të dinjitetshme. Ua kemi me borxh këtyre grave dhe vetes që t’i njohim vuajtjet e tyre dhe të mos ua kthejmë shpinën, të mos i lëmë të vuajnë në heshtje. Atyre u duhet përkrahja jonë dhe ne nuk do t’i dëshpërojmë.Të dashura mike,Më vjen mirë të jem në mesin e grave të suksesshme sipërmarrëse të Kosovës. Jam e bindur që ju po frymëzoni dhe po i nxisni shumë vajza dhe gra të marrin pjesë në fushën e biznesit duke e kundërshtuar botëkuptimin tradicional që biznesin e ka parë si një fushë të destinuar ekskluzivisht për botën mashkullore.Në të gjitha diskutimet që kam marrë pjesë dhe janë bërë si në konferenca që i kemi mbajtur në vend apo nëpër botë, është vlerësuar që fuqizimi ekonomik i gruas ndikon në pavarësimin financiar të gruas, në ofrimin e një të ardhmeje më të mirë për fëmijët, në rritjen e mirëqenies së familjes, të shoqërisë, në uljen e fenomeneve negative dhe në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Gratë nuk përfaqësojnë vetëm 50 për qind të popullatës, por dhe 50 për qind të potencialit, aftësive dhe talentit human. Në momentin kur gratë nuk përfshihen në secilin fushë të zhvillimit të një vendi qoftë të ekonomisë, politikës, vendimmarrjes apo në fushën sociale, ato mbeten burim dhe kapital human i pashfrytëzuar i një vendi.Hulumtimet e dëshmojnë qartë se gratë po shndërrohen në konsumatoret më të madha dhe po e diktojnë tregun sepse janë gratë ato që marrin vendimet për blerjet pavarësisht nëse janë të punësuara apo jo. Ato shpenzojnë ndryshe dhe kanë preferenca të tjera nga meshkujt. Prandaj, për të përfituar sa më shumë nga kjo fuqi blerëse e grave, kompanitë gjithmonë e më shumë po përpiqen të kuptojnë gratë si konsumatore, duke i bërë ato partnere aktive.Gjatë Forumit Ekonomik Botëror që u mbajt në janar të këtij viti, Christine Lagarde, Drejtoresha e FMN-së, foli për rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të grave në ekonomi. Ajo prezantoi të dhëna tejet interesante rreth përfitimit ekonomik të pjesëmarrjes së plotë të femrave në fuqinë punëtore. Vetëm duke ngritur nivelin e punësimit të grave me atë të meshkujve, parashikohet se do kishte një ngritje në GDP në Shteteve të Bashkuara të Amerikës për 5 për qind, në Japoni për 9 për qind , në Indi për 27 për qind  ndërsa në Egjipt prej 34 për qind.Siç e ka cilësuar dhe ish sekretarja e Shtetit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës znj. Hillary Clinton “fuqizimi ekonomik i gruas flet për një ekonomi të mençur të një vendi”.Pjesëmarrja e gruas në jetën ekonomike të një vendi sjell gjithashtu edhe diversitetin e duhur për gjenerimin e ideve të reja, për rritjet ekonomike, inovacionet dhe për rritjen e konkurrencës, si të kompanive ashtu dhe të vet shtetit.    Në vendin tonë bizneset e vogla janë shndërruar në burime të rritjes ekonomike dhe të hapjes së vendeve të reja të punës, duke ndikuar jo vetëm në rritjen e mirëqenies së gruas, por edhe të familjes, shoqërisë dhe gjithë vendit.Jam e bindur që shumë prej jush, të pranishme sot këtu, jeni përballur me sfidën që keni hasur për të siguruar kapitalin e duhur për të filluar biznesin tuaj. Kjo vlen edhe për shumë gra të tjera, të cilat nuk mund të hapin bizneset e tyre pasi kanë akses të limituar në burime financiare dhe mundësi të vogla për kredimarrje.Një ndër arsyet e kësaj është se te ne, pavarësisht faktit që Ligji për trashëgimi definon qartë barazinë në ndarjen e pasurisë në mes pasardhësve femër dhe mashkull, duke mos diskriminuar në bazë të gjinisë, janë vetë gratë ato që heqin dorë nga të drejtat e tyre, nga trashëgimia e tyre.Dhe kjo mungesë e pronës, tokës apo pasurisë së patundshme, shfaqet si problem në momentin kur gruaja do të futet në fushën e biznesit dhe në mungesë të garancisë nuk ka akses në kredimarrje.Sipas statistikave në rang kombëtar në Kosovë gratë janë pronare të vetëm 8 për qind të pasurisë së patundshme dhe të vetëm 6 për qind të bizneseve në Kosovë. Shifra këto shumë shqetësuese, që thërrasin për veprime të menjëhershme, pasi siguria ekonomike është siguri personale dhe njerëzore. Tashmë numrit të konsideruar të organizatave që promovojnë pjesëmarrjen e gruas në biznes, pas Samitit Ndërkombëtar të Gruas, i është shtuar edhe një organizëm tjetër, Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës, G7. Jam e sigurt se në G7 do të gjeni një partner serioz që do t’ju asistojë në ofrimin e trajnimeve, në gjetjen e kapitalin të nevojshëm, lobimit, rrjetëzimit, për ta bërë biznesit tuaj më të suksesshëm apo nisjen e një biznesi të ri më të lehtë, kështu që Ju të keni mundësi të kontribuoni në mënyre aktive në zhvillimin ekonomik të vendit tonë.Përgëzoj zëvendëskryeministren Kusari-Lila që në bashkëpunim më G7, këtë vit hapjen e ditëve të biznesit të vogël e bëjmë me shpërndarjen e çmimeve për bizneset më të suksesshme të udhëhequra nga gratë. Është shumë e rëndësishme të promovojmë sukseset e grave në fushën e ekonomisë dhe në çdo fushë tjetër të zhvillimit të shoqërisë dhe të shtetit, jo vetëm për të ndryshuar perceptimet, por për të ngritur vetëdijesimin për vlerën ekonomike, politike dhe sociale që sjell angazhimi i potencialit të grave si pjesë e barabartë e shoqërisë.  Ju uroj suksese duke iu ofruar mbështetjen time të plotë në punën dhe në angazhimin Tuaj. Gratë dinë, duan dhe ia dalin. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.