presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga në konferencën e Gruas, të organizuar nga NAAC – Hope Fellowship

Ndjehem mirë sa herë që jam në mesin tuaj, në mesin e grave kaq të fuqishme që përfaqësojnë imazhin e mirë të Kosovës. Unë kam qenë prezente në organizimet tuaja dhe kam përcjellë impaktin që Hope Fellowship ka pasur ndër vite në avancimin e gruas. Sekretarja e Shtetit znj. Hillary Clinton ka thënë: “Talenti është universal, por mundësitë nuk janë”. Hope Fellowship ka bërë pikërisht këtë, ka ofruar mundësi atëherë kur është dashur.

Në këto vite të pasluftës është bërë progres në avancimin e rolit të gruas në aspektin politik, ekonomik dhe shoqëror. Gruaja e Kosovës është më prezente dhe më e fuqishme. Por mbetet akoma punë për t’u bërë që gruaja të zërë vendin e duhur, që i takon natyrshëm në shoqëri. Jo pa qëllim e cilësova vendin e gruas në shoqëri si të natyrshëm. Sepse ne gratë jemi gjysma e shoqërisë dhe është më se e natyrshme që në këtë përqindje të jemi të përfaqësuara në çdo fushë të jetës.Pjesëmarrja dhe përfaqësimi i denjë i gruas në çdo segment të punës dhe jetës është një sfidë me të cilën përballen të gjitha vendet e botës, pavarësisht nivelit të tyre të zhvillimit. Barazia gjinore tanimë është e drejtë dhe parim global, prandaj edhe kërkon dhe duhet të ketë trajtim global.Asnjë shtet nuk mund ta konsiderojë veten demokratik nëse gjysma e shoqërisë së saj nuk është e integruar.Askush nuk mund ta vë në mëdyshje nevojën e përfshirjes së gruas në proceset vendimmarrëse dhe politikëbërëse. Ashtu siç thoshte ish-kryeministrja e Britanisë së Madhe, e madhja Margaret Theçër: “Nëse në politikë doni ndonjë gjë që të thuhet, atëherë kërkoni nga një burrë, por nëse doni diçka që të kryhet, i kërkoni një gruaje”. Pjesëmarrja aktive e gruas në të gjitha proceset e ka dëshmuar sistemin e qeverisjes më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse, që i përgjigjet nevojave të grave dhe burrave të vendit. Është e dëshmuar gjithashtu se vendet ku hendeku gjinor është më i vogël janë vende më prosperuese që ofrojnë politika më gjithëpërfshirëse. Institucionet e Kosovës kanë shfaqur vendosmëri të garantojmë përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e gruas në çdo nivel të vendimmarrjes dhe të jetës publike. Kosova ka marrë praktikat më të mira të dala nga Rezoluta 1325 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi Gruan, Paqen dhe Sigurinë, duke përfshirë në legjislacionin e saj kuotat e përfaqësimi në nivel qendror dhe lokal; që kanë rezultuar që mbi 30 për qind e deputetëve të Kuvendit të jenë gra dhe që disa ministri dhe procese kyçe të udhëhiqen nga gratë. Këto rezultate janë indikatorë pozitivë të progresit kur kemi parasysh që shumë vende ende nuk e kanë arritur këtë nivel të përfaqësimit. Por, gjithsesi, kjo nuk është e kënaqshme.Shpeshherë më është bërë pyetja nëse caktimi i kuotave është zgjidhja më e mirë. Dhe unë jam përgjigjur se gjithsesi që kuotat nuk janë zgjidhja përfundimtare por janë rruga drejt zgjidhjes. Sidomos në këtë periudhë transitore nëpër të cilën po kalojmë ne, duhet të synojmë të arrijmë në atë pikë të zhvillimit dhe përparimit demokratik kur caktimi i kuotave të mos jetë më i nevojshëm, sepse gruaja si e barabartë, e aftë dhe profesionalisht e përgatitur konkurron barabartë me mashkullin për secilin pozicion në shoqëri.Vendi ynë po i krijon të gjitha kushtet e nevojshme që gruaja nëpërmjet mundësive dhe shanseve të barabarta ta ushtrojë rolin që i takon në shoqëri duke kontribuar kështu në rritjen ekonomike dhe në zhvillimin e vendit. Fuqizimi i gruas dhe investimi në grua avancon familjen, shoqërinë dhe vendin, rrit shkallën e zhvillimit ekonomik dhe përmirëson mirëqenien e çdo qytetari.Jemi të ndërgjegjshëm se edukimi dhe shkollimi i gruas është një ndër parakushtet themelore për të ulur hendekun gjinor.Një thënie popullore në Afrikë thotë: “Të edukosh një djalë, ke edukuar dhe ke shkolluar një individ, të edukosh dhe të shkollosh një vajzë ke edukuar dhe ke shkolluar një familje të tërë dhe një komunitet të tërë”. Me plot të drejtë, Sekretarja e Shtetit, Znj. Klinton, ka thënë se të drejtat e njeriut janë të drejtat e grave dhe të drejtat e grave janë të drejtat e njeriut. Njëherë e përgjithmonë.Shkalla e edukimit dhe shkollimit të gruas në Kosovë nuk është e kënaqshme. Niveli i braktisjes së shkollës si dhe analfabetizmit është shumë më i lartë te femrat sesa tek meshkujt. Kjo ndikon drejtpërdrejt në nivelin e punësimit të gruas, në llojin e punës që ajo bën dhe në pagën e saj dhe në mënyrën e jetesës për atë dhe familjen. Investimi në edukimin dhe shkollimin e gruas shton njohuritë dhe aftësitë profesionale duke krijuar mundësi konkrete që t’ju ofrojnë familjeve të tyre një të tashme dhe një të ardhme më të mirë. Por, edukimi dhe shkollimi i gruas nuk është vetëm njëra nga sfidat me të cilat po ballafaqohet vendi ynë dhe shoqëria jonë.Gjithashtu nuk është gjendje e kënaqshme edhe gjendja e gruas në ekonomi, ndërmarrje dhe biznes. Gratë zotërojnë vetëm 8 për qind të pasurisë së patundshme të Kosovës dhe zotërojnë vetëm 6 për qind të bizneseve. Mungesa e pronësisë pengon aftësinë e gruas për të shfrytëzuar mundësitë e kreditimeve, ndërmarrjen e iniciativave sipërmarrëse, duke i bërë ato të mos kenë pavarësi financiare dhe të jenë aktive si subjekte në ekonominë joformale.Ky realitet duhet të ndryshojë. Shoqëria dhe vendi ynë duhet të ndërmarrin hapa konkretë që kjo situatë të ndryshojë. Duhet t’i thirremi ligjit dhe jo traditave apo kulturës tonë në çështjen e ndarjes së trashëgimisë. Duhet ta thjeshtojmë legjislacionin e pronës dhe të sigurojmë interpretim të qartë të së drejtës së pronës.Gjithashtu, bizneset duhet të kuptojnë që është në benefitin e tyre të adoptojnë politika dhe procedura që sigurojnë integrimin e grave dhe nxitjen e tyre në pozicione menaxhuese dhe drejtuese.Republika e Kosovës ka arritur rezultate të konsiderueshme, shpeshherë të lakmueshme në krahasim me vendet e rajonit në pjesëmarrjen e gruas në mësimdhënie në të gjitha nivelet, në shëndetësi, në jetën parlamentare, në diplomaci dhe, së fundmi, edhe në vendimmarrje. Ju e keni parë se kam kthyer listën e emërimit të ambasadorëve derisa të përmbushet marrëveshja që së paku një e treta e shërbimit diplomatik të Kosovës të jenë gra. Gjithashtu jemi pajtuar që të gjitha Komunat e Kosovës të kenë një nënkryetare grua. Është befasuese për ju, por unë kam kuptuar se nga 38 komuna të Kosovës, ku secila komunë ka nga dy nënkryetarë, vetëm një grua, dhe ajo në Shtërpcë, është në pozitën e nënkryetarit. Iniciativa ime është që në nivelin lokal, një nënkryetare e komunës të jetë grua, që të mund të adresohen çështjet në nivelin lokal.Në punën time kam takuar shumë gra edhe nga vendi edhe nga bota që me përkushtimin e tyre, me vendosmërinë, me qëndresën për të mbrojtur çështje të caktuara duke mos pasur frikë por duke e ngritur zërin dhe duke pasur sukses janë bërë shembull inspirues për shumë gra të tjera anekënd rruzullit tokësor për të ndjekur shembullin e tyre. Shoqëria jonë ka shumë nevojë për t’i dhënë zë gruas, për t’i mbrojtur dhe siguruar të drejtat e saj, për t’i dhënë shpresë, por, para së gjithash, për t’i dhënë garanci, për t’i mundësuar një jetë dhe punë më të mirë.NAAC gjatë këtyre viteve ju ka dhënë zë grave të Kosovës, që me përpjekjet e tyre të palodhshme kanë arritur të influencojnë realitetin. Secila prej grave të Hope Fellows ka dëshmuar fuqinë dhe vizionin e gruas së Kosovës, si një grua bashkëkohore, e aftë të përballet dhe t’i zgjidhë të gjitha sfidat.Jam e sigurt që secila prej jush do të vazhdoni përpjekjet tuaja, përkushtimin tuaj për të avancuar përparimin tonë të përgjithshëm.Ky parim yni i përgjithshëm mund të përmblidhet edhe me paraqitjen e mbrëmshme në Eurovision të përfaqësueses sonë, Rona Nishliu. Megjithëse në përfaqësimin e Republikës së Shqipërisë, Rona e Kosovës e dëshmoi me aftësinë dhe fuqinë e saj prej një këngëtareje të jashtëzakonshme, se ne po ecim drejt së ardhmes së sigurt. Të gjithë ne duhet ta përkrahim Ronën, kudo që është.Ju falënderoj dhe ju uroj suksese në punën tuaj! 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.