DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga në samitin e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë në Senegal

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga po merr pjesë në samitin e shteteve anëtare dhe shteteve vëzhguese të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, që po i zhvillon punimet në Senegal. Ajo shoqërohej nga ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj.

Gjatë punimeve të sotme të samitit, Kosova u anëtarësua në cilësinë e vëzhguesit në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë. Në samit morën pjesë një numër i madh i burrështetasve nga vende të ndryshme të botës, në mesin e të cilëve edhe Presidenti i Francës, Fransua Hollande. Në një fjalë rasti drejtuar pjesëmarrësve të samitit, Presidentja Jahjaga tha: Të nderuar Presidentë, Ministra,Përfaqësues të shteteve anëtare dhe shteteve vëzhguese të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë,Zonja dhe Zotërinj,Kam kënaqësinë e veçantë që të përfaqësoj Republikën e Kosovës në këtë samit të këtij institucioni të madh kulturor në një ditë të rëndësishme si kjo kur vendi ynë po anëtarësohet në cilësinë e vëzhguesit në këtë organizatë të respektueshme të vlerave tona të përbashkëta. Në emër të qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve të Republikës tonë dua ta falënderoj nikoqirin tonë, Presidentin e Senegalit, nën mbikëqyrjen e të cilit u zhvilluan diskutimet për ta bërë Kosovën pjesë të barabartë të kësaj organizate dhe këtij forumi të komunikimit dhe bashkëpunimit.  I jam mirënjohëse secilit shtet anëtar të OIF për mbështetjen që i keni ofruar Republikës së Kosovës dhe konsensusin tuaj të vendosur që ta pranoni Kosovën në mesin tuaj. Duke e përfshirë Kosovën në këtë organizatë, ju shtuat edhe një përkrahëse të vlerave që avancojnë paqen dhe një zë më tepër që fuqizon dialogun dhe partneritetin si mënyrën e vetme për të gjetur zgjidhje për sfidat e së ardhmes që prekin secilin prej nesh. Si shteti më i ri në Evropë ne jemi përkushtuar të ndërtojmë një vend të qytetarëve të barabartë në përgjegjësitë dhe privilegjet që i gëzojnë, shumetnik, krenar për të arriturat e tij, për bashkëjetesën kulturore dhe harmoninë fetare, për vizionin e qytetarëve të tij për të qenë vend anëtar i Bashkimit Evropian, i integruar në aleancën veriatlantike të NATO-s dhe në përqafim të idealeve që i kemi vënë në themelet e shtetit tonë. Në këtë tryezë, Kosova dhe institucionet e saj do të sjellin kontributin tonë si pjesëtarë të barabartë për të përmirësuar jetën e qytetarëve tanë dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi politike, kulturore dhe ekonomike që do të avancojnë marrëdhëniet tona bilaterale dhe do të forcojnë vlerat tona të përbashkëta. Mirëpres mundësinë e këtij bashkëpunimi dhe ju falënderoj edhe një herë për kontributin e secilit delegat, secilit shtet dhe secilit përkrahës për ta zgjeruar partneritetin dhe shtrirë dorën e miqësisë drejt Kosovës.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.