Në traditën shqiptare, përfundimi i të korrave dhe mbledhja e bereqetit shënonin një moment të veçantë. Pas muajve të punës në ara, familjet dhe fqinjët mblidheshin rreth një tryeze të përbashkët për të shprehur mirënjohjen për frytet e punës.
Kjo traditë na kujton se bereqeti nuk është vetëm fryt i tokës dhe i mundit të bujkut. Ai është edhe solidariteti ndërmjet njerëzve dhe zemra e hapur e shtëpisë.
Në traditën shqiptare, shtëpia e të zotit është edhe shtëpia e mikut. Prandaj, tryeza e shtruar është shprehje e mikpritjes, ndërsa buka e ndarë me të tjerët dëshmon respektin dhe besimin ndaj njeriut. Pikërisht këtë vlerë e ruan Darka e Lamës. Begatia merr kuptim të plotë kur ndahet me të tjerët.
Në traditën tonë kulturore, urimi “Zoti ju dhashtë bereqet” shpreh një filozofi të tërë jetësore. Ai përmbledh shpresën për të nesërmen dhe mirënjohjen për të mirat e fituara. Ky urim na kujton se begatia është mirësi që duhet vlerësuar, ruajtur dhe ndarë me të tjerët.
Në vitin 2002, Presidenti Ibrahim Rugova e shndërroi këtë traditë në nivel institucional. Kjo festë është simbol i falënderimit për tokën e Kosovës dhe për njerëzit e saj.
Prania juaj në këtë tryezë e pasuron më tej domethënien e saj. Së bashku me miqtë tanë ndërkombëtarë, shprehim mirënjohjen për mbështetjen e tyre. Njëkohësisht nderojmë një traditë që na kujton vlerat që na bashkojnë.
Le ta mbajmë gjallë Darkën e Lamës dhe vlerat që ajo përfaqëson: mirënjohjen, solidaritetin, mikpritjen dhe respektin për punën e njerëzve tanë.
Gëzuar Darkën e Lamës!
