27 Shkurt 2020, Prishtinë – Ekipi Përgatitor për Themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, ka mbajtur konsultim publik me përfaqësuesit e mediave dhe artistë
Ekipi Përgatitor për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin ka vijuar me konsultimin publik me përfaqësuesit e mediave dhe artistët. Në këtë proces të konsultimeve, ekipi planifikon të përfshijë edhe grupe të tjera të qytetarëve, në mënyrë që shtrirja dhe përfshirja të jetë sa më e madhe, për të krijuar më pas një bazë ligjore bazuar në nevojat dhe kërkesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës.Në këtë konsultim, panelistët nga Ekipi Përgatitor për Themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin në përbërje të Nora Ahmetaj, Abdullah Ferizi dhe Kushtrim Koliqi, prezentuan Projekt Aktin Normativ i cili është si rrjedhë e xhiros së parë të konsultimeve publike.Nga ana e tyre, përfaqësuesit e medieve dhe artisët u shprehën se kjo iniciativë është një lloj treni i fundit që shoqëria kosovare duhet t’a zë në mënyrë që të kuptohet e vërteta.Bashkëpunimi me vendet e rajonit, krijimi i muzeve, rishikimi i librave të historisë dhe ndritja e periudhës së rezistencës paqësore ishin vetëm disa nga çështjet e diskutuara gjatë këtij konsultimi publik.