Është lajm i mirë që dy partitë më të mëdha politike shqiptare në Maqedoni kanë arritur një marrëveshje për bashkërendim dhe bashkëveprim, në lidhje me zgjedhjet parlamentare që mbahen më 5 qershor 2011.
E çmojmë lartë përgjegjësinë e të dy udhëheqësve, Ali Ahmeti të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të z. Menduh Thaçi të Partisë Demokratike Shqiptare, të cilët për hir të interesave kombëtare, qytetare dhe shtetërore u vunë mbi interesat partiake dhe bënë një veprim i cili është në të mirën jo vetëm të popullit shqiptar në Maqedoni, por të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, pa dallim kombëtar dhe fetar, në interes të shtetit të Maqedonisë, të stabilitetit dhe të prosperitetit të tij dhe të paqes e të bashkëpunimit në rajon.Urojmë që marrëveshjet e këtilla, jo vetëm ndërmjet subjekteve politike shqiptare, por edhe të faktorëve të tjerë politikë maqedonas, të ndihmojnë harmonizimin e qëndrimeve, duke pasur parasysh gjithmonë interesin e qytetarëve, dinjitetin e tyre dhe të ardhmen e tyre në rrugën e integrimeve euroatlantike, që do të forcohen me procesin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në Maqedoni.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN