DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Deklarata e Presidentes së Republikës së Kosovës për marrëveshjet e arritura në Bruksel

Presidentja e Republikës së Kosovës zonja Atifete Jahjaga e ka vlerësuar pozitivisht arritjen e marrëveshjeve në Bruksel ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për përfaqësimin në organizatat rajonale të Republikës së Kosovës dhe për menaxhimin e integruar të kufijve.

Presidentja e Republikës së Kosovës vlerëson se dialogu që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet dy shteteve sovrane dhe të pavarura, dy vende fqinje e të barabarta, ndihmon në normalizimin dhe shtendosjen e marrëdhënieve, në lehtësimin e jetës e të punës së qytetarëve dhe qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave. Konkretizimi i rrugës evropiane për Republikën e Kosovës, me vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në dhe me fillimin e studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, do të përshpejtojë integrimin e Kosovës në BE dhe do të mundësojë thellimin dhe zbatimin e reformave në vend.

Republika e Kosovës e ka të ardhmen në integrimet euroatlantike, si anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Kjo rrugë e integrimeve është aspiratë e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim, dhe ajo nuk ka alternativë tjetër.

Marrëveshjet e arritura ndihmojnë këto procese dhe sigurojnë përfaqësimin e barabartë dhe si shtet sovran të Republikës së Kosovës në organizatat dhe mekanizmat rajonalë dhe ndërkombëtarë. Presidentja e Republikës së Kosovës zonja Atifete Jahjaga i bënë thirrje të gjitha institucioneve, partive dhe subjekteve politike dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që t’i japin mbështetje konkrete kësaj marrëveshjeje, të gjithë procesit të dialogut dhe rrugës së Republikës së Kosovës shtet sovran dhe i pavarur në proceset e integrimeve euroatlantike.

Presidentja e Republikës së Kosovës zonja Atifete Jahjaga i falënderon Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për gjithë ndihmën dhënë procesit të dialogut dhe arritjes së marrëveshjeve.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.