DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

“Evropa e lirë”: NËSE SERBIA PROVON TË PËRDORË DHUNË NË KOSOVË, KA ME KË TË PËRBALLET

Fundja, qytetarët e Kosovës e dinë të gjithë dhe është në verdiktin popullor të të gjithëve, se pavarësia nuk ka çmim. Pra, nuk mund të jetë asnjë shtrëngim që Serbia mund ta bëjë në çfarëdo forme baras ekuivalent me pavarësinë e Kosovës. Ajo është alfa dhe omega e përcaktimit tonë, është vlera e vlerave dhe mund të them se është çështje e ekzistencës sonë. Dhe, nëse Serbia provon të përdorë dhunë në Kosovë, ta ushtrojë qoftë në kuptimin e presionit ushtarak apo të veprimeve të inteligjencies, ajo ka me kë të përballet. Është një garanci e fuqishme e trupave të NATO-s në Kosovë, është një përkushtim i tyre i veçantë, se nuk do të lejojnë. Dhe, nëse e zgjedh këtë rrugë, atëherë ka me kë të përballet, e ka pasur një përballje edhe në vitin 1999. Le ta përsëris edhe njëherë. Unë apeloj te qytetarët e Kosovës, edhe njëherë, që të jenë pjesë e veçantë me kontributin e tyre në stabilitetin e vendit.

Radio Evropa e lirë: Zoti Sejdiu, Prishtina tashmë ka paralajmëruar se konsultimet për shpalljen e pavarësisë kanë filluar me komunitetin ndërkombëtar. Kur mendoni se mund të bëhet kjo shpallje dhe më saktësisht në çfarë rrethanash?Fatmir Sejdiu: Mund të them se ka qenë insistim i joni i vazhdueshëm, që procesi të përfundojë sa më shpejt. Këtë e kemi bërë në të gjitha thirrjet tona dhe në të gjitha komunikimet që kemi pasur me vendet kryesore që kanë mbështetur dhe e mbështesin pavarësinë e Kosovës. Natyrisht se është një proces i nevojshëm, sepse me të gjitha këto vende kemi ecur bashkë. Kanë qenë mbështetje të rëndësishme edhe në orët më të liga për Kosovën, por edhe në këtë ecje të suksesshme të pasluftës, edhe në procesin e bisedimeve. Mund të them se ende nuk është ndonjë datë fikse, siç pretendohet të thuhet në opinion në forma të ndryshme. Për ne është e rëndësishme se ka një orientim në kornizën e përgjithshme, se si do të përfundonin proceset dhe kur do të ishte fundi i tyre. Prandaj, edhe përgatitjet që janë në rrugë e sipër, janë në këtë kuadër. Ato lidhen edhe me pjesën e ‘borxheve’, do ta quaja paralele, që ka Kosova për ta bërë infrastrukturën ligjore dhe kushtetuese të gatshme dhe natyrisht të lidhet edhe me pjesën që ka të bëjë me gatishmërinë e përgjithshme ndërkombëtare për reagimin e shpejtë pozitiv në njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Prandaj, ne kujtojmë se pas seancës së parë të Këshillit të Sigurimit të 19 dhjetorit, në të cilën besoj se do të prezantoj, për të përfaqësuar institucionet dhe popullin e Kosovës, do të ketë zhvillime edhe më të shpejta, në kuptimin e rekomandimeve nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm. Nuk besoj se do të shkohet në një proces, i cili do ta bllokonte edhe një herë qasjen e përgjithshme ndërkombëtare për ta zgjidhur mirë dhe përfundimisht çështjen e Kosovës. Por, mund të jetë një udhëzim më i drejtpërdrejtë dhe një qasje e përbashkët e të gjitha vendeve që e kanë mbështetur Kosovën dhe e mbështesin tani.Radio Evropa e lirë: Cila do të ishte ajo vija e kuqe, përtej së cilës Prishtina nuk do të pranonte të shkojë, në pritje të krijimit të kushteve për një shpallje të këtillë?Fatmir Sejdiu: Janë dy-tri çështje që ne i kemi thënë edhe në takimin e fundit me Treshen, edhe në takimet e mëhershme, edhe në takimet që kemi pasur me përfaqësuesit e këtyre vendeve dhe të mekanizmave ndërkombëtarë. Kosova nuk pranon bisedime të tjera. Ne kemi thënë se ka përfunduar gjithë ky proces, janë shterur të gjitha mundësitë dhe në këtë kuadër, s’mund të ndodhë ndonjë cikël i ri që do ta dëshironte rihapjen e bisedimeve, ashtu siç pretendon Serbia dhe siç pretendon ndonjë vend që dëshiron ende ta mbështesë Serbinë në këtë qasje – kjo është e para. E dyta, kemi thënë se nuk mund të varemi në vullnetin tek të ndokujt, që të prolongohet në vazhdimësi procesi me kërkesa, për shkak të zhvillimeve të ngjarjeve të ndryshme, siç pretendohet të thuhet se do të ketë zgjedhje presidenciale në Serbi, apo zgjedhje të ardhshme në ndonjë vend tjetër, sepse ato janë për brendinë e tyre dhe mendoj se nuk mund ta kenë interferencën e drejtpërdrejtë në zhvillimet që kanë të bëjnë me Kosovën. Fundja, Kosova ka pasur zgjedhjet e veta, pa i shtyrë fare, për shkak të nevojës së mbajtjes së trendëve demokratike. Dhe, e treta, që është shumë e rëndësishme, ne nuk duam të mbesim peng i ndonjë vendi që dëshiron të ketë qëndrim tjetër dhe që e ka shprehur një qëndrim tjetër. Marrim në këtë rast qëndrimin e Qipros greke; ata kanë thënë në kuadër të Bashkimit Evropian, pra në bisedimet që kanë pasur, se nuk e mbështesin pavarësinë e Kosovës. Por, megjithatë, mendoj se do të ketë një zgjidhje racionale dhe ata do të kenë parasysh se jemi në kuadër të një kompozicioni të rëndësishëm të shteteve dhe të vendeve që kanë peshë në vetë Evropën, sepse janë motor i të gjitha lëvizjeve, por edhe në proceset ndërkombëtare, që të jenë në një mbështetje unanime, në një zë. Fundja, edhe nëse do të insistojnë, nuk mund të jenë pengesë e jona. Ne do të shkojmë në procesin e mëtejshëm dhe Kuvendi i Kosovës do ta japë zërin e vet, pra do ta marrë vendimin që duhet ta marrë. Është një vendim që rikonfirmon pavarësinë e Kosovës, vullnetin politik të popullit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë kërkesën për njohjen ndërkombëtare të saj.Radio Evropa e lirë: Me përfundimin edhe formal të procesit negociator, ka pasur vlerësime se Kosova tashmë ka hyrë në një rrugë të vështirë, e cila mund të përshkohet edhe me dhunë. A besoni se do të ketë ndonjë përshkallëzim të situatës?Fatmir Sejdiu: Jo, unë nuk mendoj. Mendoj se gjithë kjo pjesë bie në kuadër të propagandës apo arsenalit që përdorin kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës. Kjo është, në radhë të parë, për ta trembur Kosovën dhe qytetarët e saj; në radhë të dytë është për ta trembur faktorin ndërkombëtar, se do të bëhet nami në Kosovë, në kuptimin e vlimeve të këqija, apo zhvillimeve që mund të jenë, në një formë apo tjetër, hedhje e Kosovës jashtë stabilitetit të saj. Prandaj, për ne është me rëndësi që të mbajmë këtë qetësi dhe këtë maturi, edhe të qytetarëve, por edhe të institucioneve, dhe në veçanti reagimin e mirë dhe të qëndrueshëm të institucioneve të sigurisë, mekanizmave ndërkombëtarë të KFOR-it, apo trupave të NATO-s, të Policisë së UNMIK-ut, të Policisë së Kosovës. Por, edhe qytetarët e kanë rolin e tyre të posaçëm; mos të bien pre e provokacioneve të shumta që mund të vijnë në ndonjë formë apo formë tjetër. Para dy-tre ditësh, ju e dini se pati një provokacion drejtpërdrejt në Mitrovicë; është në kompetencë të drejtpërdrejtë të institucioneve ndërkombëtare që ta bëjnë reagimin më të mirë të mundshëm dhe besoj se e kanë bërë. Dhe, në kuadër të kësaj fryme të reagimit, natyrisht se do ta detyrojnë Serbinë që të tërhiqet prej kësaj qasjeje.Radio Evropa e lirë: Përmendët Mitrovicën. Në këtë kuadër, veriu padyshim do të jetë një prej sfidave më të rënda përballë institucioneve vendore edhe pas përcaktimit të statusit. Pjesëtarë të komunitetit serb në veri kanë paralajmëruar shkëputjen e kësaj pjese, por edhe pengimin e zbatimit të pavarësisë në pjesët tjera të banuara me serbë. Si do të vepronit në një rast të tillë?Fatmir Sejdiu: Unë them se do s’do të jetë e lehtë. Në Mitrovicë do të ketë ende probleme dhe ne jemi shumë të vetëdijshëm. Është një nga sfidat e mëdha, me të cilat do të përballemi pas një realiteti të keq, të krijuar në një periudhë të gjatë kohore, me obstruksione të shumta, me veprime të strukturave paralele, të strukturave të inteligjencies dhe shumëçka, që janë të gjitha dorë e Serbisë apo veprime të saj. Por, realisht, mund të them se edhe me vetë formulën që është dhënë edhe në pakon e presidentit Ahtisaari, edhe në qasjen e përgjithshme që ka Grupi i Kontaktit, pra si një padron, do ta quaja paralel bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së apo Këshillin e Sigurimit, i gjithë këtij procesi, këto duhet të shuhen menjëherë. Prandaj, pritet një reagim më i shpejtë, një reagim shumë më i vendosur, një prerje e iluzioneve të menjëhershme të të gjithë atyre që Kosovën mund ta mbajnë peng. Prandaj, kjo do të ndodhë, por nuk them se integrimi i këtyre qytetarëve do të shkojë brenda natës. Do të jetë një kohë e nevojshme e punës dhe e inkurajimit të tyre. Është përgjegjësi e shumicës shqiptare, është përgjegjësi e institucioneve të Kosovës, është përgjegjësi edhe e mekanizmit ndërkombëtar, që do të jetë enkas një pjesë edhe për Mitrovicën. Prandaj, ne dëshirojmë të kemi veprime të koordinuara, që ata njerëz t’i kthehen jetës së tyre, të dalin nga ajo ndjenjë e vetizolimit që e kanë pasur deri më tash dhe e mosintegrimit, pas një pasoje të trysnisë së vazhdueshme që e kanë pasur. Mendoj se me projekte zhvillimore dhe me nxitimin e Kosovës në zhvillimet e reja të përgjithshme, qoftë në akcesin e saj në mekanizma ndërkombëtar, qoftë në shpalosjen e ID-së së saj të përgjithshme në botën demokratike, pra, me vlerat e veta, edhe këta do të kuptojnë se është një kohë tjetër, është një kohë, e cila kërkon drejtpërdrejtë bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve. Dhe, si rezultat i kësaj, të hapet edhe perspektiva e të gjithëve. Kjo pjesë e Kosovës është Kosovë, është në integritetin e saj të plotë, të pacenueshëm në kuptimin e mbrojtjes legjislative, edhe ndërkombëtare. Pra, në këtë aspekt, ne dëshirojmë që vetëm të implementohet edhe kjo ide apo frymë e përgjithshme që ekziston.Radio Evropa e lirë: Autoritetet në Serbi kanë paralajmëruar disa kundërpërgjigje që do t’i ndërmarrin në rast të shpalljes së pavarësisë, sanksione ekonomike, pengim të furnizimit me rrymë… Disa thonë se këto masa mund të kenë efekt dhe pasoja, të tjerët thonë që jo. Ju, çfarë mendoni?Fatmir Sejdiu: Serbia e ka lojën e saj jokonvencionale gjithmonë në relacion me Kosovën dhe ne e kemi të njohur strategjinë e saj. Flas në kuptimin se çfarë mund të përdorë; përdor edhe atë që nuk mund t’ia marrë mendja njeriut. Dhe, e gjithë kjo bëhet si pjesë e përpjekjes për të dëshmuar se Kosova nuk mund të jetojë pa Serbinë. E para, mund të them se Kosova mund të jetojë pa këtë pjesë të komunikimeve, edhe ekonomike të kësaj natyre që kanë qenë me Serbinë, sepse asnjë kilogram miell nuk e kemi pa para. Kosova ka paguar çmimin e vet gjithmonë, në relacion me ndërmarrjet tregtare apo me format tjera të komunikimit të mallrave. Dhe, e dyta, me këtë, dëshiron, në një formë apo formë tjetër, ta testojë qëndrueshmërinë tonë si Kosovë, a do të kemi ne kanale të tjera dhe forca të brendshme për ta rezistuar këtë pjesë të bllokadës që mund ta bëjë, qoftë edhe me energjinë apo format tjera, sepse janë disa nga problemet faktike. Por, ne kemi përgatitje të mirë. Fundja, qytetarët e Kosovës e dinë të gjithë dhe është në verdiktin popullor të të gjithëve, se pavarësia nuk ka çmim. Pra, nuk mund të jetë asnjë shtrëngim që Serbia mund ta bëjë në çfarëdo forme baras ekuivalent me pavarësinë e Kosovës. Ajo është alfa dhe omega e përcaktimit tonë, është vlera e vlerave dhe mund të them se është çështje e ekzistencës sonë. Dhe, nëse Serbia provon të përdorë dhunë në Kosovë, ta ushtrojë qoftë në kuptimin e presionit ushtarak apo të veprimeve të inteligjencies, ajo ka me kë të përballet. Është një garanci e fuqishme e trupave të NATO-s në Kosovë, është një përkushtim i tyre i veçantë, se nuk do të lejojnë. Dhe, nëse e zgjedh këtë rrugë, atëherë ka me kë të përballet, e ka pasur një përballje edhe në vitin 1999. Le ta përsëris edhe njëherë. Unë apeloj te qytetarët e Kosovës, edhe njëherë, që të jenë pjesë e veçantë me kontributin e tyre në stabilitetin e vendit.

This site is registered on wpml.org as a development site.