presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Deklaratë e Presidentit Sejdiu pas publikimit të mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, lidhur me legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës

Të dashur qytetarë të Republikës së KosovësPërfaqësues të respektuar të mediave,

Sot është edhe një ditë e bekueme për Republikën e Kosovës dhe të gjithë qytetarët e saj! Para pak çastesh, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha mendimin e saj për shpalljen e ligjshme të pavarësisë së Kosovës. 

Populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës e mirëpresin dhe e çmojnë shumë lart urtësinë e mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ky mendim eksplicit iu përgjigj pozitivisht çdo pike të ngritur në favor të vendimeve që ka marrë Kosova. 

Ky mendim rikonfirmoi fuqishëm se shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës ka qenë vendim në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe në të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje. 

Mendimi i sotëm i GJND-së i ka konfirmuar qartë argumentet e fuqishme dhe të parrëzueshme që ka paraqitur Kosova dhe të gjithë mbështetësit e pavarësisë së saj nga e mbarë bota demokratike. 

Ky mendim përfundimisht i heq të gjitha dilemat që mund t’i kenë pasur vendet që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.  Prandaj, ne u bëjmë thirrje sërish këtyre vendeve që të marrin sa më parë vendimet e tyre për njohjen e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Pra, siç shihet edhe nga ky mendim i GJND-së Kosova nuk paraqet rast precedent për asnjë rast tjetër në botë.  

Mendimi i sotëm i GJND-së paraqet një vlerë të veçantë të së drejtës ndërkombëtare, e cila e njeh të drejtën e qytetarëve të Kosovës për të jetuar të lirë dhe të pavarur. Po kështu, ky mendim hap udhë për progresin e mëtejmë të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Republika e Kosovës është thellësisht e përkushtuar që të jetë edhe më tej partner dhe kontribues i qenësishëm për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin e ngushtë me të gjitha vendet fqinje dhe ato të rajonit.

Institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara për zbatimin e plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të Propozimit Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari në tërë vendin dhe në të mirë të të gjithë qytetarëve të saj pa dallim etnie.

Me këtë rast, e ftojmë Republikën e Serbisë t’i bashkëngjitet vizionit të përgjithshëm të shteteve të rajonit për një të ardhme më të ndritshme dhe për integrim sa më të shpejtë euroatlantik.

Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë, duke qenë në fqinjësi të parë, duhet të punojnë për krijimin e një fryme të re të bashkëpunimit në interes të mirëqenies dhe perspektivës së  qytetarëve të të dyja shteteve sovrane.

Republika e Kosovës rithekson se vizioni ynë i vetëm është integrimi i saj i shpejtë në BE, në NATO dhe në vetë OKB.

Duke vlerësuar se Kosova është një rrëfim suksesi i një investimi të madh ndërkombëtar, Republika e Kosovës shpreh sërish falënderimin e saj të thellë për të gjitha vendet që e kanë mbështetur Kosovën në udhën e saj të lirisë dhe të pavarësisë, në procesin e njohjes së saj në botë, si dhe për mbështetjen e dhënë në GjND. 

Në këtë kuadër, shfrytëzoj rastin të falënderoj për rolin e veçantë që kanë luajtur dhe mbështetjen e dhënë, SHBA-të, vendet e BE-së, si dhe të gjitha vendet e tjera të botës demokratike. Po kështu falënderojmë NATO-n për rolin unikat që ka pasur dhe ka për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë.

Në veçanti, i falënderojmë vendet fqinje dhe ato të rajonit për rolin e madh mbështetës për të gjitha zhvillimet pozitive që ka pasur dhe ka Kosova.

Gjithashtu, falënderojmë tërë ekipin e Kosovës që ka përfaqësuar në mënyrë të dinjitetshme para kësaj kësaj gjykate të lartë të së drejtës ndërkombëtare.

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe popullin e saj!

Zoti i bekoftë miqtë e Republikës së Kosovës! 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.