Prej sot bota është më paqësore, prej sot njerëzit janë më të sigurt të shkojnë në punë, në shkollë, të udhëtojnë me metro, me tren, me aeroplan, më të sigurt për jetën e tyre.
Kryeterroristi Osama Bin Laden mori dënimin e merituar pas gjithë vrasjeve, vuajtjeve, dhimbjeve dhe dëmeve që i shkaktoi botës. Drejtësia u vu në vend. E mira fitoi kundër të keqes. Njerëzit do të jetojnë në paqe, në përparim, të patrembur dhe të parrezikuar. Lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar është në funksion të paqes, të prosperitetit, të sigurisë për të gjithë, në mbrojtje të jetës dhe të dinjitetit të njeriut. Republika e Kosovës, populli i saj e mirëpritën lajmin për eliminimin e kryeterroristit të botës, duke qenë të ndërgjegjshëm dhe të falenderueshëm për intervenimin e NATO-s në Kosovë, disa vjet më parë, kur u ndal lufta dhe spastrimi etnik, u vendos paqja dhe stabiliteti në rajon. Kosova në luftën kundër terrorizmit është përkrah SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, për një botë më të mirë, në të cilën njerëzit e të gjitha besimeve, të gjitha racave, të gjitha kombeve bashkërisht do të ndërtojnë të ardhmen prosperuese.