presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Deklaratë e Presidentes Jahjaga me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit

9 dhjetori shënon Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit. Korrupsioni është një e keqe që kërcënon çdo shoqëri, që pengon zhvillimin e shtetit, minon sundimin e ligjit dhe ngadalëson rritjen ekonomike të vendit.

Si Presidente e Republikës së Kosovës jam e përkushtuar për të luftuar korrupsionin dhe për të ndërtuar një sistem të pavarur të drejtësisë, në shërbim të qytetarit dhe në shërbim të shtetit ligjor. Përmes Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, të themeluar dhe udhëhequr nga unë, ne kemi përmirësuar bashkërendimin dhe efikasitetin ndërmjet institucioneve të mandatuara për ta luftuar korrupsionin. E kemi përmirësuar transparencën si dhe po punojmë me shoqërinë civile për të ngritur vetëdijesimin për domosdoshmërinë e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit. Në vitet e fundit, sistemi gjyqësor ka ngritur ndjeshëm numrin e rasteve kundër zyrtarëve të lartë për raste korrupsioni. Sipas ‘Indikatorëve Botëror të Qeverisjes’ të Bankës Botërore, Kosova këtë vit ka përmirësuar Kontrollin e Korrupsionit për 16%, krahasuar me vitin e kaluar. Ftoj Kuvendin e Kosovës që të miratojë sa më parë Ligjin e ri për Prokurim Publik i cili përpos që do të sigurojë integritetin e domosdoshëm në procesin e prokurimit, do të mundësojë edhe prokurimin elektronik në Kosovë për ta bërë tenderimin e parasë publike më transparent. Ne jemi të vetëdijshëm për sfidat dhe të përkushtuar të veprojmë konkretisht kundër korrupsionit. Kemi përgjegjësi të përbashkët që të tregojmë patriotizmin tonë duke qenë të pakompromis në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në zbatim të ligjit për të ndërtuar shtetin e së drejtës.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.