DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga në ceremoninë e ndërrimit të komandantit të KFOR-it

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, mori pjesë sot në ceremoninë e ndërrimit të komandantit të KFOR-it, në të cilën komandanti i deritashëm, gjenerali Volker Halbauer, ia dorëzoi detyrën gjeneralit italian Salvatore Farina.

Në vijim fjalimi i Presidentes Jahjaga në këtë ceremoni: Të nderuar përfaqësues të institucioneve të KosovësI nderuari Admiral Clingan,Të nderuar Gjeneral Halbauer dhe Gjeneral Farina,Të nderuar ambasadorë dhe udhëheqës të misioneve ndërkombëtare në Kosovë,Të nderuar oficerë dhe ushtarë të forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë,Zonja dhe zotërinj,  Forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë tash katërmbëdhjetë vjet në vazhdimësi ka siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt për qytetarët e Kosovës, duke i përkrahur institucionet e vendit që të ndërtojnë demokracinë e mirëfilltë, që t’i vënë themelet e palëkundshme të një shteti gjithëpërfshirës dhe të forcojnë përkushtimin për liri dhe barazi.Në këtë ditë të veçantë për ju, në emër të qytetarëve të Kosovës dua t’ju përgëzoj ju, oficerë dhe ushtarë të KFOR-it për përmbushjen e misionit tuaj me profesionalizëm dhe me dinjitet gjatë tërë këtyre viteve që na qëndruat përkrah përderisa i vendosëm themelet e shoqërisë prosperuese. Dua t’ju siguroj se qytetarët e Kosovës do të jenë gjithmonë mirënjohës për përkrahjen që na e keni dhënë, për besimin që ja keni dhuruar këtij vendi dhe për miqësinë e gjatë të cilën e vendosët këtu. Do të jeni gjithmonë pjesë e Kosovës dhe urojmë që të mbani në zemër Kosovën si shtëpinë tuaj të dytë. Gjatë kësaj periudhe të pranisë së KFOR-it në Kosovë, ne kemi ndërtuar një partneritet të vlefshëm dhe e kemi forcuar miqësinë tonë. E them me bindje se ky partneritet do të thellohet, sepse jemi të përkushtuar ndaj të njëjtave vlera dhe ideale të cilat po i realizojmë me mbështetjen tuaj, të mijëra ushtarëve që shërbyen dhe shërbejnë si paqeruajtës dhe që besuan në vendosmërinë tonë për ta shndërruar Kosovën në faktor stabiliteti e paqeje në rajon dhe më gjerë.Ju na keni ndihmuar që të bëhemi zot të fatit tonë. Kosova do të vazhdojë t’ju bëjë krenarë sepse institucionet dhe qytetarët e saj janë të përkushtuar t’i forcojnë themelet e shtetit demokratik, ku të gjithë qytetarët, pavarësisht nga prejardhja e tyre etnike apo fetare, jetojnë në liri, paqe dhe barazi. Sepse Kosova është e përkushtuar të vazhdojë të ndjekë politikën e marrëdhënieve të mira fqinjësore më të gjitha shtetet fqinje. Sepse Kosova është e përcaktuar që t’i ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, vizion ky rreth të cilit jemi të bashkuar. Të nderuar pjesëmarrës,Në këtë ceremoni ndërrimi të komandës së KFOR-it, dua të falënderoj komandantin e deritashëm Gjeneralin Holbauer për lidershipin dhe kontributin e tij në përmbushjen e misionit të trupave paqeruajtëse në Kosovë.I nderuar Gjeneral Halbauer, Ju lutem pranoni mirënjohjen time për kontributin tuaj në Kosovë. Jemi falënderues për përkrahjen tuaj. Ju dekoroj me Urdhrin Ushtarak për misionin tuaj në Kosovë. I nderuar Gjeneral Farina,Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju dëshiroj mirëseardhje në Kosovë, duke ju dëshiruar realizim të suksesshëm të misionit tuaj në bashkëpunim të afërt me institucionet e Kosovës përderisa punojmë së bashku të ruajmë integritetin territorial të Kosovës, sundimin e rendit dhe ligjit, paqes, stabilitetit dhe derisa vazhdojmë të ofrojmë siguri për secilin pjesëtar të kësaj shoqërie. Dua t’ju siguroj se ne do të bashkëpunojmë në partneritet të afërt për të forcuar suksesin e përbashkët dhe për të ruajtur trashëgimin e paqeruajtësve ndërkombëtarë në Kosovë që u kanë dhënë përkrahje të palodhshme qytetarëve të këtij shteti në realizimin e vizionit të tyre për të transformuar këtë tokë në një shtet të shpresave të mëdha dhe shanseve të pakufishme.  Në muajt në vijim na presin sfida përderisa vazhdojmë të punojmë në integrimin e të gjithë qytetarëve në rendin politik dhe shoqëror të Republikës së Kosovës. Jemi të bindur se vetëm në këtë mënyrë do ta sigurojmë prosperitetin e qytetarëve të vendit tonë, do ta garantojmë stabilitetin e tij, derisa me ngulm ndjekim dhe realizojmë vizionin tonë të palëkundur për të qenë pjesë e familjes euroatlantike. Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.