...

Fjalimi i Presidentes Shiroka Pula në manifestimin tradicional ecja simbolike në mbështetje të grave të prekura me kancer të gjirit

Sot jemi bashkë për ta përcjellë mesazhin e qartë se zbulimi i hershëm shpëton jetë.

Kanceri i gjirit prek shumë gra dhe familje. Përballja me këtë sëmundje kërkon guxim, kujdes dhe mbështetje.

Por kërkon edhe ndërgjegjësim. Asnjë grua nuk duhet ta shtyjë kontrollin shëndetësor nga frika apo mungesa e informacionit.

Sipas Klinikës së Onkologjisë, çdo vit identifikohen rreth 450 deri në 460 gra me kancer të gjirit.

Prandaj, ndërgjegjësimi dhe kontrollet e rregullta janë të rëndësishme.

Zbulimi i hershëm rrit mundësitë për trajtim të suksesshëm dhe mbijetesë. Duhet të synojmë që sa më shumë gra ta zbulojnë sëmundjen në fazat e para.

Për këtë nevojiten kontrolle të rregullta, informim i vazhdueshëm dhe shërbime shëndetësore të qasshme për të gjitha gratë.

Mamografia ofrohet falas në institucionet publike shëndetësore. Nëpërmjet mamografëve mobilë, shërbimet po afrohen edhe te gratë në komunat ku mungojnë këto pajisje.

Kujdesi për shëndetin nuk duhet të jetë çështje vetëm e muajit rozë. Ai duhet të jetë pjesë e angazhimit gjatë gjithë vitit.

Prandaj, sot u bëjmë thirrje të gjitha grave: mos e neglizhoni shëndetin tuaj. Kontrollohuni me kohë. Bisedoni me profesionistët shëndetësorë. Inkurajoni edhe gratë e tjera që të kujdesen për veten.

Të dashura gra,

Sot jemi këtu edhe për t’ju dhënë mbështetje atyre që po përballen me këtë sëmundje. Jemi pranë grave që po trajtohen. Pranë atyre që e kanë kaluar këtë betejë. Jemi edhe pranë familjeve që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur.

Le ta shndërrojmë këtë marsh në një zotim të përbashkët. Të flasim më shumë për parandalimin. Të kërkojmë kontrolle të rregullta.

Sepse pas çdo kontrolli mund të qëndrojë një mundësi për zbulim të hershëm. Dhe pas çdo zbulimi të hershëm, një mundësi më e madhe për jetë.

Mos harroni nuk është vetëm muaji rozë, por është i tërë viti!

Ju faleminderit!

This site is registered on wpml.org as a development site.