Shënojmë sot një ditë të veçantë të shtetësisë së Kosovës – Ditën e Kushtetutës – një akti historik për Republikën e Kosovës, shtetit të pavarur e sovran, që përmbledh vlerat më sublime për të cilat u sakrifikuan gjenerata të tëra.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës – akti më i lartë juridik i vendit – paraqet bazën e shtetit të së drejtës, garanton lirinë e secilit qytetar të vendit tonë pa dallim dhe ngërthen në vete të drejtat universale të njeriut. Është një akt i bazuar në parimet e lirisë, paqes dhe të demokracisë, që i ka hapur rrugën e zhvillimit të shtetit të Kosovës, duke përqafuar standardet më të larta evropiane.
Ne po ndërtojmë një shtet të bazuar në ligj dhe rend. Një shtet ku të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Një shtet që garanton lirinë e fjalës dhe të lëvizjes. Një shtet që respekton diversitetin kulturor dhe fetar, duke i kthyer në vlera të shoqërisë sonë.
Republika e Kosovës është shtet ku kushtetutshmëria dhe ligjshmëria shtrihet në tërë territorin e saj, një vend me institucione funksionale dhe demokratike, të bazuara në gjithëpërfshirje. Ne kemi kaluar procesin e vështirë të konsolidimit institucional duke u përpjekur që me mirëkuptim të garantojmë të drejtat e secilit komunitet, posaçërisht atij serb në veri të territorit të vendit, të drejta këto të mbëltuara në Kushtetutën tonë. Ne po synojmë, që duke u mbështetur në gjithëpërfshirje, të shtrijmë sundimin e plotë të ligjit dhe të rendit edhe në këtë pjesë të vendit, duke garantuar zhvillim, përparim dhe demokratizim të shoqërisë.
Ne jemi të barabartë me Kushtetutë dhe kjo nënkupton edhe të drejta, edhe përgjegjësi edhe obligime për të gjithë!
Republika e Kosovës sot është më afër integrimeve evropiane, për aq sa ne jemi të gatshëm dhe të fortë për të siguruar sundimin e ligjit dhe të rendit dhe për aq sa ne jemi të gatshëm për të përfunduar reformat e nisura në gjithë shoqërinë tonë.
Sot ndodhemi përpara sfidave që përcaktojnë të ardhmen e vendit, konsolidimin ndërkombëtar të tij dhe funksionimin demokratik të gjithë shoqërisë sonë. Veprimet tona sot, sado të vështira të jenë, do të përmbyllim një kaptinë të rëndë të historisë sonë, pa lënë paragjykime për gjeneratat e ardhshme.
Prandaj duke iu përmbajtur vlerave të gërshetuara në Kushtetutën tonë, ne garantojmë rrugën tonë përpara dhe qëndrueshmërinë e shtetësisë që e kemi ndërtuar.