Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu priti në një takim znj.Tarja Fernandez, e ngarkuar me punë në Ambasadën e Finlandës në vendin tonë.
Në takim, Presidenti Sejdiu ka falënderuar për përkrahjen e vazhdueshme të Finlandës për Republikën e Kosovës, si dhe ka theksuar angazhimin e madh të Presidentit Ahtisari në procesin e gjatë e të vështirë të pavarësimit të vendit tonë.Presidenti Sejdiu e ka vlerësuar lart njohjen e Republikës së Kosovës nga Arabia Saudite, duke e çmuar këtë si një njohje të rëndësie të veçantë, që do të ndikojë që këtë hap ta ndërmarrin edhe shtete të tjera të botës arabe dhe të Konferencës Islamike.Presidenti Sejdiu ka theksuar gjatë takimit se bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë trysni mbi Beogradin, sepse, ka shtuar ai, duke i fshehur kriminelët e luftës dhe duke mos e lënë të qetë Kosovën, nuk mund të shkohet në Evropë.Ai gjithashtu ka theksuar nevojën për një shtrirje më energjike të EULEX-it në pjesën veriore të vendit dhe kthimin e rendit dhe rregullit në pikat kufitare në këtë pjesë.Në këtë kontekst, Presidenti Sejdiu ka theksuar gjithashtu se duhet të punohet në shuarjen e strukturave paralele, të cilat përfshijnë edhe kriminelë të luftës.Ndërsa znj.Tarja Fernandez, e ngarkuar me punë në Ambasadën e Finlandës në Republikën e Kosovës, ka thënë se Finlanda ka qenë dhe do të mbetet mike dhe përkrahëse e Kosovës.Ajo gjithashtu ka lavdëruar komunitetin shqiptar në Finlandë, duke theksuar se ai është një komunitet shumë i organizuar dhe një shembull për komunitetet tjera.