DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Jahjaga në ceremoninë e hapjes së “Javës së njeriut me shkop të bardhë”

Në këtë javë të njeriut me shkop të bardhë, po e dëshmojmë përkushtimin tonë për t’ju ofruar juve të gjitha mundësitë dhe kushtet për një jetë sa më të lehtë, të pavarur dhe aktive në shoqërinë tonë.

I nderuari z.Kadriu,Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Republikën e Kosovës,Të nderuar udhëheqës të institucioneve të Republikës së Kosovës,Të nderuar përfaqësues të komunitetit të të verbërve në Republikën e Kosovës,  Në këtë javë të njeriut me shkop të bardhë, po e dëshmojmë përkushtimin tonë për t’ju ofruar juve të gjitha mundësitë dhe kushtet për një jetë sa më të lehtë, të pavarur dhe aktive në shoqërinë tonë. Kjo javë e shkopit të bardhë është javë e ndërgjegjësimit, e solidaritetit njerëzor dhe obligimit që të gjithë kemi për t’ju përgjigjur nevojave të njëri-tjetrit, në mënyrë që t’i ofrojmë secilit qytetar jetë të dinjitetshme me mundësi të barabarta. Ne sot flasim me gjuhën e solidaritetit njerëzor që njeh vështirësitë me të cilat përballet komuniteti juaj dhe me përkushtimin individual e institucional për të ndihmuar në tejkalimin e sfidave së bashku. Ne sot vlerësojmë punën dhe kontributin e përditshëm që jepni, me anë të angazhimin tuaj në lëmi të ndryshme të jetës. Vlerësojmë mesazhin e kurajës njerëzore që ju i dërgoni komunitetit tuaj por edhe të gjithë shoqërisë – mesazhe këto shprese e vendosmërie për të mos u ndalur para sfidave e vështirësive që sjell jeta. Ndërsa shpalosim përballjet tuaja, shpalosim shpresën e dëshirën që keni për të jetuar të barabartë me gjithë të tjerët, për të qenë pjesë aktive e kësaj shoqërie, duke dhënë kontributin tuaj në ndërtimin dhe avancimin e saj në një shoqëri me mundësi për gjithësecilin. Ne mbetemi të vendosur t’i bashkohemi shoqërive të lira e demokratike, që synim parësor të zhvillimit të tyre kanë integrimin e të gjithë qytetarëve dhe trasimin e rrugëve të mundësive drejt përmbushjes së idealeve, ëndrrave e potencialit të tyre, pa dallim. Dua t’ju siguroj që mbetem e përkushtuar të ofroj mbështetjen time institucionale për avancimin e mundësive të domosdoshme për komunitetin tuaj, për të siguruar integrimin tuaj të plotë në çdo fushë të jetës në shtetin tonë. Së bashku do të ndërtojmë një vend ku secili qytetar pa dallim ndjehet dhe është pjesë e tij, me anë të kushteve dhe shërbimeve që ofrohen për ta. Ju jeni pjesë e këtij vendi, pjesë e zhvillimit të tij. Keni shumë për të na mësuar dhe shumë për t’i dhënë këtij vendi. Përgëzoj Shoqatën e të Verbërve dhe me të Pamë të Dobësuar për punën e palodhshme dhe këmbënguljen për t’i dhënë vendin e merituar në shoqëri komunitetit tuaj. Vlerësoj përkrahjen e Komisionit Evropian, përmes mbështetjes së projekteve të shoqatës, që ofron qasjen tuaj në shërbime të nevojshme dhe mundëson një pjesëmarrje aktive tuajën. Helen Keller, një aktiviste politike dhe autore amerikane e fundshekullit të 19-të dhe fillimshekullit të 20-të, me shikim dhe dëgjim të dobët, ishte personi i parë që ka mbaruar universitetin. Ajo thoshte: “Vetëm mund të arrijmë shumë pak, por së bashku mund të arrijmë shumë. Optimizmi është besimi që na çon drejtë arritjeve. Asgjë nuk mund të bëhet pa shpresë dhe besim”. Marigona sonte, në piano, e dëshmoi këtë. Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.