Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ka takuar sot Komisionarin evropian për zgjerim, z.Stefan Fuele, me të cilin bisedoi për zhvillimet në Kosovë dhe agjendën evropiane të saj.Z.Fuele gjithashtu ka marrë pjesë në takimin e katërt të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, të udhëhequr nga Presidentja Jahjaga.
Në vijim, fjala e Presidentes Jahjaga në këtë takim:
I nderuari Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z.Krasniqi
I nderuar zëvendëskryeministër Kuçi,
Të nderuar ministra, zëvendësministra
I nderuari z. Fyle,
Përfaqësues speciali i BE-së, z.Zhbogar
I nderuar kryetar i Lidhje Demokratike të Kosovës, dr. Mustafa
I nderuar kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z.Haradinaj
Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Republika e Kosovës ka përmbushur kriteret afatshkurta që dalin nga Studimi i Fizibilitetit i Komisionit Evropian. Ne kemi ecur përpara drejt hapjes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe vendosjes së marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Kjo Marrëveshja do të mundësojë konsolidimin e mëtejmë të agjendës evropiane të vendit dhe do të përshpejtojë procesin e përgjithshëm të reformave në të gjithë sektorët e shoqërisë. Jam e bindur se me punën tonë të përbashkët do të kemi një vlerësim pozitiv nga Bashkimi Evropian për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në qershor.
Me punën e Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian ne bashkërendojmë dhe koordinojmë punën ndërinstitucionale. Hartimi i një strategjie kombëtare për integrim evropian është më se i domosdoshëm dhe këtë punë ne duhet ta kryejmë përfundimisht në muajin qershor. Kjo strategji do të na ndihmojnë në përcaktimin e prioriteteve, obligimeve dhe përgjegjësive konkrete të secilit dhe të shërbente si matës i rezultateve.
Kosova, si edhe i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor, ka perspektivë të qartë evropiane. Të gjitha vendet e rajonit kanë rrugën e tyre drejt anëtarësimit, rrugë kjo individuale, por e kushtëzuar me bashkëpunimin e ndërsjellë mes tyre. Rajoni i Ballkanit po ndërton një vizion të ri për të ardhmen e tij, nëpërmjet ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore që hapin dyert e integrimit në familjen evropiane. Ndihma e ndërsjellët mes të gjitha shteteve sovrane dhe të pavarura të rajonit në zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale dhe shumëpalëshe në këtë proces është e domosdoshme dhe ajo duhet të jetë e gjithanshme, e plotë dhe e sinqertë.
Integrimi evropian i Kosovës nuk ka alternativë. Agjenda evropiane është agjendë që na bashkon të gjithëve, të gjithë qytetarët pa dallim përkatësie kombëtare, fetare dhe politike. Integrimin në Bashkimin Evropian e shohim si të ardhmen tonë të përbashkët. Kjo rrugë kërkon angazhim më të fuqishëm tonin në thellimin dhe përshpejtimin e procesit të zbatimit të reformave të brendshme. Institucionet dhe e gjithë shoqëria kemi përgjegjësi në realizimin e këtij synimi të avancimit të agjendës evropiane.
Reformat që duhet t’i bëjmë janë jo vetëm për hir të integrimit evropian, por për mirëqenien tonë – për qytetarin tonë dhe për të ardhmen e gjeneratave të reja.
Ne, Republika e Kosovës, jemi vendi i vetëm në Ballkan që nuk e ka realizuar ende parimin e lëvizjes së lirë për qytetarët tonë në BE. Me gjithë praninë e madhe të misioneve ndërkombëtare në Kosovë, që nga përfundimi i luftës e deri sot, ne nuk kemi arritur të plotësojmë kriteret që ta kemi liberalizimin e vizave. Kjo ngecje e lë Kosovën të izoluar, duke ja mohuar mundësitë që qytetarët e tjerë të rajonit i gëzojnë. Institucionet e Kosovës dhe Komisioni Evropian tashmë janë në proces të hartimit të një plani të veprimit të detajuar për liberalizim të vizave. Ne kemi ende punë për të bërë – sidomos në sundimin e rendit dhe ligjit, sigurisë së dokumenteve, menaxhimit kufitar dhe migracionit, dhe të drejtave fundamentale. Jemi të përkushtuar t’i përmbushim të gjitha kriteret e mbetura dhe të kërkuara nga ne para përfundimit të vitit.
Në gjithë këtë, ne llogarisim në ndihmën e vazhdueshme të Bashkimit Evropian dhe të misionit të tij në Kosovë, misionit të EULEX-it.
Të nderuar pjesëmarrës,
Përkushtimi ynë në rrugën e integrimit evropian duhet të shndërrohet në veprim konkret që do të mundësojë, fillimisht përfundimin e reformave tona të brendshme dhe përfundimisht ngritjen e shtetit modern dhe demokratik në bazë të standardeve dhe normave evropiane.
Stabiliteti ynë i brendshëm, funksionimi demokratik i rendit dhe sundimit të ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, si dhe avancimi i të drejtave dhe lirive të garantuara me Kushtetutë për secilin qytetar të Kosovës pa dallim, janë angazhim i yni i përhershëm.
Nuk ka një rrugë të shkurtër për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe ne nuk jemi të interesuar për një të tillë. Ne jemi të interesuar t’i plotësojmë të gjitha kushtet dhe të gjitha standardet sepse vetëm kështu mund të krijojmë një shtet të qëndrueshëm dhe një shoqëri demokratike.
E ritheksoj vendosmërinë tonë për të forcuar shtetin e së drejtës.
E ritheksoj fuqishëm përkushtimin tonë për ta shndërruar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në një ndër angazhimet më të rëndësishme të shoqërisë. Të mos kemi dilema – do të jemi të pakompromis në këtë luftë!
Ne duhet të vazhdojmë të adresojmë të gjitha reformat e nevojshme që do të mundësonin përshpejtimin e procesit integrues, përfshirë reformën e administratës publike. Do të vazhdojmë ta përafrojmë legjislacionin tonë me aquis communitare. Ne do të angazhohemi për zbatimin e çdo ligji, sepse derisa jemi të kënaqur me politikën e miratimit të ligjeve, jemi të pakënaqur me zbatimin efektiv të këtyre ligjeve në praktikë.
Republika e Kosovës është shtet i rendit dhe i ligjit me pushtetet e ndara legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore. Pavarësia e gjyqësorit është bazë e shtetit demokratik që po krijojmë dhe garantues i funksionimit të tij. Debati në Kuvendin e Republikës së Kosovës për një rast gjyqësor konsiderohet ndërhyrje në pavarësinë e punës së gjykatave.
Të nderuar pjesëmarrës,
Kemi dëshmuar se jemi shembull i bashkëpunimit rajonal, promovues i fqinjësisë së mirë dhe faktor paqeje e stabiliteti.
Jemi në një fazë të rëndësishme të dialogut me Republikën e Serbisë, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe të përkrahur fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ne do të vazhdojmë të luajmë këtë rol konstruktiv. Jemi të bindur që dialogu është mënyra e vetme për të normalizuar marrëdhëniet mes dy shteteve tona, në interes të qytetarëve tanë, të ndërtimit të bashkëpunimit dhe paqes e stabilitetit në rajon.
Ne jemi përkushtuar që në këtë dialog të gjejmë zgjidhje të pranueshme, për vendet dhe popujt, për të gjithë qytetarët, zgjidhje sipas normave dhe standardeve më të larta evropiane. Zgjidhje të qëndrueshme dhe të vullnetshme, që do të zbatohen me sukses.
Falënderoj komisionerin Fule për pjesëmarrjen e tij në takimin e sotëm të Këshillit dhe për mbështetjen e vazhdueshme të politikës së zgjerimit dhe perspektives evropiane të Kosovës dhe të vendeve të rajonit. Politika e zgjerimit dhe procesi i reformave të brendshme janë pjesë e të njëjtit proces, proces ky i rëndësishëm për vendet e rajonit dhe për projektin e një Evrope të bashkuar, në paqe.
Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian,
Dëshiroj që përmes diskutimeve tuaja njëkohësisht të bëjmë një vlerësim konkret të rrugës që kemi kaluar dhe të detyrave që na presin në të ardhmen.
Ju faleminderit!